Të reja Kujdes me paracetamolin; është i dëmshëm!

Intervista - - SHENDET -

Një studim i kryer nga studiuesit anglezë ka bërë të bjerë zilja e alarmit për përdorimin e tepruar të paracetamolit dhe efektet e rënda dytësore që ai mund të shkaktojë në shëndet nëse përdoret për një kohë shumë të gjatë. Ju me siguri e keni paracetamolin nëpër shtëpitë tuaja, mbase me emra të ndryshëm, si: Dolipran, Efferalgan, etj. Paracetamoli është ilaçi që kemi më shumë tendencë ta marrim për të luftuar dhimb- jen e kokës, dhëmbëve, kockave, temperaturën, etj. Megjithatë, përdorimi i tij duhet të bëhet vetëm në rast nevoje dhe të mos teprohet. Në një studim të publikuar në revistën shkencore “Analet e Sëmundjeve Reumatike” tregohen efektet e rënda dytësore që mund të shkaktojë marrja e tij e gjatë. Në fakt, kjo gjë shtonte me 20% rrezikun e sëmundjeve kardiovaskulare: Rreziku për infarkt apo goditje në tru është më i madh pasi është marrë ky analgjezik për një kohë të gjatë dhe në doza të mëdha. Rreziku i ulçerës gjithashtu është evidentuar nga studiuesit, që nëpërmjet këtyre rezultateve paralajmërojnë mjekët mbi ndikimin negativ të paracetamolit në sistemin tretës.

Megjithatë, këto shifra nuk duhet të na alarmojnë. Efektet dytësore nuk u përkasin personave që e marrin rastësisht, nga një dhimbje e thjeshtë e kokës, për shembull. Përkundrazi, ata që e marrin çdo ditë dhe në doza të forta (3 tableta Dolipran 1000 ose 6 tableta Efferalgan 500, në ditë), për një periudhë më shumë se dy javë, duhet të dinë se janë të ekspozuar ndaj rreziqeve më të mëdha. Në fund, atyre që ky ilaç u dukej efikas kundër dhimbjeve të kokës pas dehjes, u duhet të gjejnë një tjetër zgjidhje «mrekullibërëse», sepse është zbuluar që përzierja paracetamol+alkool është dyfish helmuese për mëlçinë.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.