Metoda e re e lindjes me operacion, që ngjan me një lindje normale

Intervista - - ENCIKLOPEDI -

Lindja me operacion, ose cezariane, siç quhet në gjuhën shkencore, është pak “e nxituar” për një bebe që është mësuar të rrijë nëntë muaj në sigurinë e mitrës së nënës së tij dhe nxirret menjëherë në botën e jashtme. Për këtë arsye, doktorët e Spitalit Universitar të Londrës, kanë vendosur të bëjnë prova për ta bërë sa më normale këtë fazë tranzicioni të foshnjave.

Në të ashtuquajturin “operacion fiziologjik”, doktori bën një prerje të mitrës dhe nxjerr jashtë vetëm kokën e bebes. Në vazhdim, ky i fundit lëviz në mënyrë instinktive supet edhe pjesën tjetër të trupit të tij drejt... daljes, një lëvizje që bebet e bëjnë në lindjen normale. Kjo përpjekje e fëmijës zgjat vetëm katër minuta. Sapo “çlirohet”, doktorët e lënë të shtrihet në barkun e nënës, pa ia prerë ende kërthizën. I pari operacion i këtij lloji u realizua në vitet ‘90 në spitalin Mbretëresha Sharlotë në Çelsi të Londrës dhe që atëherë kryhet vetëm në disa klinika private.

Verën që vjen doktorët do të bëjnë provat e para për të parë nëse kjo ndërhyrje është më pak e rrezikshme në krahasim me lindjen cezariane klasike. Kjo përpjekje bëhet sepse bebet që kanë lindur me lindjen cezariane “të nxituar”, paraqesin më shumë mundësi që të kenë probleme me frymëmarrjen. Arsyeja është se vijnë shumë shpejt në botë dhe marrin frymë papritur në ajrin normal, diçka që është e re për ta dhe që sigurisht, e kanë të vështirë. Specialistët theksojnë se lindja cezariane “fiziologjike” e pakëson këtë rrezik, ndërkohë që ndihmon gruan të ndiejë sikur merr pjesë më shumë në gjithë këtë procedurë.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.