Si të dobësohem në pjesën e poshtme të trupit?

Intervista - - PYETJE PËRGJIGJE PËR GJITHÇKA -

- Kam një pyetje për ju, instruktor. Unë kam një trup të çuditshëm, shëndoshem gjithmonë duke filluar nga beli e poshtë, domethënë, shëndeti më shkon te vithet dhe kofshët, ndërsa pjesën e sipërme të trupit e kam normale. Ju lutem, më thoni, si të veproj që të dobësohem pikërisht në këtë pjesë të trupit? Pastaj, pse shëndoshem pikërisht këtu? A ka ndonjë dietë ushqimore që duhet ta ndjek? 27 vjeçarja. Faleminderit.

Mario, instruktor: - E nderuar 27 vjeçare, së pari më duhet t’ju them që konstrukti fizik ka lidhje me gjenet. Edhe ju, e keni gjenetike që shëndetin e merrni pikërisht në pjesën e trupit nga beli e poshtë. Ju futeni te trupat që quhen ndryshe në formë “dardhe”, të cilët e marrin shëndetin pikërisht në zonën poshtë mesit dhe depozitojnë dhjamë rreth vitheve e kofshëve. Përgjithësisht, sfida më e madhe për këta persona është të heqin kaloritë në këtë pjesë të fizikut, pa ndikuar në pjesën e sipërme të trupit. Pra, mund të themi që është një sfidë jo e lehtë, pasi nevojitet një balancë si në të ngrënë, ashtu edhe në ushtrime fizike. Ama, këta trupa kanë një gjë shumë pozitive: kur fillojnë të ulin kaloritë apo të bëjnë ushtrime për t’u dobësuar, zona ku djegin më shumë dhjamë është zona rreth barkut. Për këtë arsye, përgjithësisht, njerëzit me këtë fizik kanë bark e bel të bukur dhe dobësohen menjëherë këtu, por kanë vështirësi për të humbur peshë në zonën e kofshëve dhe të vitheve, gjë që i bën të kenë edhe më shumë tendencë për të krijuar celulit në këtë zonë. Një tjetër anë pozitive është se, sipas kërkimeve shkencore, fiziku në formë “dardhe” rrezikohet më pak për sëmundje, pasi dhjamin e merr në pjesën e poshtme dhe jo në pjesën e sipërme të trupit, ku janë të përqendruara organet kryesore jetësore.

- Ju dhashë një shpjegim të përgjithshëm për trupat në këtë formë, që të keni parasysh të mirat dhe të këqiat e këtij lloj fiziku. Ndërsa në lidhje me pyetjen tuaj se si të dobësoheni pikërisht në këtë pjesë të trupit, duhet të mbani një regjim ushqimor baza e të cilit është reduktimi i yndyrnave, pasi ky lloj trupi është i predispozuar të depozitojë dhjamë në pjesën e poshtme. Regjimi ushqimor që i përshtatet këtij trupi është një dietë e pasur me karbohidrate komplekse siç janë drithrat, fa- sulet, proteina, si mishi i bardhë i pulës dhe peshku, fruta dhe perimet e gjitha llojeve. Ndërsa përsa u përket ushtrimeve fizike, ju duhet të përqendroheni tek ushtrimet aerobike si vrapi, kërcimi, ecja, biçikleta, stepi dhe të gjitha këto tre herë në javë, të kombinuara me ushtrime force për pjesën e sipërme të trupit, që të arrini të keni një ekuilibër midis pjesës së sipërme dhe të poshtme të trupit. Pra, bëni tre herë në javë ushtrime kardio të pakten 3040 minuta, duke i kombinuar veglat si të doni ju. Por, nëse shkoni në palestër; pista, biçikleta dhe stepi janë veglat që ndikojnë më shumë në dobësimin e pjesës së poshtme të trupit. Po kështu, mund t’i alternoni ato me kërcim aerobik. Ndërkohë, mos harroni të bëni edhe ushtrime force, pasi janë shumë të rëndësishme si për të mbajtur në formë pjesën e sipërme, ashtu edhe për të tonifikuar pjesën e poshtme, duke qenë se do të humbisni dhjamë në këtë zonë. Ndërsa në lidhje me regjimin ushqimor duhet të keni parasysh atë çfarë ju thashë më sipër. Unë po ju jap një shembull regjimi ushqimor ditor, që ta keni parasysh: - Mëngjes: 2 lugë tërshërë të përzier me fruta të thata, me kos, ose 1 fetë bukë thekre me gjalpë, jo me shumë yndyrë dhe një portokall. Një ditë tjetër hani një vezë e cila ka proteinë, një ditë tjetër, 6 krakera me fibra. Pra, zgjidhni mes tyre në mëngjes. - Drekë: 120 gramë mish pule ose peshk me salcë domatesh të freskëta dhe erëza, sallatë jeshile me fasule të kuqe, misra dhe bishtaja, karota të ziera. Rreth orës 17.00 mbasdite mund të hani fruta pylli, për shembull, të përziera me kos pa yndyrë, në formë taratori. Mund të hani dhe 1 mollë jeshile ose kivi në darkë. Brenda ditës mund të hani të paktën 4 fruta të ndryshme ose të njëjta s’ka problem, ama sasia të jetë 4 gjer në 5, jo më shumë, se edhe ato kanë sheqer. - Darka: Sallatë me brokoli ose lakër të bardhë, sanduiç me bukë thekre, peshk ton, gjoks pule ose 1 vezë të zier, djathë pa yndyrë, një sallatë miks me sallatë jeshile, domate dhe pak ullinj. Nëse nuk ndiheni të ngopur, mund të merrni kakao me qumësht me pak yndyrë ose pak çokollatë të zezë. Pra, siç e shikoni, ky është një regjim ushqimor i shëndetshëm dhe i bollshëm, ama ju ndihmon edhe të humbisni peshë pikërisht në zonën që ju keni më problematike. Kuptohet, duke mos lënë pas dore ushtrimet që ju thashë më sipër. Përgatiti faqen: Valbona Vukulaj

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.