Me mjeshtrin e madh e duarartë jetojmë…

Intervista - - POSTA -

Taqo Llazi Miho, një nga shokët e bashkëpunëtorët e mi më të ngushtë në ndërtimin e disa objekteve të rëndësishme, lindi në Kolonjë në vitin 1939, ku kreu dhe shkollën 7-vjeçare. Kur ishte në moshën 14-vjeçare, babai i tij, Llazi Miho, i cili ishte mjeshtër gurgdhendës dhe punonte në ndërtimin e Kombinatit të Tekstileve në Tiranë, e merr atë në punë në këtë kombinat ku punonte edhe vetë. Duke qenë së Taqoja ishte i vogël, e caktuan t’i shpërndante ujë punëtorëve nëpër frontet e punës në objekte.

Llazi Miho, që ishte një mjeshtër i talentuar, u bë “Hero i Punës Socialiste” duke fituar respektin e shoqërisë e të strukturave shtetërore. Dhe sot, në nderim të këtij mjeshtri, një rrugë në lagjen e Kombinatit në Tiranë mban emrin e këtij heroi. Kujtoj se gjatë gjithë kohës, Taqoja reflektonte një krenari e respekt shumë të madh për të atin dhe përpiqej që të ecte edhe ai në gjurmët e tij.

Ndërtimi i Pallatit të Madh të Kulturës në Tiranë mblodhi specialistët më të mirë të Ndërmarrjes së Ndërtimit “21 Dhjetori”, mes të cilëve që në fillim, ishim edhe unë me Taqon, që na caktuan në brigadën e “Heroit të Punës Socialiste” Trajçe Mazniku. Kjo brigadë e madhe me shumë punëtorë e specialistë kishte për detyrë ndërtimin e korpusit kryesor të Pallatit të Madh të Kulturës që ishte pjesa veriore e objektit, që nga hyrja kryesore, i gjithë korpusi i Teatrit të Operas e Baletit bashkë me skenën dhe sallat e provave të artistëve. Këtu u njoha me Taqon, një djalë i gjatë e plot energji, shumë i aftë në zanat e mjaft i fuqishëm. Ishim bashkëmoshatarë, të dy me fizik të mirë e brigadieri na caktoi që të punonim të dy së bashku.

Si “çift” i ri që ishim, por dhe të fuqishëm, ne na ngarkoheshin punët më të vështira, si përgatitje e kallëpëve të betonit dhe betonimi i tyre, etj. Salla e madhe dhe skena kishin konstruksione beton-armeje monolite shumë të vështira, me një mbulesë me harqe në formë kupole me një membramë të hollë. Me mbarimin e betonimit na u ngarkua mbushja me mur tulle e hapësirave të fasadës. Taqoja ishte një organizator i mirë dhe së bashku punonim në një brigadë punëtorësh që drejtohej nga Shyqyri Xhepa ku kishte 6 punëtore tepër të aftë, por edhe të fuqishëm, me të cilët krijonin një zinxhir të pandërprerë në transportin e tullave, duke arritur rekord, që në një ditë pune, bënim 8 deri 10 metër kub mur. Me mbarimin e muraturës nuk na caktuan në suvatime por filluam siç ishim veshjen e mureve të fas- adës në pjesën e Teatrit të Operas dhe më pas vazhduam veshjen e fasadës kryesore nga sheshi dhe kolonave te hyrja kryesore e godinës. Po ashtu, me Taqon jemi marrë me shtresat me mermere në sallat kryesore të këtij objekti, ku në mbështetje kishim dhe mjeshtër të tjerë të këtij specialiteti.

Taqos, që gjatë ndërtimit të Pallatit të Madh të Kulturës i pëlqente të merrej me punime artistike si bërjen e bucelave prej balte me forma e motive të ndryshme. Ne shpesh bënim shaka me “të bile dikush dhe tallej, por ai kishte shije të hollë artisti e duar të arta, si dhe një imagjinatë në këtë fushë që rrallë mund të kishte të dytë.

Në ndërtimin e Pallatit të Madh të Kulturës në Tiranë kanë punuar artistë të mëdhenj si Vilson Kilica, Kristaq Rama, të cilët bënë pllakat me piktura para inaugurimit të punimeve. Bashkë me këta artistë u bashkua dhe Taqo me disa motive që u kompozuan me teserina dhe u ngjitën në kolonat e mureve po nga vetë ai.

Me mbarimin e Pallatit të Madh të Kulturës, një grup specialistësh, bashkë me Taqon shkuam të punojmë në vilat e Udhëheqjes në Ujin e Ftohtë Vlorë, ku punimet i drejtonte inx- hinieri i njohur Xhoxhi Mita. E them këtu që të punojë me këtë mjeshtër, sigurisht që do të kishte sukses në realizimin e punimeve apo çfarëdo detyre që të ishte. Me kthimin nga Vlora, unë e Taqoja u ndamë në objekte të ndryshme të ndërmarrjes “21 Dhjetori”. Po ne u bashkuam përsëri bashkë, këtë radhë në Lezhë, në ndërtimet e monumentit të Gjergj KastriotSkënderbeu, me rastin e 500 vjetorit të tij. Dhe këtu punuam me sukses, e puna jonë dhe e shokëvë tanë ishte cilësore dhe u vleresua nga specialistët dhe qytetarët. Po ashtu pas kthimit në Tiranë, unë e Taqoja u bashkuam përsëri bashkë, këtë radhë në ndërtimin e bazoreliefit të Monumentit të Lirisë në kampin shfarosës të Mat’hauzenit në Austri. Dhe atje punuam me përgjegjësi e përkushtim, duke realizuar punime cilësore dhe para kohës së caktuar, me gjithë vështirësitë e shumta që na dolën.

Pas kthimit nga Austria, puna na ndau përsëri në sektorë të ndryshëm në ndërmarrjen “21 Dhjetori”. Unë kalova si drejtues, ndërsa shoku im, mjeshtri duarartë kaloi në punë të ndryshme. Dora e këtij mjeshtri është e pranishme dhe ka lënë gjurmë në shumë objekte muzeale e monu- mentale, në pllakat përkujtimore me motive historike kombëtare, e në shumë ndërtime të tjera të rëndësishme, ku mendja dhe dora e çekiçi i tij e bënë gurin të flasë…

Kudo, dora e Taqos ka lënë gjurmë e kontribut si në: Në Muzeun e Skëndërbeut në Krujë, në hotelin 15 katësh në Tiranë, në Muzeun Historik Kombëtar (të gjitha punimet me motive kombëtare janë nga dora e tij). Me mbarimin e Institutit të Lartë të Arteve, Taqoja, me vullnetin e tij bëri dhe një studio në Tiranën e Re ku ideonte e punonte punime të ndryshme artistike. Që nga viti 1993, ky mjeshtër dhe artist i madh u mor me punimet në kishat e reja si në Katedralen e Madhe Ortodokse, si zbukurimet me kallinj gruri e plot punime të tjera… Po ashtu edhe në Katedralen e Korçës, në Berat, Shkodër, Lezhë e Durrës e në shumë objekte të tjera. Në këto objekte, ai realizoi punimet artistike nga më të ndryshmet e nga më të vështirat.

E veçanta e këtij njeriu me personalitet të madh si njeri e si artist, të cilin unë e kam njohur shumë mirë, ka qenë vullneti i hekurt në punë, ku ai nuk dinte të pushonte, po mendja dhe shpirti i tij rrrinin te veprat që realizonte, te çekiçi e mistria, profesion që e trashëgoi nga i ati dhe e pasuroi më tej.

Për Taqon flasin me konsideratë e me mirënjohje të gjithë shokët që e kanë njohur, inxhinierë e ndërtues. Një konsideratë të veçantë kanë gjithë klerikët e punonjësit e kishave në Tiranë e në çdo rreth ku ka punuar ai. Taqoja kishte një komunikim mjaft njerëzor që të impononte respekt. Duke punuar me Taqon në punët më të vështira, krijuam e mbajtëm një shoqëri të sinqertë mes nesh. Shokë si Taqoja gjen rrallë në jetë. Veprat e lëna nga duart e këtij kolosi janë monumente shekullore. Ato flasin dhe do flasin e jetojnë në shekuj, nuk do të kenë vdekje kurrë. Prandaj, gruaja e tij Natasha e dy vajzat duhet të jenë krenarë për të dashurin e zemrës së tyre, sepse ai nuk ka vdekur, ai do të rrojë bashkë me veprat e tij të pavdekshme.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.