Nëse na kanë zili...

Intervista - - TELEVIZION -

Në mes të shqetësimeve që ngre një format si “Fiks Fare”, dy velinat bukuroshe të programit janë oazi që çlodh mendjen dhe sytë. Të qeshura, të ëmbla dhe të afta të zgjojnë ndjesi, vajzat kanë gjithçka për t’ju mbajtur mbërthyer pas ekranit, njësoj si edhe në këtë intervistë të çiltër...

Mia Buci: - Përshëndetje Gea dhe Dorisa! Cili ishte personi i parë që përshëndetët sot?

Gea Braha: - Përshëndetje! Personi i parë që përshëndeta ishte një shoqe.

Dorisa Kaçorri: - unë.

- Me sa para dolët sot nga shtëpia?

Gea: - Mjaftueshëm, sa për të plotësuar kërkesat ditore.

Dorisa: - Me aq sa më nevojiteshin.

- Për çfarë ju ka kapur nepsi së fundi?

Gea: - Ka ca kohë që jam fiksuar pas luleshtrydheve. Kudo që i shoh, ndalem e i blej. (Qesh)

Dorisa: - Më ke prekur te pika e dobët. (Qesh) Mua më kap nepsi në tre të natës, më tiposet në mendje diçka dhe e dua patjetër. Kohëve të fundit e kam për akulloret...

- Gea, e ke menduar ndonjëherë të bëhesh bionde? Po ti Dorisa, brune?

Gea: - Asnjëherë, nuk më shkojnë. E kam provuar vetëm për shaka...

Dorisa: - (Qesh) E kemi provuar me disa paruke kur kemi “zëvendësuar” njëratjetrën, por mendoj se përshtatemi më shumë me këtë ngjyrë që kemi. (Buzëqesh)

- Si i keni marrëdhëniet me dy velinat e tjera të emisionit, me Brisin dhe Anisën?

Gea dhe Dorisa: - Marrëdhënie pune.

- Pse ju të dyja jeni fiks fare për emisionin “Fiks Fare”?

Gea: - Edhe në rrugë dëgjoj të më thonë: “Je fiks fare!”. ( Qesh) Besoj se kur e do shumë punën që bën dhe i përkushtohesh me pasion e seriozitet, i shijon edhe frytet. Çdokush arrin të bjerë në pah falë talentit, por ky i fundit duhet kultivuar me punë e vullnet.

Dorisa: - “Fiks Fare” ka zënë një pjesë shumë të mad- Edhe he të jetës sime. Qëkur kemi konkurruar, nuk e kemi konsideruar si një punë që duhet bërë, por si një pasion që e ndjekim hap pas hapi. Është një ëndërr, një mundësi që vjen vetëm një herë në jetë, prandaj duhet shijuar.

- Nëse kombinimi do të ishte dy brune ose dy bionde, çfarë do ta bënte dallimin mes jush?

Gea: - Së pari, kështu do të kishte mungesë kontrasti. (Qesh) Ama, edhe pse humb pak balanca, nëse vajzat janë të talentuara e i përshtaten emisionit, nuk do të përbënte problem.

Dorisa: - Një velinë nuk e bën vetëm ngjyra e flokëve, por shumë karakteristika të tjera.

- Si janë Gea dhe Dorisa në familje, të llastuara apo të përgjegjshme?

Gea: - Mundohem t’i përmbush të gjitha detyrimet e nevojat e familjes. Kam patur fatin të rritem në një familje që më ka dhuruar pa fund dashuri, kujdes dhe mbështetje në çdo hap të jetës, ndaj mund të anoj pak nga llastimi... (Qesh)

Dorisa: - Në familje jemi pesë vetë dhe unë jam më e vogla, ajo që llastohet e i plotësohen tekat, por të jesh e përkëdhelur nuk do të thotë të mos bësh punë shtëpie. Kur mami nuk është në shtëpi, bëj punët, gatuaj ose çfarëdo që mund të nevojitet, pavarësisht se akoma ulem në prehërin e mamit që të përkëdhelem, akoma mendoj që jam e vogël. (Buzëqesh)

- Si do të ishte një bisedë nënë e bijë?

Gea: - Mes meje e mamit ekziston një marrëdhënie e shkëlqyer dhe jam e lumtur për këtë. Ajo është këshilluesja e udhëzuesja më e mirë dhe di gjithçka për mua. Përpara çdo vendimi apo zgjedhjeje, konsultohem vetëm me të.

Dorisa: - Mami është personi më i shtrenjtë, më i dashur dhe pika ime e dobët. Ajo është gjithçka; jo vetëm një nënë e mrekullueshme, por edhe një shoqe e ngushtë, një motër shumë e dashur dhe një mike shumë besnike. Flas për gjithçka me të dhe është gjithmonë pranë meje. Është personi i vetëm që më kupton vetëm me sy se si ndihem dhe më shoqëron gjithmonë.

- Këshilla që të ka dhënë e që nuk e harron kurrë...

Dorisa: - Bëj gjithmonë atë që të bën të lumtur.

Gea: - Ka disa... Me rëndësi është që i kam vënë në zbatim gjithmonë.

- Nëse kërcimi do të fliste, çfarë do t’i thonit dhe çfarë do të donit të dëgjonit prej tij?

Gea: - Lidhja ime me kërcimin është e fortë, që në moshë të vogël. Më beso se çfarë kam patur për t’i thënë kërcimit, e kam bërë me gjuhën e trupit deri tani. (Qesh) Është një nga dashuritë e mia më të mëdha në jetë dhe do t’i thoja: “Ti ke lindur për mua”. Këtë mendoj se do më kthente përgjigje edhe ai. (Qesh)

Dorisa: - Gjuha e trupit flet edhe pa fjalë. Çdo lëvizje transmeton një fjalë, çdo kërcitje e këmbës ose e dorës, ose qoftë edhe mimikat e fytyrës gjatë kërcimit, flasin.

- Për çfarë jua tërheqin më shumë vëmendjen?

Gea: - Nuk ndodh shpesh, por... për shkak të ndonjë vonese të vogël në orar.

Dorisa: - (Qesh) Unë harroj porositë që më lënë në shtëpi. Duhet të m’i thuash një mijë herë që t’i bëj.

- Hera e fundit që jeni ndier të llastuara...

Gea: - Hëm... Më shumë se llastim do ta quaja vlerësim; kur më komplimentojnë dhe më mbështesin në lidhje me punën. Persona pa fund më lumturojnë nëpërmjet mesazheve dhe dedi- kimeve speciale në rrjetet sociale dhe jo vetëm. Më bëjnë të ndihem e përkëdhelur me dashamirësinë e tyre. Edhe me lulet... (Qesh)

Dorisa: - Edhe kur të tjerët nuk kanë nerva të më llastojnë, e kërkoj me ngulm derisa të më dalë e imja, kështu që llastohem çdo ditë.

- Në ç’mënyrë do të mblidhnit të ardhura për bamirësi?

Gea: - E mendoj shpesh këtë... Është për t’u admiruar çdokush që ndërmerr këto nisma dhe unë kam qenë e pranishme në disa prej tyre... Nuk ka ndjesi më të shenjtë se të kontribuosh në rikthimin e buzëqeshjeve të humbura. Ka shumë mënyra për ta bërë, e rëndësishme është të kesh dëshirën e mirë e të investosh nga koha jote për të ndihmuar personat që kanë nevojë.

Dorisa: - Të bësh bamirësi është ndjenja më e bukur dhe më humane! Unë kam pasion modën dhe shumë nga rrobat e mia i dizenjoj vetë, kështu që do të organizoja një ankand me veshjet e dizenjuara nga unë dhe paratë do t’i çoja për bamirësi. E kam menduar edhe më parë dhe shumë shpejt edhe mund ta realizoj.

- Për ju, cili është personazhi më human?

Gea: - Anxhelina Zholi, pasi pas gjithçkaje që ka arritur, mbetet Njeri. Në vendin tonë, vlerë- soj dhe mbështes iniciativën e mikut tim Arbër Hajdari, i cili nëpërmjet “Fundjavë Ndryshe”, ku kam qenë e pranishme disa herë, u ka ardhur në ndihmë shumë familjeve në nevojë.

Dorisa: - Anxhelina Zholi. Ajo ka birësuar fëmijë nga disa raca dhe jo çdo person mund ta bëjë një zgjedhje të tillë. - Si i ruani linjat? Gea: - Ushtrohem pothuajse çdo ditë me fitness, vrap në natyrë etj., por mbi të gjitha i kushtoj rëndësi dietës ushqimore pasi ajo është themelore. Duhet të jemi të kujdesshëm në atë çka konsumojmë dhe të heqim dorë nga ushqimet e dëmshme për shëndetin.

Dorisa: - Që të kesh një trup të rregullt duhet të privohesh nga shumë ushqime sepse 70% e trupit tonë varet nga ushqimet që ne konsumojmë dhe 30%, nga aktiviteti fizik. Rol të rëndësishëm luan edhe palestra. Frekuentimi çdo ditë i palestrës të ndihmon për linjat, por edhe për të hequr stresin e ditës dhe energjitë negative.

- Çfarë do t’u thonit atyre që ju kanë zili?

Gea: - Më vjen keq nëse dikush e ushqen këtë ndjenjë ndaj meje apo dikujt tjetër. Të gjithë duhet të kenë ambicie, por pa shkuar në sëmundje...

Dorisa: - Me shumë punë, përpjekje dhe vullnet arrihet gjithçka.

- Kujt do t’i thoni “Më mungon”?

Gea: - Askujt, të gjithë njerëzit që dua i kam pranë vetes.

Dorisa: - Personit më të dashur, nipit tim që jeton larg Shqipërisë. Ia ndiej shumë mungesën.

- Gea, dikur je shprehur se dashurinë e ke shumë të shenjtë dhe nuk e ndan me askënd. Do të luftoje me një femër tjetër për dashurinë e një mashkulli?

Gea: - Për mua, besnikëria dhe respekti në një marrëdhënie janë mbi gjithçka. Nëse situata do të degradonte deri në praninë e një femre tjetër, nuk do të luftoja më për këtë mashkull.

- Dorisa, thua se nuk do të bliheshe kurrë nga një mashkull me para. Nëse “ai” do të ishte shumë i varfër, si do ta shpëtoje marrëdhënien tënde?

Dorisa: - E ripërsëris se nuk do të blihesha sepse nuk jam pronë e askujt që të blihem ose të shitem. Prindërit e mi nuk kanë pasur asgjë dhe çdo gjë e kanë nisur nga fillimi. Duke luftuar për jetesën, janë bërë më të fortë dhe dashuria e tyre është shumë më e pastër dhe më e sinqertë. Mashkulli që do të kem në krah, do jetë i një shtrese të mesme dhe çdo gjë do ta ndërtojmë të dy. Kështu, marrëdhënia do jetë shumë e bukur dhe me shumë dashuri.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.