Filloreta Raçi (Fifi), këngëtarja e “Kus Kus” Do t’i keqtrajtoja meshkujt që s’dinë të na respektojnë

Intervista - - TELEVIZION -

Ajo ka ardhur në këtë fillim sezoni veror me një këngë sa të këndshme, po aq edhe të veçantë. “Kus kus” titullohet kënga dhe klipi plot ngjyra dhe veror, në bashkëpunim me Dj Eri Dee, ndërkohë që vetë këngëtarja është bërë e njohur për publikun me bashkëpunimin me Çiljetën “Big booty”, ku tregoi që një femër di të repojë po aq bukur pse jo edhe më bukur se një mashkull. Filloreta Raçi ose siç e thërrasin me përkëdheli, Fifi, e cila ka studiuar për Regji Teatri në Prishtinë, ka ardhur në muzikë me këmbë të mbarë. Urojmë të vazhdojë më të njëjtat ritme e të marrë suksesin e merituar!

Sadri Kuburi: - Nga teksti i këngës tënde, nuk e kuptojmë dot se pse e ke titulluar “Kus- kus”...

Filloreta Raçi ( Fifi): - “Kus kus” do të thotë “puç puç” dhe unë vendosa të ketë këtë titull sepse nuk është përdorur, është i ri si ledhatim dhe ka ndryshim nga titujt e zakonshëm. Doja diçka të thjeshtë për t’u mbajtur mend, por edhe të këndshme dhe të veçantë.

- Një herë Filloreta e pastaj Fifi... Përfundimisht, si vendose të të thërrasin në art?

- Kam vendosur të më thërrasin Fifi. Është më thjeshtë edhe më lehtë; më pëlqen edhe mua.

- Bashkëpunimi me Çiljetën të hapi rrugën në botën e muzikës apo kishe hyrë prej kohësh dhe ky ishte prezantimi i duhur?

- Bashkëpunimi me Çiljetën ishte projekti i duhur, në kohën e duhur, me bashkëpunëtorët e duhur dhe realisht, rezultoi një sukses.

- Ti je ndër të paktat femra që bën rep... Mendon se do të vijë një ditë kur do të duhet apo do të duash të ndryshosh stil?

- Do të vazhdoj ta bëj këtë gjë, që është e bukur dhe e pëlqejmë si unë, ashtu edhe publiku, derisa menaxheri im ta shikojë të nevojshme që të bëhet, domethënë, derisa publiku t’ia kërkojë.

- Pse zgjodhe Eri Dee- në për “Kus kus?

- Në fakt, ishte Eri Dee- ja që më zgjodhi mua dhe arritëm të bëjmë diç- ka të bukur për veten dhe për publikun. Uroj ta pëlqeni “Kus Kus”. ( Buzëqesh)

- Me cilat tipare të vetes, do të dashuroheshe me veten?

- Pyetje e bukur, më pëlqen. Do dashurohesha me energjinë, sytë dhe buzëqeshjen.

- Çfarë do të bësh në 1 qershor?

- Të them të vërtetën, akoma s’e di. ( Buzëqesh) Të gjithë jemi nga pak fëmijë, kështu që pse jo, ta kalojmë bukur ditën e mirësisë dhe të pafajësisë së fëmijëve.

- A je e lumtur në këtë moment?

- Jashtëzakonisht e lumtur.

- Me çfarë e ke plot shpirtin?

- Shpirtin e kam plot me energji pozitive, sepse kështu jam krijuar dhe kështu do të jem gjithmonë. Energjia pozitive është diçka që pak e kanë ose, mund ta kenë të gjithë, por pak e shfrytëzojnë.

- Bosh, nuk besoj, apo jo?

- Bosh nuk e kam fare, e kam plot me mirësi.

- Kush është ai që nuk ka humbur asnjë nga këngët apo performancat e tua? - Motra e dytë. - Po gjëja të cilën e vuan më shumë në jetë?

- Momentalisht, vuaj largësinë që kam me familjen.

- Me kë nuk i ke të mira marrëdhëniet në këtë moment që po flasim?

- Me të gjithë në rregull i kam.

- Deri ku shkon ambicia jote në muzikë?

- Oh, larg, shumë, shumë la rggg ! (Buzëqesh)

- Në ç’vend kthehesh e rikthehesh?

- Te familja, kthehem, rikthehem e do rikthehem gjithmonë.

- Personi që merr me tepër në telefon gjatë ditës?

- Personi që më merr në telefon gjithë kohës, është mami.

- Sa herë dhe për çfarë i lutesh Zotit?

- Zotit i lutem gjithmonë dhe për gjithçka.

- Nëse do t’i bëje Zotit vetëm një pyetje, cila do të ishte?

- Zotit i bëj shumë pyetje, çdo ditë.

- Nervozohesh shpesh, mban inat?

- Nervozohem dhe kërkoj falje direkt, nëse jam gabim.

- Nëse do të ishe një superheroinë, cilat do të ishin superfuqitë e tua?

- Do isha Kupidi, engjëlli i dashurisë. Nuk është tamam një superhero, por bën mirë dhe dhuron dashuri...

- Gjëja më e shëmtuar që ke prekur ndonjëherë?

- S’kam prekur ndonjëherë gjë të shëmtuar.

- Nga të gjitha vendet që ekzistojnë në botë, ku do të doje të shkoje?

- Do të doja të shkoja në Karaibe.

- Nëse do të kishe 1 milion euro, çfarë do të blije?

- Kur t’i kem, të tregoj çfarë do të blej. ( Qesh)

- Si është bota e një femre që bën rep? - Shumë shumë e paqtë. - Budallallëku më i madh që ke bërë ndonjëherë?

- Budallallëqe bëj çdo ditë, kështu që s’do të dija cilin të veçoja. ( Qesh)

- Po gjëja më e zgjuar që ke bërë?

- Përsëri kam bërë shumë, shumë të tilla dhe tani nuk di ndonjë që mund ta tregoj. - Je supersticioze? - Pak! (Buzëqesh) - Cila është femra më seksi në shoubizin shqiptar? - Anxhela Martini. - Po mashkulli? - Ka shumë të tillë. - Cili është armiku yt më i mirë?

- Unë s’dua të kem armiq.

- Kërcen dhe këndon si e çmendur atëherë kur nuk të shikon askush?

- Unë këndoj dhe kërcej si e çmendur çdo herë.

- Cila është kënga jote e preferuar?

- S’kam këngë të preferuar, kam muzikë të preferuar dhe muzika ime e preferuar nuk njeh zhanër.

- Nëse do të ishe mashkull për një ditë, çfarë do të bëje?

- Do t’i kisha respektuar femrat dhe do t’i kisha trajtuar siç duhen trajtuar. Do t’i kisha dashur shumë dhe do t’i keqtrajtoja meshkujt që s’dinë si t’i bëjnë të ndihen mirë.

- Disa vargje spontane për gazetën tonë, si mbyllje...

- Do ta thurja një poezi tani tani, por jam duke punuar për tekstin e këngës së re, kështu që po i ruaj fjalët për këngën. Kur të dalë kënga, dëgjoni vargjet. (Buzëqesh)

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.