Ç’thonë studimet e fundit për diabetin?

Të rejat e fundit nga Harvardi

Intervista - - SHENDET -

Doktoreshë Detina Zalli ka studiuar Mjekësi Molekulare në Universitetin e Suseksit, më pas vazhdoi doktoraturën në Universitetin e Leiçesterit. Në vitin 2012, ajo u zhvendos në universitetin e Harvardit, në të cilin punon aktualisht si kërkuese shkencore dhe profesoreshë.

Adrian Rakipi: - Doktoreshë, diabeti mbetet një nga fushat e kërkimit në mjekësi. A mund të na njihni me disa nga arritjet e fundit të këtyre kërkimeve?

Detina Zalli: - Diabeti është një çrregullim i organizmit që shkakton një etje të madhe dhe prodhimin në sasi të mëdha të urinës. Më saktësisht, diabeti është një problem i organizmit, që shkakton rritjen më shumë se normalja të nivelit të glukozës (sheqerit) në gjak. Kjo quhet hiperglicemi. Diabeti i tipit 2 është forma më e zakonshme e diabetit. Nëse keni diabet të tipit 2, organizmi juaj nuk e përdor insulinën siç duhet. Kjo quhet rezistencë insulinike. Në fillim, pankreasi prodhon insulinë shtesë që të kompensojë këtë gjendje. Pavarësisht kësaj, me kalimin e kohës, ai nuk është në gjendje të vazhdojë të prodhojë mjaftueshëm insulinë që të ruajë nivelin normal të glukozës në gjak. Ndërkohë, diabeti i tipit 1 është një sëmundje autoimunitare që prek më shumë fëmijët dhe të rinjtë. Në këtë trast, trupi shkatërron qelizat beta në pankreas që prodhojnë insulinën dhe për pasojë, këta njerëz kanë vazhdimisht nevojë për injeksione insuline.

- A ka shifra të sakta të kësaj sëmundjeje në nivel botëror?

- Deri tani mendohet se bëhet fjalë për një shifër prej 380 milionë njerëzish të prekur nga diabeti. Gjithashtu, Organizata Botërore e Shëndetësisë paralajmëron se deri në vitin 2030, numri i personave me diabet do të dyfishohet. Gjithsesi, kohët e fundit, të gjitha llojet e diabetit janë duke pësuar rritje. Diabeti i tipit 1, që zë rreth 10% të rasteve me diabet është duke u rritur. Rritje të dukshme po pëson edhe diabeti i tipit 2, i cili zë rreth 85% të rasteve me diabet.

- Cilat janë simptomat e diabetit, ndaj të cilave duhet të jemi të kujdesshëm dhe që mund të na shërbejnë si sinjale alarmi?

- Në fakt, jo gjithmonë mund të kemi shenja të qarta dhe të dukshme që na paralajmërojnë për diabetin, por gjithsesi, shenjat klasike të shfaqjes së tij janë: Etja e vazhdueshme, pirje uji me shumicë, urinim i shpeshtë, rënie në peshë që s’ka shkaqe të tjera. Këto shenja hasen sidomos në tipin e parë të diabetit, DM1, që prek kryesisht fëmijët dhe të rinjtë. Tipi i dytë i diabetit, DM2, që ndodh më shumë në moshat mbi 35 vjeç, fillon me simptoma të përgjithshme, si: Debulesë, çrregullime të pamjes, përgjumje, dhimbje koke, irritim dhe nervozizëm. Në stade më të përparuara të kësaj sëmundjeje fillojnë të manifestohen shenjat tipike si edhe te diabeti i tipit të parë. Ndryshimi është që te DM2 koha që nga fillimi i sëmundjes e deri në rëndim të shenjave klinike dhe më vonë, deri në vendosjen e diagnozës, është shumë më e gjatë sesa te DM1 dhe kjo është formë më e zbutur e diabetit.

- Shpesh kemi dëgjuar edhe për një term disi të veçantë: Paradiabet. A mund të na shpjegoni ç’do të thotë ai, pasi shumica e pacientëve që janë të prekur nga paradiabeti, nuk e dinë ekzaktësisht se ç‘ është?

- Pjesa më e madhe e pacientëve me diabet të tipit të dytë, si fillim, kanë paradiabet. Niveli i glukozës në gjakun e tyre është më i lartë se normalja, ama, jo aq i lartë mjaftueshëm sa të konsiderohet si diabet i mirëfilltë. Kjo është faza kur qelizat në trup fillojnë të bëhen rezistente ndaj insulinës. Studimet kanë nxjerrë në pah që edhe në fazën e paradiabetit, organizmi fillon të ketë dëmtime në sistemin e qarkullimit të gjakut dhe në zemër.

- Cilat janë të rejat e fundit të studimeve në lidhje me diabetin?

- Një studim i ri nga universiteti i Njukastëllit ka treguar se njerëzit që bien në peshë duke mbajtur dietë, mund të “kthejnë mbrapsht” ( evitojnë) diabetin dhe të mbeten të “çliruar” prej tij. Madje, përveç kësaj, studiuesit zbuluan se edhe pacientët, të cilët kanë diabet të tipit 2 për më shumë se 10 vite, mund të kthejnë mbrapsht gjendjen e tyre duke rënë në peshë. Në momentin që pesha humbet dhe prodhimi i insulinës fillon normalisht, pacientët u çliruan nga diabeti dhe iu lejua të rifillonin dietë të shëndetshme, normale.

Megjithatë, është e rëndësishme të konsultoheni me doktorin tuaj përpara se të filloni një dietë të rreptë, për shkak të mungesave në vitamina dhe minerale që dalin në skenë si rezultat i humbjes së shpejtë në peshë falë aplikimit të këtyre dietave.

I gjithë ky studim revolucionar bazohet në logjikën që diabeti i tipit 2 e prek organizmin në mënyra të ndryshme. Çdo qelizë në organizëm kërkon glukozë në mënyrë që të funksionojë. Glukoza transportohet nga gjaku në qelizat tuaja përmes insulinës, një hormon që prodhohet nga pankreasi. Yndyrnat ia vështirësojnë insulinës transportin e glukozës në qeliza, gjë që njihet si rezistencë insulinike, faza e parë e diabetit të tipit të 2-të. Yndyrnat e tepërta janë një faktor madhor rreziku për diabetin e tipit të 2-të. Pavarësisht se pjesëmarrësit në studim mbetën mbipeshë, ata kishin humbur mjaftueshëm peshë që të hiqnin dhjamrat që rrethonin pankreasin, gjë që në fund të fundit lejon rifillimin e prodhimit normal të insulinës.

Pacientët që ndodhen në fazat e para të diabetit të tipit 2, do ta kenë më të lehtë të kthejnë sasinë dhe nivelin e glukozës në normalitet. Megjithatë, ata të cilët janë në gjendje ta trajtojnë diabetin e tyre me humbje peshe, do të duhet ta ruajnë këtë mënyrë jetese për gjithë jetën. Dieta dhe kontrolli i peshës duhet të mbahen në të njëjtin nivel strikt, ose përndryshe, diabeti mund të rikthehet, madje edhe të përkeqësohet.

“Përfundimi është se një person çlirohet nga diabeti i tipit të 2-të nëse bie në peshë, e ruan atë dhe kthehet në normalitet”, tha njëri nga studiuesit. Ky është një lajm shumë i mirë për njerëzit që janë shumë të motivuar për të hequr qafe diabetin, por është shumë herët që të konsiderohet i përshtatshëm për të gjithë. Kjo është një pyetje e veçantë dhe, për t’iu përgjigjur, do të ndërmerret një studim tjetër.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.