Cilat janë arsyet më të shpeshta të divorceve?

Intervista - - INTIMITET -

1. “Seksi nis të bëhet i parëndësishëm” (këshilltar i shëndetit seksual)

Sipas doktorit Tami Nelson, këshilltar i shëndetit seksual, kur dy partnerët i shmangen në shtrat njëri- tjetrit, ose e ndërpresin seksin fare, kjo shpesh çon në tradhti dhe/ ose në divorc. “Nëse jeta seksuale e bashkëshortëve nuk është e shëndetshme, divorci është një mundësi reale”, thotë specialisti dhe shton: “Seksi përbën barometrin e marrëdhënies së dy bashkëshortëve. Lidhja e tyre seksuale është një tregues shumë i rëndësishëm i qëndrueshmërisë dhe i harmonisë në lidhje”. Siç shkruan Nelsoni, ka plot çifte sot që nuk bëjnë seks, por vazhdojnë të jetojnë bashkë. Megjithatë, pa kontaktin erotik, shoqëria e mirë dhe bashkëpunimi do të çojnë në mënyrë të paevitueshme te një bashkëjetesë e thjeshtë, ndërkohë që, “me siguri, mund të gjeni një njeri më të mirë me të cilin mund të bashkëjetoni”.

2. “Çifti krijon një familjaritet të tepruar” (një burrë i divorcuar)

“Mendoj se shumë martesa ndahen për shkak të familjaritetit të tepruar. Të paktën martesa ime për këtë arsye mori fund”, shkruan Serzh Bielanko, një shkrimtar i divorcuar. Siç shkruan ai, të gjithë e dinë se çiftet e martuara bëhen dembelë me kalimin e kohës. “Ajo që nuk e dinë shumë vetë është se familjariteti dhe rehatia, shpesh bëhen mjaft të papëlqyeshme. Magjia shndërrohet në rutinë”, shkruan ai. Ai i këshillon çiftet e martuara “t’i kenë më shumë parasysh partnerët”, sepse martesa kërkon shumë punë. Njerëzit nuk duhet ta lënë pas dore as veten, as partnerin/ en, me kalimin e kohës.

3. “Ndërhyjnë prindërit” (këshilltare martese)

Martesa është një lidhje që bashkon dy, ose më shumë njerëz. Kur dy pjesëtarët e çiftit nuk përcaktojnë kufijtë se deri ku mund të ndërhyjnë të tjerët në jetën e tyre, këto ndërhyrje bëhen pjesë e rutinës. Siç shkruan Lori Brokuei, këshilltare martese, “disa çifte janë shumë të ndjeshme ndaj ndërhyrjeve turbulluese, sidomos kur njëri nga bashkëshortët është rritur në një familje me lidhje shumë të forta”. Çifti duhet të mbrojë jetën e vet private dhe të vërë si prioritet lidhjen dhe zhvillimin e saj.

4. “Nuk i lënë kohë dhe hapësirë njëri-tjetrit” (grua e divorcuar)

“Nëse do që lidhja të zgjasë, ke nevojë për pak kohë edhe për veten tënde”, shkruan Iris Krasnovi, shkrimtare e divorcuar pas 27 vjetësh martesë. Autonomia është shumë e rëndësishme dhe koha e kaluar veçmas, e domosdoshme për një martesë të shëndetshme. Shkrimtarja e librit “Jeta sekrete e bashkëshortëve”, këshillon që të dy pjesëtarët e çiftit të bëjnë edhe pushime veçmas nganjëherë. “Mungesa, thotë ajo, shton dëshirën e njërit për tjetrin”. Kjo gjë kërkon besim të ndërsjellë, gjë që eviton presionet dhe xhelozirat në mes të çiftit. “Partnerët që evoluojnë si persona të veçantë gjatë kohës së martesës, janë ata që kanë më shumë mundësi të plaken së bashku në harmoni”.

5. “Bëhen antagonistë” (fëmijë i një çifti të divorcuar)

Xhaiza Kinones, studente dhe fëmijë e një çifti të divorcuar, shkruan për eksperiencën e ndarjes së prindërve të saj: “Nëse kam mësuar gjë nga prindërit është se nuk ekziston

Të reja

dhe as që mund të ekzistojë një libër me rregulla si mund të rritësh një fëmijë. Gjithashtu, edhe që prindërit nuk janë dhe nuk duhet të jenë antagonistë”. Vajza e re thotë se prindërit e saj e kishin zakon të “luanin lojën” se “cilin do më shumë?”. Xhaiza rrëfen se shpesh e kishte të vështirë t’i drejtohej të atit për ta mbrojtur, sepse kishte frikë mos fyhej e ëma. Nga ana tjetër, kur varej nga mamaja që të vendoste për një çështje të rëndësishme, babai thoshte fjalë të tipit “Jam unë burri i shtëpisë”, duke u përpjekur ta merrte ai situatën në dorë. “Ishin që të dy shumë të mirë në fusha të ndryshme. Edhe sot do të doja ta kishin kuptuar këtë para divorcit”, shkruan studentja e re.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.