Mos bëni më “like” në Facebook para se të lexoni këtë shkrim

Intervista - - ENCIKLOPEDI -

Facebook-u ka ndryshuar mënyrën se si njerëzit veprojnë në internet. Për shembull, ju mund të keni tendencë të klikoni “pëlqej” (like) për çdo gjë që postojnë miqtë tuaj në Facebook, megjithëse nuk e keni parë postimin nga fillimi në fund. Mashtruesit po përfitojnë nga ky refleks për të krijuar të ashtuquajturën “Fermë e pëlqimeve”.

Çfarë është “Ferma e pëlqimeve”?

Mashtruesit postojnë në Facebook histori që tërheqin vëmendjen e të tjerëve, me qëllim për të marrë sa më shumë “pëlqej” dhe “shpërndaj” (share). Bazuar në mënyrën se si funksionon Facebook-u, sa më shumë “pëlqej” dhe “shpërndaj” ka një postim, aq më shumë gjasa ka ai të shfaqet në faqen e njoftimeve (News Feed). Kjo i jep mashtruesit më shumë shikime për postime që mashtrojnë njerëzit, ose i ndihmon t’u dërgojë atyre shkarkime ( downloads) të dëmshme. Pyetja këtu sigurisht është se pse Facebook-u nuk i ndalon këto postime para se ato të bëhen shumë të mëdha?

Mashtruesit kanë gjetur një mënyrë të thjeshtë për të vepruar nën rrezen e radarit gjatë fazave të para të operacionit të tyre. Historia që ata vënë në fillim në Facebook nuk ka asgjë të rrezikshme, është thjesht një histori e rregullt si ato që vënë të gjithë. Vetëm pasi postimi merr një numër të caktuar “pëlqej” dhe “shpërndaj”, mashtruesi e publikon dhe shton diçka të keqe. Këtu ata mund të fillojnë promovimin e produkteve, ose shitjen e informacionit të faqes, në mënyrë që të marrin të dhënat e ndonjë karte krediti. Në fakt, nëse do t’i riktheheshit historisë së postimeve që keni pëlqyer, mund të gjeni se disa prej tyre kanë ndryshuar deri në atë masë, sa ju nuk do t’u kishit bërë kurrë “pëlqej”.

Cilat janë llojet e historive me të cilat fillojnë mashtruesit, për t’i shtyrë njerëzit të bëjnë “pëlqej” dhe “shpërndaj”? Shumë popullore janë historitë emocionale. Pa dyshim, ju keni parë postime që tregojnë se si shpëtohen kafshët dhe që ju kanë kërkuar të thoni “pëlqej” nëse mendoni se ato janë të bukura. Ose ndonjë histori sëmundjeje, kur ju kërkohet t’i bëni “pëlqej” personit që është shëruar. Ka edhe postime që kërkojnë pëlqime për të treguar se jeni kundër diçkaje që bën qeveria, ose nuk jeni dakord me diçka të tmerrshme që ndodh nëpër botë. Ose janë edhe ato që thonë “nëse unë marr X pëlqime, atëherë diçka e mrekullueshme do të më ndodhë”, ose “Më kanë sfiduar se do të merrja kaq e aq pëlqime”. Në thelb, çdo postim që ju kërkon ta pëlqeni për arsye emocionale (përveçse nëse ju e njihni personin që ka bërë postimin origjinal), ka gjasa të jetë në postim mashtrues.

Llojet e tjera të mashtrimeve

Sigurisht, postimet emocionale nuk janë të vetmet që duhet të keni kujdes. Ka lloje të ndryshme mashtrimesh në Facebook dhe shumica e tyre mund të përdoren për “fermën e pëlqimeve”. Një postim i njohur, për shembull, është ai që ju kërkon të bëni “pëlqej” dhe “shpërndaj”, në mënyrë që të fitoni diçka të bukur. Këto dalin si kërpudha pas shiut kur Apple lançon një iPhone ose iPad të ri. Para disa kohësh, policia australiane paralajmëroi përdoruesit e Facebook-ut për një fermë pëlqimesh që po përpiqej të mashtronte disa klientë të shoqërisë ajrore Qantas Airlines. Po ato postimet që ngacmojnë trurin, si ato që ju shtyjnë të bëni “pëlqej” apo “shpërndaj” nëse arrini t’i lexoni fjalët mbrapsht ose zgjidhni një problem matematikor? Edhe ato shpesh janë ferma pëlqimesh. Nuk janë vetëm postimet, mund të jenë edhe faqe. Një mashtrues mund të nxjerrë një faqe “Më pëlqejnë këlyshët e qenve”. Ai vë aty mjaft gjëra për të marrë plot like dhe pastaj e ndryshon përmbajtjen e saj duke vënë mashtrime dhe spam. Pasi e keni pëlqyer faqen, çdo gjë e re që vënë mashtruesit shkon në murin tuaj dhe, në disa raste, edhe në atë të miqve tuaj.

Si ta evitoni fermën e pëlqimeve?

Këtë mund ta bëni duke gjykuar mirë se çfarë bëni “pëlqej” dhe “shpërndaj” në Facebook. Mos jepni pëlqime gjithandej. Shihni një herë nga vijnë postimet, nëse vijnë prej dikujt që nuk e njihni, që mund të jetë shoku i një shoku, ose krejtësisht i huaj. Është mirë ta zbuloni nëse keni pak kohë dhe, nëse jo, më mirë evitojini pëlqimet. Vini re edhe përmbajtjen dhe nëse në postim bëhen premtime po të bëni “pëlqej” dhe “shpërndaj”. Nëse bëhen, kjo tregon që mund të jetë mashtrim. E njëjta gjë vlen nëse ju nxisin apo bëjnë presion për të bërë “pëlqej” dhe “shpërndaj”. Në fund, mos harroni se minimizimi i pëlqimeve është një masë e mirë sigurie. Kjo gjithashtu redukton rrëmujën në murin e miqve dhe rrëmujën e tyre te muri juaj, kështu që ju mund të kaloni më shumë kohë duke parë postimet që ia vlejnë vërtet. Kështu, dilni të fituar të dyja palët.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.