Te cilat ushqime e gjejmë kolagjenin?

Intervista - - PYETJE PËRGJIGJE PËR GJITHÇKA -

- E nderuar lexuese, kolagjeni është një përbërës i lëkurës sonë, gjendet në shtresën e dytë që quhet derma. Këto qeliza janë të lidhura me njëra-tjetrën përreth dermës. Organizmi ynë e prodhon vetë kolagjenin dhe kur jemi të rinj, kemi prodhim të bollshëm për lëkurën dhe trupin. Prandaj fëmijët apo të rinjtë kanë lëkurë të bukur, pa rrudha dhe me shkëlqim. Me kalimin e viteve, prodhimi i kolagjenit bie, duke bërë kështu që lëkura ta humbasë freskinë e saj. Por kolagjeni nuk është i dobishëm vetëm për lëkurën, por edhe për organizmin tonë në përgjithësi. Shumë persona marrin kremra super të shtrenjtë ose bëjnë injeksione të kushtueshme dhe me metoda jo natyrale vetëm e vetëm që të marrin kolagjenin. Në fakt, pak raste kanë patur rezultate pozitive. Kolagjeni mund të merret shumë mirë në mënyrë natyrale nëpërmjet ushqimit, masazhit apo vajrave bimore. Nëse ju ndiqni një regjim ushqimor të shëndetshëm, përdorni më shumë kremra bimore dhe i bëni masazh lëkurës, nuk do të keni nevojë për injeksione apo kremra super të shtrenjtë për të ruajtur freskinë e saj. Po rendisim më poshtë ushqimet ku mund ta merrni kolagjenin në mënyrë natyrale dhe të shëndetshme.

- Soja, qumështi dhe djathi i sojës: Këto përmbajnë një element që quhet ‘’genistein’’. Prania e këtij elementi u jep përmbajtjen e kolagjenit për të cilën ne kemi nevojë. Ky element bllokon enzimat që kanë tendencën të shkatërrohen dhe që bëhen shkak për plakjen e lëkurës.

- Perimet dhe frutat me ngjyrë të errët: Konsumoni spinaq dhe kale (lloj lakre jeshile) çdo ditë. Ato janë të pajisura me luteinë, një antioksidant i shkëlqyer. Ne kemi nevojë për 10 mg në ditë për të pasur rezultatet që duam. Në studimet e fundit në Evropë është vërtetuar se këto produkte rrisin elasticitetin dhe hidratimin e lëkurës, si edhe luftojnë rrudhat. Konsumimi i rregullt i spinaqit, kales, shpargujve (asparagus), të gjitha të pasura me Vitaminë C, forcojnë trupin dhe aftësinë e tij për të prodhuar kolagjen e për ta përthithur këtë proteinë në mënyrë sa më efektive.

- Familja e fasuleve: Fasulet ndihmojnë për të prodhuar një substancë antimoshë që quhet ndryshe acidi hialuronik’. Shtoni të paktën 2 lugë gjelle në ditë për çdo ditë në tavolinën tuaj.

- Frutat dhe perimet e kuqe: Domatet, specat e kuq, piperi i kuq, panxhari i kuq, shega, karotat dhe patatet e kuqe, duhet të jenë pjesë e tavolinës çdo ditë. Kërkimet dhe studimet vërtetojnë se antioksidantët që gjenden në perimet e në frutat e verdha, të kuqe dhe jeshile, sigurojnë edhe mbrojtje UV në shtresat e lëkurës.

- Acidet OMEGA. Acidet yndyore Omega-3, Omega-6, Omega-9, krijojnë një ambient perfekt për rritjen e kolagjenit në lëkurën tonë. Këto i gjeni te peshku, sidomos te toni dhe salmoni që janë të këshillueshëm 1 ose 2 herë në javë, te farat e linit dhe vaji i tyre, për t’u përdorur çdo ditë. Kini parasysh që lini është më i pasuri me Omega-3 dhe më i shëndetshmi (më i pasur se peshku ton dhe salmoni). Qelizat e lëkurës janë të mbështjella me një shtresë yndyrore natyrale Omega-3 të cilën e përmban bima e linit. Sa më shumë t’i konsumojmë ato, aq më shumë forcohet kjo shtresë e qelizave tona. Sa më shumë të forcohet kjo shtresë, aq më e shëndetshme dhe e re do të jetë lëkura jonë. Përdoreni esëll në mëngjes dhe mos e lini pa përdorur asnjë ditë të vetme. Mund të merrni vaj lini që e gjeni vetëm te dyqanet me bimë mjekësore dhe ta pini në mëngjes esëll ose ta shoqëroni me një sallatë perimesh. Do të shikoni menjëherë ndryshime në lëkurë dhe në flokë.

- Të gjitha ushqimet e pasura me Vitaminë C dhe A. Këto vitamina e mbajnë të lartë nivelin e kolagjenit. Vitamina A bashkëvepron shumë mirë me sulfurin. Konsumoni ullinj me ngjyrë të errët, selino, kastraveca të freskët, patate të pjekura (jo të skuqura), si edhe karota.

- Çokollata (origjinale, e papërpunuar, e papërzier). Studimet e kryera vërtetuan se çokollata 100 % natyrale është shumë e mirë për lëkurën pasi përmban sasi të lartë antioksidantësh.

- Së fundmi, do t’ju konsumoni avokadot. Përveç konsumimit të vazhdueshëm, një mënyrë shumë e mirë e nxitjes së kolagjenit, është edhe aplikimi i maskave me avokado. Avokadot janë të pasura me steroide të cilat ndihmojnë në pakësimin e skuqjeve dhe të shenjave të moshës. Këto ndihmojnë në rinimin dhe rigjallërimin e lëkurës, si edhe në përmirësimin e lëkurës së dëmtuar nga radikalet e lira. Është e vërtetuar shkencërisht se avokadot nxisin rritjen e kolagjenit dhe rrisin proporcionin e kolagjenit në dermë. Një mënyrë tjetër për të nxitur prodhimin e kolagjenit është masazhi me vajra bimorë, sidomos vaj kokosi ose vaj i farave të rrushit. Bëjini 5 minuta masazh çdo ditë fytyrës me to dhe do të shikoni rezultate të mrekullueshme.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.