E mësova të vërtetën e dhimbshme pas vdekjes së tim shoqi

Intervista - - FAQE 1 -

E nderuar redaksi! Jam një grua në moshën dyzet e nëntë vjeçare. Lexoj rubrikën tuaj të historive dhe herë mërzitem më shumë e herë ngushëllohem kur lexoj histori edhe më të rënda se e imja. Nuk është se më bëhet qejfi që ka njerëz që vuajnë më shumë, më kuptoni, por them ngushëllohem sepse mendoj se paska njerëz që kanë kaluar vështirësi e dhimbje më të mëdha se imja e unë duhet ta përballoj. Por, vjen një moment kur dhimbja vërshon si lumë në deje, sikur nuk më qarkullon gjak, por veç dhimbje. Një pjesë e dhimbjes më shkaktohet sepse nuk kam për ta mësuar asnjëherë të vërtetën për bashkëshortin tim të ndjerë.

Unë jetoj në një qytet jo shumë të madh në zemër të Shqipërisë. Këtu kam lindur e jam rritur. Këtu mbarova shkollën e mesme e më pas prindërit më çuan në universitet. Pasi mbarova universitetin, u ktheva në qytetin tim. Megjithëse kam qenë vajzë e bukur dhe çapkëne, gjatë kohës që isha në universitet nuk u lidha me asnjë nga djemtë që më propozonin. Jo se kisha paragjykime, por s’më ngjiti me asnjërin, ose s’kishin qenë fati im. Sapo u ktheva në qytetin tim fillova punë, sepse babai im kishte shumë miq. Nëna ime punonte mësuese dhe ndihej krenare që kisha dalë me nota të mira edhe në universitet.

- Kjo do të thotë që notat që ke marrë këtu nuk i ke prej meje, por se ke mësuar vetë, - thoshte mamaja ime. Edhe im atë krenohej për bijën e tij.

E kështu edhe viti i parë i punës kaloi jo me shumë sforco. Në zyrë kisha dy gra të mira që më ndihmuan të vija në zbatim ato çka kisha mësuar në shkollë. Isha bërë njëzet e katër vjeçe e s’po vendosja që të martohesha. Ime më kishte filluar të shqetësohej.

- Mos të është rritur mendja ngaqë të lavdërojmë, ndaj i shan të gjithë kandidatët moj bijë? - më thosh ime më. Unë i thoja se jo dhe e përqafoja. - Po, po, kështu e mbyll ti me një përqafim, po duhet të përqafosh burrin tënd e jo mua, - ishte përgjigjja shabllon e mamasë.

Por burri s’do vononte të vinte. U takuam me G.-në për herë të parë në ditëlindjen e koleges së zyrës. Kishim dalë për kafe pranë zyrave dhe kolegia e takua në rrugë dhe e ftoi të vinte me ne.

- Është djali i xhaxhait tim, mos u bezdisni, po kam dy vite pa e parë. E kanë çuar me punë në majë të malit, si i thonë atij vendit? - iu drejtua ajo kushëririt sapo u ulëm.

- Minierë mes malesh është, ç’të duhet emri, - i tha ai. - Tani më emëruan këtu. Më në fund, erdha në shtëpi.

- Uuuuaaaa, po ne paskemi dy gëzime në një ditë, - tha kolegia tjetër. Ne ndenjëm në kafe rreth dyzet minuta dhe u bëmë gati të iknim se e kishim mbyllur zyrën fare dhe përveç kësaj, në ato vite, femrat s’uleshin në kafe si sot.

Ndërsa po ndaheshim, ai e përqafoi kushërirën e tij, takoi kolegen tjetër dhe kur më dha dorën mua, nuk tha mirupafshim, por: “Ndoshta bëhen tri gëzime në një ditë”. Ula sytë, tërhoqa dorën dhe iu bashkova kolegeve të mia. Isha si e trullosur në zyrë, po u thashë që po më dhimbte pak koka.

- Ndoshta u ftoha jashtë, - u thashë. Atmosfera festive në zyrë vazhdoi gjatë atë ditë se erdhën shoqet nga zyrat e tjera për urime, siç i kemi gjithmonë ne. Ajo rrëmuja mua më ndihmoi shumë që mos të bija në sy që nuk e kisha mendjen në asgjë. Erdhi ora tre për të ikur dhe u nisa për në shtëpi. Qysh nga larg e dallova kushëririn e koleges që po priste në një cep. Mendova mos priste kushërirën, por në fakt, shpresova që të më priste mua. Dhe ëndrra ime u bë realitet. Ai më erdhi nga pas dhe pasi isha larguar nga puna e isha futur nëpër lagje, më thirri. U ktheva dhe ai ma bëri me dorë. E prita gjithë ankth.

- Të lutem, mund të flasim pak? Sinqerisht, më mbete në mendje qysh në lokal, por...

- Më duhet të iki në shtëpi, s’dua të më shohë njeri të flas me njerëz që nuk i njoh. Kalofsh mirë, - i thashë dhe ika. Ai nuk tentoi të më ndalonte më, por kishte shkuar në shtëpinë e kushërirës. Kishte pyetur kolegen time gjerë e gjatë dhe i kishte kërkuar që të më thoshte se donte të takohej me mua. Të nesërmen, sapo pashë kolegen time, e kuptova që ai kishte folur me të.

- Hajde këtu bukuroshe e vogël, - më tha ajo dhe më tërhoqi te tavolina e saj. - Të betohem që është djalë shumë i mirë, jo pse është kushëriri im. Ai më tha që të pyesësh edhe prindërit, të pyesin edhe ata për familjen dhe pastaj takoje. Jeni të dy në moshën më të mirë për të krijuar familje, me beso, nuk do të të dalë keq.

- Ta mendoj, - i thashë, ndërsa fytyra m’u duk sikur më mori flakë. Sapo arrita në shtëpi, i thashë sime mëje dhe ajo menjëherë, shumë entuziaste, tha që i njihte prindërit e tij.

- Janë familje e shkëlqyer! Unë djalin s’e njoh, as nuk mbaj mend ta kem patur nxënës, edhe pse ata në lagjen tonë banojnë, po ja, të pyesim edhe babain.

Edhe babai tha të njëjtat përshtypje për ta dhe njëzëri më thanë që ta takoja dhe të gjykoja vetë. Kështu, unë u takova me G.-në jo vetëm një herë. Pas tre muajsh, prindërit e tij erdhën e më kërkuan dorën dhe ne u fejuam. Kur erdhi vera, ne u martuam. Ai ishte djalë i vetëm e shtëpia e tij kishte nevojë të mbushej, ndërsa unë isha fëmija i madh e kisha edhe tre të tjerë pas vetes, ndaj ishte e nevojshme të “liroja” vendin. Isha e lumtur në krah të G.-së, dilnim gjithmonë bashkë. Kam patur edhe vjehrrën grua zonjë. Sa herë im shoq më thoshte që të dilnim, ajo më nxiste:

- Hajde, çohu! Enët lahen edhe pas xhiros, çohu dil me djalin tani.

Në fakt, kur kthehesha nga xhiroja, unë enët i gjeja të lara dhe punët e bëra. Ajo më ka ndihmuar të rris edhe të tre fëmijët. Bashkë me vjehrrin tim kanë qenë gjyshër shembullorë. Nuk më është dashur asnjëherë ta çoj raportin e lindjes deri në fund, se fëmijët i mbanin ata më shumë se unë, edhe kur unë isha në shtëpi. - Jemi më të lumturit në botë që

(Vijon numrin e ardhshëm)

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.