E ndihmova të rilidhej me fëmijët e tij

Intervista - - FAQE 1 -

Të dashur lexues, historia që do t’ju tregoj unë është një histori dashurie që bazën e kishte te mirësia sepse filloi si mirësi e përfundoi në dashuri. Unë jam një vajzë e re në moshë. Sapo kam mbushur të 30- tat. Pasi mbarova shkollën e lartë, bëra punë të ndryshme dhe shumica e tyre nuk më përshtateshin. Tani, ka nja tre vjet që po punoj në një firmë private. Në fillim të punës kisha ndonjë pakënaqësi sidomos për pagën, por më pas u ngrita në detyrë edhe rroga m’u rrit. Isha mirë dhe vazhdoj të jem sa nuk më bie ndërmend ta ndërroj me një punë në shtet. Pronari është një burrë në mesomoshë, 58 vjeç. Është shumë i mbajtur, vetëm se dukej shumë i egër.

Kur hyra unë në punë, gjithmonë na vinte e shoqja për kontroll, por më pas nuk erdhi më. Të gjithë e kuptuan se diçka kishte mes tyre. Ata po ndaheshin. Nuk e kuptoj si një çift me fëmijë të mëdhenj njërin 32 dhe tjetrin 27, u ndanë për gjëra koti. Në moshën e tyre, njeriu ka nevojë për një njeri të dashur e jo ta largojë atë që i ka dhënë fëmijët. Gruaja e tij ishte 5 vjet më e vogël. Një guxim i madh, sepse në atë moshë mund të ishte e pakët mundësia të gjente ndonjë burrë tjetër, por ajo ashtu e mendoi dhe ashtu bëri. Unë më shumë kontakt kisha me të shoqin. Jo se kisha ndonjë afrimitet me të, por e kuptoja se ai ndihej shumë keq. Ishte bërë si njeri pa njeri. Edhe pse kishte para e në shtëpi kishte një grua që merrej me pastërtinë, nuk e kishte atë sharmin që kishte kur ishte i martuar.

Ndodhi të organizohej një panair pune. Sekretarja ishte sëmur, kështu që shkova unë në vend të saj. Gjatë gjithë rrugës deri në Tiranë ai nuk foli fare. Edhe unë nuk fillova ndonjë bisedë. Ishte një udhëtim i gjatë, të cilin në disa momente e prishi një telefonatë:

- Jam në udhëtim tani. Flasim më vonë, kur të arrij.

Nuk e dija kush e mori, por di vetëm se kjo telefonatë e bëri më të zymtë. Unë nuk reagova fare. Sapo u ulëm te vendi ku organizohej panairi, ai nxori telefonin dhe i ra.

- Jam unë, babi. Çfarë deshe të më thuash? Po nuk e bëj dot atë që më kërkon ti - iu përgjigj ai pasi dëgjoi çfarë i tha ai me të cilin po fliste. Pastaj heshti përsëri që të dëgjonte se ç’po i thoshte zëri nga telefoni dhe në fund tha: - Pse, sa herë të dojë ajo, do ta ndërroj unë?!

Gjatë panairit shikoja se ai nuk ishte fare i përqendruar. - Nuk jeni mirë? - e pyeta.

- Mirë jam. - ma preu ai shkurt.

- Të shkoj të marr dy kafe?

Më pa njëherë dhe pastaj aprovoi me kokë. I bleva kafet dhe i solla. - Sa sheqer t’i hedh? Ai më vështroi përsëri me të njëjtin shikim dhe më tha:

- E pi pa sheqer.

- Sa mirë! Unë nuk mund ta pi pa i hedhur 2 copë. Sa keq është për shëndetin!

- Po ti je e re, prandaj e pi ashtu. - pak nga pak, ai po e ndryshonte tonin e bisedës. Më erdhi mirë për këtë, jo se kisha ndonjë synim, por më dhimbsej. Më dukej sikur nga dita e ndarjes, ai po bënte vetëm tatëposhtë.

Pas pirjes së kafesë, ai m’u duk më mirë. Gjatë gjithë asaj dite, fillova të njoh një njeri ndryshe nga sa e kisha njohur më parë. Ai, edhe pse dukej një natyrë e vështirë në përgjithësi, atë ditë vura re se ishte shumë i sjellshëm dhe njeri që kur fliste, të mësonte shumë gjëra. Dita e dytë e panairit ishte edhe më e bukur afër tij, ndërsa e treta, e cila u mbyll me një darkë të ofruar nga ai, ishte sikur ta kisha kaluar me njeriun më të mirë në botë.

Në ato momente, nuk kisha për qëllim të shkoja më larg me të. E vetmja kënaqë- si ishte ta shikoja të lumtur. Dhe ato ditë, ai tregoi se mund të ishte i qeshur...

Të nesërmen, nga ora 10 e mëngjesit i erdhi në zyrë djali. Ai ishte djali i madh dhe i madh ishte edhe si shtat. I ngjante komplet të atit. U fut në zyrë i revoltuar dhe pas debatesh që shikoheshin mjaft mirë nga xhamat, ai përplasi derën me forcë.

Mora guximin dhe i shkrova një mesazh: “Je i mërzitur? Do pimë kafe?”. Ishte një mesazh i guximshëm, por e bëra vetëm se më erdhi keq për të. Për habi ai ma ktheu: “Sigurisht që dua ta pi një kafe” dhe pa u ruajtur nëse do ta shihnin punëtorët e tjerë, erdhi te tavolina ime dhe më tha: - Eja, se mjaft punove! U ngrita dhe i shkova nga pas. Ai nuk u largua nga kompania, por u ul në barin aty afër dhe më ftoi edhe mua të ulesha.

- Ti e kuptove se në çfarë situate jam. Nuk e di se sa do të duroj derisa t’ia marr shpirtin vetes.

- Ç’janë këto fjalë që thua? Ti je mashkulli më i fortë që njoh. Ti je zot i gjithë kësaj perandorie që ke ngritur me forca e tua.

- Po nuk jam i fortë me familjen time. Ata duan nga unë vetëm paratë, nuk vlej asgjë për ta.

Nuk dija çfarë t’i thoja. Ai në ato kushte dukej me të vërtetë në hall të madh. Po unë, pse e futa veten në këtë valle?

- Gruaja m’i ka vënë fëmijët kundër dhe ata tani më urrejnë. Ky është fundi për një prind.

E lashë të shfrynte e t’i nxirrte të gjitha se mos ndoshta çlirohej. Pasdite, si për ironi të fatit, po pija kafe me një shoqe dhe në të njëjtin lokal ishte dhe djali i tij. Mendova se kjo ishte një shenjë që tregonte se duhet të bëja diçka të vlefshme për atë njeri. Prita sa ajo që e shoqëronte shkoi në tualet dhe i shkova në tavolinë.

- Unë jam nga punëtorët e babit tënd. - Edhe? - Edhe më erdhi shumë (Vijon numrin e ardhshëm)

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.