Dhe si duhet të hani gjatë Ramazanit?

Intervista - - SHENDET -

Çfarë

Për pak ditë, muslimanët e gjithë botës do të fillojnë agjërimin e muajit të shenjtë të Ramazanit. A sjell kjo gjë rreziqe për shëndetin? Ka raste kur nuk duhet ndjekur? Përgjigjet e këtyre pyetjeve i jep doktor Alen Delabo, nutricionist dhe shpikës i krononutricionit (të ushqyerit sipas orës biologjike të personit)...

- Në mënyrë të përgjithshme, cilat janë pasojat e agjërimit në organizëm?

- Një agjërim si ai që bëhet gjatë muajit të Ramazanit nuk shkakton asnjë dëmtim në shëndet, me kusht që të dini të ushqeheni ashtu si duhet. Në fakt, ky agjërim është i përkohshëm dhe bëhet vetëm gjatë ditës.

- Si duhet të ushqehesh gjatë këtij muaji, për të përballuar agjërimin?

- Mjafton të aplikohen parimet e krononutricionit: Ushqimet e duhura, në sasinë dhe në momentin e duhur. Gjatë ramazanit, duhet vazhduar me marrjen e 3 vakteve, me disa veçanti të vogla, të lidhura me agjërimin. Kështu, vakti i parë është ai i prishjes së agjërimit. Në këtë drejtim, parimet e Kuranit përputhen me ato të krononutricionit: Duhen ngrënë gjëra të ëmbla për të mbajtur organizmin dhe për ta ushqyer shpejt, që ta marrë veten nga agjërimi i ditës. Këshillohen hurmat e thata, yndyrnat vegjetale (bajame, arra, etj.) dhe pije të ngrohta (kafe, çaj, etj.). Ky vakt nuk duhet të jetë i mbingarkuar, ai duhet thjesht të qetësojë ndjesinë e etjes dhe të urisë.

Vakti i dytë, që merret zakonisht 2-3 orë pas prishjes së agjërimit, duhet të jetë i lehtë në cilësi, por mund të jetë më i bollshëm në sasi. Si për- fundim, duhet evituar vakti i rëndë dhe shumë i pasur (mish me patate të skuqura, pilaf, etj.) dhe kjo, për arsyet që do t’i them më poshtë. E para është se nuk ia vlen të hash rëndshëm para gjumit, sepse gjithë ajo që hahet kthehet në dhjamë dhe nuk asimilohet. Asimilimi i ushqimeve është i mirë para një sforcimi fizik, jo para çlodhjes. E dyta, nëse vakti është i rëndë, nuk do të kesh uri në mëngjes dhe mund të kapërcesh mëngjesin që është i domosdoshëm, sepse të pret një ditë e gjatë pa ngrënë dhe pa pirë. Darka, pra, duhet të fillojë me një supë perimesh dhe të ndiqet me një pjatë me peshk, ose fruta deti, mish të bardhë dhe perimesh jeshile.

Vakti i tretë është ai para agjërimit dhe për këtë arsye nuk duhet lënë pas dore dhe duhet të jetë i bollshëm. Është ai që do t’i japë organizmit gjithë energjinë e nevojshme për të qëndruar gjithë ditën. Për këtë arsye, është mirë të merren lëngje, për të evituar çhidratimin. Zakonisht, ai përbëhet nga një supë (për t’u hidratuar), djathë, mish dhe drithëra ( bukë, makarona, oriz).

- Si mund ta mbajë agjërimin një person që ndjek një kurë me ilaçe që duhet t’i marrë gjatë ditës?

- Në këtë fushë nuk mund të jap mendimin tim, sepse, para së gjithash, është një çështje interpretimi tekstesh Kurani. Megjithatë, shumë kolegë të mitë muslimanë pohojnë se është e mundur të merren ilaçet gjatë agjërimit, me kusht që të mjaftoheni me sasinë minimale të ujit që duhet për marrjen e tyre. Kjo sasi i lihet në dorë agjëruesit.

- Si duhet të veprojnë personat diabetikë, ose që kanë probleme me metabolizmin?

- Gjithçka varet nga tipi i patologjive. Dallojmë në fakt sëmundjet organike dhe ato funksionale. Në rastin e parë, është mosfunksionimi i një ose më shumë organeve që janë në origjinë të sëmundjes. Është rasti i diabetit me varësi nga insulina, për shembull. Personat me këtë lloj sëmundjeje duhet të jenë shumë të kujdesshëm për agjërimin dhe duhet të konsultohen me një mjek për të mos vënë në rrezik jetën e tyre. Megjithëse nuk e njoh mirë Kuranin, kam lexuar në të se është specifikuar që nuk duhet vënë jeta në rrezik. Në rastin e patologjive funksionale, është një mungesë, ose, përkundrazi, një tepri në trup që shkakton probleme. Në këtë kategori gjejmë hiperkolesteroleminë, ose diabetin funksional. Personat e kësaj patologjie dalin të fituar nëse mbajnë ramazan.

- Cilat janë rastet kur nuk këshillohet mbajtja e agjërimit?

- Gratë shtatzëna, personat që kanë probleme me metabolizmin, ato me insufiçencë veshkash (që duhet të pinë 3 litra ujë në orë të shpërndara gjatë ditës), ose me sëmundjen e Adisonit, duhet të ndiqen nga një mjek dhe të mos e mbajnë, kur nuk ua lejon gjendja e tyre shëndetësore. Përveç kësaj, Kurani parashikon edhe njerëzit e paaftë për të agjëruar gjatë gjithë muajit (shembull, kur gruaja ka menstruacione), të cilët mund t’i zëvendësojnë ditët që u mungojnë gjatë vitit. Problemi është se disa gra shtatzëna nuk e konceptojnë dot lënien e agjërimit, megjithëse kjo mund të vërë në rrezik shëndetin e tyre, ose të fetusit të tyre. Për shem- bull, nëse në shtatzanitë e mëparshme gruaja ka pasur probleme me tensionin ose me kequshqyerjen, duhet të jetë shumë e kujdesshme gjatë agjërimit. Në fakt, gjithçka varet nga faktorët e rrezikut.

- A mund të jetë lodhja e shkaktuar nga agjërimi, shkaktare për aksidente në punë?

- Po, sigurisht, nëse nuk ushqehemi si duhet, agjërimi mund të jetë shkaktar i mosndierjes mirë dhe humbjes së vëmendjes, që është e rrezikshme. Edhe një herë, ky rrezik nuk do të ekzistonte nëse ushqehemi siç duhet. Një nga gabimet kryesore është të dendesh me ëmbëlsira gjithë natën, për të qenë në formë. Sheqeri është një zgjidhje afatshkurtër, për ta marrë veten nga lodhja mendore. Më pas, i duhet dhënë trupit gjithçka për të cilën ka nevojë dhe sidomos, ujë të mjaftueshëm që veshkat të punojnë normalisht.

- Agjërimi ka ndikim negativ në aftësitë orientuese?

- Një agjërim i mbajtur mirë nuk ndikon në pakësimin e aftësive orientuese, bile ai e bën trurin më të mprehtë. Kjo ndodh ngaqë të gjitha organet e tjera, të cilat janë zakonisht konsumatore të mëdha të sheqerit, janë në çlodhje dhe karburanti i çmuar përdoret kryesisht për trurin. Një nga parimet e agjërimit të ramazanit është të çlirohet shpirti, pa torturuar trupin.

- Cilat janë problemet e shëndetit që vihen re në përgjithësi pas ramazanit?

- Një shifër për të ilustruar pasojat e një kequshqyerjeje gjatë kësaj periudhe: Vitin e shkuar, në Algjeri, u vunë re 1 milionë-1 milionë 300 mijë raste të reja diabeti, ose të diabetit të dekompensuar (rritje e rëndësishme e nivelit të glukozës në gjak te personat diabetikë). E shihni pra se sa shifër gjigande është kjo? Atëherë, duke respektuar parimet e krononutricionit, është e mundur ta mbash agjërimin pa pasur efekte dytësore.

Ajo që unë kam vrojtuar te pacientët e mi që respektonin parimet e krononutricionit është se agjërimi kishte tendencë të shëndoshte të dobëtit dhe të dobësonte të shëndoshët. Kështu, të gjithë janë të kënaqur. Megjithatë, dua të saktësoj se nuk do të këshilloja të bëhet një dietë dobësuese gjatë kësaj periudhe. Gjithë personat që kanë ndjekur këshillat e mia dhe kanë aplikuar parimet e krononutricionit gjatë agjërimit, thonë se e shohin shumë shpejt ndryshimin, por, mbi të gjitha, thonë se agjërimi bëhet më i lehtë për t’u mbajtur.

- Nganjëherë agjërimi mund të bjerë në verë, periudhë shumë e nxehtë, ose kur ditët janë shumë të gjata. Çfarë këshilloni ju në këto raste, për ta përballuar agjërimin?

- Nuk është aq stina, apo periudha që mund të jetë e vështirë, sesa kohëzgjatja e ditëve. Në vendet veriore, si në Suedi, për shembull, agjërimi mund të bëhet shumë i vështirë, ose i pamundur, për shkak të ditëve të gjata. Në fakt, organizmi mund të durojë një agjërim prej 16 orësh në ditë gjatë një muaji, por, përtej kësaj periudhe, domethënë të agjërosh 18-20 orë bëhet e rrezikshme për shëndetin. E imagjinojmë vështirësinë e muslimanëve që jetojnë në këto zona për të mbajtur një agjërim me netët që zgjasin 3 orë...

Ideja e hedhur nga disa, gjë që mua më duket e arsyeshme nga ana mjekësore, është që, për të zbutur pabarazitë e përfaqësuara nga ndryshimet orare është të përcaktohej agjërimi duke u bazuar te gjatësia e ditëve në Mekë. Situata gjeografike e qytetit të shenjtë te muslimanët bën që ditët të variojnë shumë pak në funksion të stinëve. Por edhe në verë, me kusht që të çlodheni dhe të mos rrini në diell, kushtet nuk janë më të vështira sesa në dimër.

- Pasi mbaron agjërimi, ç’duhet bërë për ta ripërshtatur trupin ndaj një ritmi ushqimor normal?

- Asgjë e veçantë, por duhet vazhduar të ushqehemi në mënyrë korrekte në funksion të nevojave dhe të aktivitetit që bëjmë. E kam thënë dhe e përsëris, krononutricioni është të merren ushqimet e duhura, në sasinë e duhur, në momentin e duhur. Duke u nisur nga kjo, agjërim apo jo, trupi e gjen vetë rrugën e vet. Gjatë gjithë vitit mund t’i mbani nën kontroll problemet metabolike, duke ngrënë normalisht.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.