Rama shkruan në ditar për Reformën në Drejtësi

Intervista - - AKTUALITET -

I dashur ditar, më ka ikur zari fare.

Dua mbështetjen e dikujt për reformën në drejtësi dhe këto ditë kam menduar të kryej vetëplagosje. Kaq keq e ndiej veten...

Edhe pse jam goxha i rritur dhe, mbi të gjitha, kryeministër, ndiej nevojën të shprehem pa shumë fjalë madhështore në këto fletë të ditarit. Kam nevojë për një mendje urgjente... PDja nuk do të ma votojë reformën, edhe pse kam gjithë këtë kohë që e mbaj me temena.

Kështu, shpresat mbeten te Dulja dhe te Kreshnik Spahiu. E pra, nuk ma priste kurrë mendja që të katandisesha në këtë derexhe sa të kërkoj ndihmën e Spahiut. Pse më duhen do të pyesësh ti, ditar. Kreshniku duhet për ndonjë deklaratë pasionante në media dhe për të recituar ndonjë poezi, ndërsa Dulja për ndonjë votë më shumë.

Kam nevojë më shumë se asnjëherë tjetër edhe për një këshilltar që t’i ketë mbushur të 25 vjeçët e të më jepte një mendim të pjekur për këtë situatë. Kam Endri Fugën, por ai as 25 vjeç s’i ka mbushur dhe as 1 metër e 25 centimetra i gjatë nuk ka arritur të jetë.

Lart e poshtë nëpër kryeministri ka vetëm kalamaj që vishen bukur dhe dinë të dërgojnë vetëm emaile... Vajmedet, “olio con mare”, siç i thonë italianët, ç‘ i kam bërë vetes! Imagjino, gjithë dynjaja i ka këshilltarët nga 60 ose 70 vjeç, ndërsa mua më ndjekin vetëm kalamaj nga pas.

Megjithëse të them të drejtën, kur e mendoj thellë, kjo, nga njëra anë, më shkakton kënaqësi, pasi duke qenë se janë të gjithë fëmijë, i kam të gjithë të nënshtruar.

Megjithatë, unë kam shumë shokë të mençur që më rrinë pranë. Për shembull, kohët e fundit jam bërë shumë shok me Arben Ahmetajn. Beni më mirëkupton, ne bëjmë muhabete filozofie së bashku, majde një herë kemi folur gjatë edhe për muajin e Ramazanit. Gjithsesi, për t’i marrë një mendje për reformën, nuk ia marr dot, se ai di vetëm të mbledhë e të shumëzojë. Nuk merr vesh nga politika. Megjithatë, nga Beni jam shumë i kënaqur, ai është i vetmi që ka deklaruar që edhe pse inflacioni është shumë i ulët, prapë se prapë kjo është shenjë shumë e mirë për ekonominë.

Tahirit nuk i bie dot më qafë se boll i kanë rënë me qafë dhe i kanë arrestuar shokun. Doli bashkë me drejtorin e përgjihshëm të policisë për të bërë aheng në qendër duke u tallur me ato parullat “A ndodhet pajisja këtu?” dhe i doli qefi nga vrima e majtë e hundës. I pushojnë nga puna drejtorin e policisë. Tahiri u bë vrer, i shkreti... S’i flitej me gojë! E ku qëlloi i mblodhën të gjitha të këqija në një ditë. Po atë ditë i erdhën ato dhe nuk e mbante më vendi.

T’i marr një mendje Erjon Braçes, por kam frikë se më bëhet xheloz Endri Fuga. E ka shumë inat Braçen. Më thotë gjithnjë për të, sa herë e takoj: Shef, mos e tako atë, u bë ai të jetë më i gjatë se unë?

Ndonjëherë, kur dua t’i jap zgjidhje reformës, futem nëpër të thella dhe arrij në përfundim te një pyetje enigmatike: “Pse Taulant Balla është kaq i bukur?”. Ai është shumë i zënë për momentin sepse po planifikon të bëjë një fjalim të gjatë eksitues në parlament kundra Ben Blushit. I thashë: “Lëre Taulant se nuk kemi kohë të merremi më të, po hajde zgjidhim reformën”. Më tha: “Jo, jo, shef, shife si do ta boj, mut fare atë Blushin. Kështu do e vërtetoj se ty të dua si motrën time”.

Tani që edhe e motra i ka dalë kundër, nuk di ç‘të bëjë katrani. Na shikon të gjithëve si motër... Unë ia kam caktuar detyrën Ballës në parlament, ai duhet të denoncojë në byro ndonjë deputet që të përjashtohet nga parlamenti. Atë di ta bëjë mirë, ia ka marrë dorën, domethënë.

Për të gjetur zgjidhje për votimin e reformës, pyeta edhe Niko Peleshin, por, me të thënë të drejtën, për Ni- kon kujtohem që është zëvendëskryeministër kur shkoj në tualet... Më kujtohet në tualet sepse më ka bërë dhuratë një pako me brekë. E ç‘ta shqetësosh katranin? Ai ka probleme me majasëllin... Dhe tani që po kujtohem, hera e fundit që jam takuar me Nikon nuk më mbahet mend, por duhet të ketë qenë shekullin e kaluar.

Mbetet që me reformën të merret Joleza, për atë të paktën nuk bëhet xheloz Endri dhe ajo të ndihmon shumë, me thënë të drejtën. Nëse flet ajo, të paktën do kemi ndonjë përfitim, do vdesë ndonjë deputet i PDsë nga teoritë e saj filozofike. Nuk po më vjen në mendje ndonjë njeri më i hajrit për momentin. Faleminderit për këto çaste shfryese, ditar. Të të shkruaj ty, është shumë më mirë sesa të vë skedina. PS: Çdo ngjashmëri me Wikileaksin e vërtetë është e rastit

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.