Avullon një liqen i tërë në Bolivi!

Intervista - - ENCIKLOPEDI -

Bëhet fjalë për një pamje gati surrealiste, që vështirë ta kapë truri i njeriut. Varka e peshkatarit ka ngecur në shtratin e një liqeni... që është tharë. Në fakt, liqeni Pupo i Bolivisë, i cili mbulonte një sipërfaqe prej 3000 kilometrash katrorë, ishte deri kohët e fundit liqeni i dytë për nga madhësia i Bolivisë, por tashmë ai ka avulluar i tëri, duke lënë pas një shkretëtirë gjigande. Këtë e vërtetojnë edhe imazhet e satelitit evropian Proba-V Earth të Qendrës Evropiane të Hapësirës, ESA. Lajmet e këqija janë shpërndarë edhe nga mediat boliviane, të cilat bëjnë ca krahasime shokuese mes imazheve të liqenit në vitin 2014 dhe në ditët e sotme.

Fenomen natyror, apo i shkaktuar nga njeriu?

Liqeni Pupo ishte më parë vendstrehim i shumë organizmave të gjallë, shtazorë dhe bimorë. “Tanimë, flasim për një katastrofë natyrore me pasoja dramatike në zonën e Oruros dhe në të gjithë Bolivinë”, tha deputeti bolivian Zenon Pizaro që e ka prejardhjen nga kjo zonë. Zona e Oruros tanimë ka deklaruar gjendjen e jashtëzakonshme për shkak të thatësirës së zgjatur. Presidenti bolivian, Evo Morales, për të qetësuar shtetasit e tij, në një deklaratë të tij thekson se bëhet fjalë për një fenomen krejtësisht natyror, duke parashikuar se liqeni do të rikthehet së shpejti në nivelin e tij normal. Por në këtë rast nuk merret në konsideratë se në këtë zonë, vitet e fundit, ka rënë në mënyrë dramatike edhe niveli i shirave. Nga ana tjetër, shumë meteorologë kanë mendim të ndryshëm. “Bëhet fjalë për një katastrofë klimaterike, thotë Raul Perez Albreht, drejtues i Rrjetit Mjedisor të Amerikës Latine. Temperaturat janë ngritur gjatë tre dhjetëvjeçarëve të fundit gati me 2 gradë dhe shiu bie rrallë”.

Sipas specialistëve, një faktor tjetër njerëzor që ka ndikuar në këtë fenomen është ndërrimi i rrjedhës së një lumi ushqyes për liqenin, me qëllim që të përdorej për nevojat e vaditjes së tokave të punuara, si edhe të minierës së argjendit që ndodhet në këtë zonë.

Historiku i liqenit është i gjatë. Gjatë viteve ’80, një sipërfaqe e madhe e tij kishte avulluar. Furnizimi me ujë kishte rifilluar gradualisht, pastaj përsëri kishte humbur. Një rreth vicioz. Sot situata duket e parikthyeshme, ndërkohë që ndikimi i kësaj do të shtrihet edhe më tej në të ardhmen. Nga thatësia ndikohen edhe flamingot rozë, shenjë dalluese e zonës. Me mijëra zogj ekzotikë u detyruan të migrojnë dhe nga liqeni Pupo të gjejnë strehim në zonat pranë. Megjithatë, nuk dihet nëse do të mund të mbijetojnë atje për një kohë të gjatë. Por, nuk janë vetëm flamingot që migrojnë. Shumë nga banorët e zonës, deri kohët e fundit, jetonin nga liqeni. Tashmë, pak familje bujqish dhe peshkatarësh që kanë mbetur nuk mund të mbijetojnë, sepse as mund të peshkojnë, as të vadisin të mbjellat. “Burimi i vetëm i të ardhurave tona ishte peshkimi. Me avullimin e liqenit humbëm jetën tonë. Nuk kemi më asnjë mbështetje”, thotë me shumë trishtim Don Silverio, një peshkatar i vjetër i zonës.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.