T’I LYESH FLOKËT VETË, PA RREZIKUAR?

Intervista - - ESTETIKE -

Kjo është një guidë e thjeshtë për t’i lyer vetë flokët në shtëpi, pavarësisht nëse po përpiqesh të ndryshosh ngjyrën aktuale, ose thjesht të mbulosh thinjat. Ja, cilat janë pyetjet që bëjnë më shpesh gratë dhe përgjigjet e specialistëve për to:

- Ndihem pak nervoze... A do ta marrin vesh të tërë se i kam lyer vetë flokët?

- Mënyra për ta bërë lyerjen sa më të besueshme është të qëndrosh dy tonalitete afër ngjyrës tënde natyrale. Kjo do të thotë se mund t’i bësh pak më të çelura, ose pak më të errëta, ose të mbulosh thinjat dhe të arrish rezultatet e duhura. Lëruani ndryshimet e mëdha profesionistëve.

- Si të zgjedh ngjyrën e duhur?

- Sigurohu që të bazohesh te figura anash kutisë së bojës, jo tek flokët e modeles në figurë. Nëse nuk je e sigurt mes dy tonaliteteve, zgjidh gjithmonë atë me ngjyrë më të çelët. Nëse do të lindë nevoja t’i rregullosh më vonë do ta kesh shumë më të lehtë t’i errësosh flokët, sesa t’i çelësh ato.

- Duhet të zgjedh një ngjyrë të ngrohtë, apo të ftohtë?

- Pavarësisht nëse je brune apo bionde, ngjyra e ngrohtë është më e mira nëse ke sy ngjyrë jeshile, apo kafe, ose tonalitete të arta në lëkurë apo në flokë. Ngjyrat e ngrohta të japin edhe jetë e gjallëri kur ke një ngjyrë të njëtrajtshme, të mërzitshme flokësh. Por, nëse i ke flokët me tonalitet të kuq, të cilin do ta heqësh qafe, atëherë një ngjyrë e ftohtë do të të ndihmojë ta neutralizosh.

- Fijet i kam bërë gjithmonë te parukierja. A mund t’i realizoj ato në shtëpi?

- Kjo varet nga lloji i fijeve. Shumica e profesionistëve nuk rekomandojnë të bëhen fijet vetë. Nëse ti ke shumë fije bionde, apo platin, shko në fillim te parukierja, për të pasur një tonalitet më uniform, përndryshe, do të përfundosh me fije flokësh me ngjyra shumë të ndryshme nga njëra-tjetra. Nëse ke fije me ngjyrë bionde të errët, ose kafe të çelur, mund t’i bësh në shtëpi, me kusht që të qëndrosh dy tonalitete brenda fijeve që ke.

- Gjithmonë përlyhem kur lyej flokët. Si t’ia bëj?

- Në fillim mbro lëkurën duke aplikuar pak vazelinë në vijën e flokëve dhe rrotull veshëve. Vish një bluzë të vjetër, të mbyllur dhe mbaj afër një peshqir apo rrobë të vjetër për të fshirë pikat dhe rrjedhjet, para se ato të thahen. Mos harro të vësh përsëri doreza plastike para se t’i shpëlash flokët, që të mos ngelet ngjyra në gishta.

- Cila është mënyra më e mirë ( dhe që nuk ka nevojë për shumë përkujdesje), për të mbu- luar thinjat?

- Aplikoje bojën vetëm në rrënjë, aty ku duken thinjat. Flokët e bardhë janë shumë rezistentë, kështu që sigurohu t’i njomësh mirë me bojë.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.