Eva Murati: Dua të përballem me këtë frikë!

Intervista - - TELEVIZION -

Eshte kaq e re dhe ka provuar pothuajse çdo gjë që ka të bëjë me artin dhe të bukurën; modelim, prezantim, aktrim... Por e bukura shkon përkrah talentit dhe mendjes së mprehtë te vajza simpatike. Nga shkollimi, tek eksperiencat artistike, gjithçka që nuk e shihni në ekran për Evën, e gjeni në këtë intervistë...

Mia Buci: - Eva, portreti yt është fiksuar mirë në kujtesën e teleshikuesve që të kanë ndjekur vitet e fundit në televizion… Ti vetë cilat mendon se janë kriteret që i duhen një figure të ekranit?

Eva Murati: - Një nga sekretet për të qenë i pëlqyeshëm në ekran është të dish të sjellësh gjithnjë diçka të re duke mos humbur nga vetja. Të vish e freskët, me një temë që njerëzve u pëlqen, ndryshe nga hera e fundit, por duke mos humbur karakteristikat dhe veçantinë. Pavarësisht transformimeve, një figurë televizive duhet të jetë unike, pasi kjo na dallon nga njëri-tjetri.

- Gjatë pauzës së kalimit nga Agon Channel-i në Vizion plus, kuptove që i duhesh ekranit apo je ti që nuk rri dot pa këtë të fundit?

- Mendoj se është një ndërthurje e të dyjave. Edhe nëse nuk do të punoja në televizion, nuk do t’i largohesha ekranit, por fakti që njerëzit më ndjekin dhe më japin komente pozitive do të thotë shumë për mua sepse është pikërisht kjo frymë pozitive që më bën të eci përpara.

- Aktualisht, prezanton emisionin “Miss Universe Albania” çdo të dielë... E ndjen veten një Miss mes Mis-esh?

- Prezantimi i Miss Universe Albania ishte një angazhim i madh. Jo vetëm sepse është një spektakël i përjavshëm me udhëtime dhe destinacione të ndryshme, por edhe sepse është një patentë që duhet respektuar për emrin që ka, si konkursi më prestigjoz i bukurisë. Jam entuziaste që jam e rrethuar nga vajza aq të bukura.

- Çfarë u ke zili atyre? Udhëtimet, argëtimet, emocionet që përjetojnë?

- Kur jemi në xhirime në terren dhe nuk jam duke prezantuar, qëndroj në rolin e vëzhgueses dhe shoh çfarë po ndodh mes tyre si një sy i tretë. Mendoj se vajzat po shijojnë momentet, duke u kënaqur e duke e njohur më shumë njëra-tjetrën. Ato tashmë janë bërë mike dhe mendoj se do ta kenë të vështirë ta shohin njëra-tjetrën si rivale në natën finale.

- Ti ke luajtur në filmat “I jashtëligjshmi” dhe “Kokrrat”. Si është sipas teje një film i përmasave më të mëdha që do të realizohej në Shqipëri dhe ku ti do të luaje protagonisten?

- Normalisht, do të jetë një film i bërë nga një kast profesionistësh me një temë reale dhe shumë të prekshme shqiptare. Qëndrimi pranë realitetit mendoj është thelbësor për një projekt filmik, pasi e bën atë më të prekshëm për shikuesit. Kjo është një eksperiencë që do ta provoj së shpejti prandaj nuk dua të zbuloj më tepër detaje. (Buzëqesh)

- Sa u përket studimeve, dy kanë qenë alternativat e tua të dëshiruara, mjekësi dhe drejtësi...

- Me përfundimin e provimeve të maturës u gjenda përballë një zgjedhjeje të vëshirë. Njerëzit që më njohin vetëm në prizmin artistik nuk e dinë që unë jam gjithashtu një nxënëse e mirë. Rezultatet e larta në mësime janë e vetmja arsye përse prindërit më lejuan të merrem me art në moshë të vogël, edhe pse kundra dëshirës së tyre. Meqenëse nuk zhgënjeva pritshmëritë e tyre ata ma lanë rrugën e lirë për të bërë zgjedhjen time. Edhe pse nuk ndoqa hapat e tim eti për të vazhduar për mjekësi, jam e lumtur me zgjedhjen që bëra.

- A vazhdojnë të jenë interesante për ty reklamat televizive, sfilatat apo të qenit imazh i një kompanie?

- Sigurisht që po. Ato janë eksperiencat e para që kam patur. E kujtoj gjithnjë Evën 15 vjeçare sa herë jam duke xhiruar. Është pikërisht pasioni i çmendur i asaj vajzës 15 vjeçare që kundra dëshirës së të gjithëve, me këmbëngulje dhe shumë pasion, arriti t’ia dilte mbanë.

- Çfarë të bën të ndihesh ndryshe nga fytyrat e bukura të shoubizit?

- Bukuria është diçka relative. Çdo vajzë në shoubiz është e bukur. E rëndësishme, mendoj unë, është të arrish të shkosh përtej kësaj.

- Si është një ditë e jotja tani?

- Dita nis me shkollën, jam në vit të dytë në Universitetin e Tiranës. Më pas në zyrë për të bërë përmbledhjet dhe shtrimin e ideve për xhirimet e së nesërmes. Nuk para dal më, pasi gjithë kohën e kaloj në shkollë ose punë, gjë që më lumturon. Të kaloj kohën kot në kafe është gjëja që urrej më shumë. Është harxhim i minutave që ecin vetëm përpara dhe nuk rikuperohen më. Dua të shfrytëzoj çdo moment për diçka të vlefshme.

- Cila është pjesa më e bukur e një 24 orëshi, ajo që e shijon më shumë dhe pse?

- Edhe pse mund të duket e çuditshme, më mungojnë shumë momentet me familjen. Për shkak të orareve të ndryshme e kemi shumë të vështirë të mblidhemi, prandaj kur vjen darka dhe na gjen të gjithëve në shtëpi, është lumturi për mua.

- Rrethohesh nga shumë apo pak miq?

- Më rrethojnë shumë miq, por janë të paktë ata që mund t’u besoj vërtet.

- Si është Eva në një marrëdhënie? Çfarë të karakterizon?

- Edhe pse puna dhe përditshmëria më bën të kem marrëdhënie me shumë njerëz, janë të pakët ata që arrij t’i vlerësoj. Nëse arrin të futesh në zemrën time e kam shumë të vështirë të të nxjerr. Në këtë drejtim jam ekstremiste; ose e dua shumë dikë, ose nuk e dua fare.

- Cili është stili që e përshkruan më së miri Evën në pamje?

- Minimalist francez. Kombinimet bardhë e zi janë ato që përdor më shpesh. Nuk kam qenë ndonjëherë shumë e dhënë pas modës. Përpiqem që në daljet publike të jem sa më e kuruar, ndërsa në jetën e përditshme, sa më sport.

- Cili do të ishte një kombinim i frikshëm, i papranueshëm që do të të vriste sytë?

- Veshjet me ngjyra të theksuara ose neon, xixa, luspa, peliçe, motive leopardato, thonj me xhel e një mori aksesorësh xixëllues janë shumë vulgare për gustot e mia.

- Ç’të përbashkët gjen me Evën e Adamit?

- Eva ishte femra e parë mbi tokë dhe e gjej shpeshherë veten iniciatore të gjërave. Eva e Biblës e kapërceu mollën me zgjuarsi, ndryshe nga Adami. Shpresoj që kështu, me sa më pak dëme, të mund t’i kapërcej edhe unë pengesat që vendosin gjarpërinjtë e jetës sime.

- Cilën konsideron si anën më tërheqëse të një mashkulli?

- Kam njohur shumë njerëz kohët e fundit dhe kam dalë në konkluzionin se pamja nuk ka fare rëndësi. Fasada shpesh gënjen dhe një njeri i bukur del aspak tërheqës nga brenda. Një shpirt i pastër, një njeri me zemër të madhe ka rëndësi.

- Tipari që do të veçoje në portretin tënd...

- Nuk mendoj se kam një tipar të veçantë në portret. Unë jam shumë larg syve bly apo buzëve të trasha, që konsiderohet e bukur sot. Mendoj se më karakterizojnë harmonia dhe finesa në tipare. - Diçka që të tremb? - Mosmirënjohja. Unë bëj shumë për të tjerët sepse kujtoj gjithnjë veten në fillimet e mia, kur kam hasur vetëm shpërfillje. Kjo është një e metë që dua ta evitoj në raportet e mia me të tjerët. Pavarësisht kësaj, fakti që dikush e merr për të mirëqenë ndihmën që i jep, duke përfituar nga kjo, më tremb shumë. Unë thjesht tërhiqem dhe përpiqem të shkëpus marrëdhëniet. Në fund të fundit mosmirënjohja është i vetmi mëkat që as Zoti, sipas Dante Aligierit, nuk e fali dot.

- Pika jote e fortë dhe ajo e dobët?

- Një ndër pikat e mia më të forta është fakti që nuk e njoh “JO-në”, përpiqem e përpiqem gjithnjë. Edhe nëse bie, edhe nëse situata është si mos më keq, edhe nëse kushtet nuk janë të favorshme, gjej forcë për t’u ringritur dhe kjo është këshilla që u jap të gjithëve. Si pikë të dobët, shpeshherë njerëzit nuk dinë ta vlerësojnë respektin që u jep dhe e marrin si dobësi, duke mos e kuptuar që është një mundësi që nuk kthehet më pas.

- Do të ktheheshe bionde nëse ta kërkon ekrani?

- Flokët e mi janë natyralë, të palyer. Në fillimet e mia në ekran m’u kërkua ta shkurtoja gjatësinë e tyre për të dhënë pamjen e një vajze më të rritur në moshë. Nëse një produksion i rëndësishëm filmik do të më kërkonte të kthehesha në bion- de për t’u përshtatur më shumë me rolin që do të luaja, do ta bëja. Flokët dhe pamja e jashme janë fasada që mund ta ndryshosh kur të duash. Për mua bien në plan të dytë, pasi profesionalizmi është ai çfarë dallon.

- Çfarë të argëton, në kuptimin e plotë të fjalës?

- Të njoh njerëz të rinj. Kur njeh njerëz që vërtet ia vlejnë, i sheh gjërat në një këndvështrim tjetër dhe njeh jo vetëm ata, por edhe një pjesë të vetes tënde që nuk e kishe menduar më parë.

- Kur ka qenë hera e fundit që ke qeshur me lot?

- Kur je në një grup të madh pune si ky është shumë e vështirë të mos qeshësh me lot, pothuajse çdo ditë. (Qesh) Besoj shumë në terapinë e lumturisë.

- Pa çfarë nuk do të bëje dot?

- Pa dashurinë e njerëzve të afërm.

- Objektivi i radhës në një të ardhme të afërt?

- Asnjëherë nuk më ka pëlqyer të zbuloj planet e së ardhmes. Jam e lumtur sepse kalendari im është plot. Përpos kësaj, objektivi i përhershëm është përmirësimi i vetvetes. - Kujt i je mirënjohëse? - Vetëm Zotit që më zgjon çdo ditë të shëndetshme e të lumtur pranë njerëzve që dua.

- Diçka që nuk ke patur mundësinë ta bëje dhe do të doje ta provoje tani...

- Më pëlqen andrenalina, ndaj do të më pëlqente ndonjë sport ekstrem, hedhja nga ndonjë lartësi e madhe për të mposhtur edhe frikën që kam nga lartësitë. Mendoj se njeriu duhet ta sfidojë veten gjatë gjithë kohës. Do të më bënte mirë përballja me këtë frikë të hershme!

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.