E mësova të vërtetën e dhimbshme pas vdekjes së tim shoqi

Intervista - - HISTORI NGA JETA -

(Vijon nga numri i kaluar) Bashkë me vjehrrin tim kanë qenë gjyshër shembullorë. Nuk më është dashur asnjëherë ta çoj raportin e lindjes deri në fund, se fëmijët i mbanin ata më shumë se unë, edhe kur unë isha në shtëpi.

- Jemi më të lumturit në botë që e shohim shtëpinë plot, - thoshin ndërkohë që loznin me fëmijët. Im shoq, pas ndërrimit të sistemit, filloi menjëherë një biznes të vetin dhe na eci shumë mirë. Kjo, falë njohurive të tij. Ndërkohë që im shoq ishte gjithmonë e më pak në shtëpi, pleqtë bëheshin copash që të mos ndihej mungesa e tij. Gjithë ajo lodhje ndikoi edhe në shëndetin e tyre. I pari u sëmur vjehrri dhe ndërroi jetë shumë shpejt. Ndërsa vjehrra thoshte: “Nuk vdes derisa të martoj nipin”. E gjora nuk e arriti këtë gëzim, por të paktën nuk arriti hidhërimin tjetër. Ajo vdiq një vit para se t’i vdiste i biri, im shoq.

Thashë që biznesi i tim shoqi po i ecte mirë, por që biznesi të ecë, duhet t’i rrish në kokë punës, ndaj ai rrinte më shumë në punë se në shtëpi. Edhe pas vdekjes së vjehrrit, jam marrë unë me të gjitha prob- lemet e shtëpisë dhe të fëmijëve. Me gjithë angazhimet e tij, ai gjithmonë është kujdesur për ne jo thjesht duke na sjellë paratë në shtëpi, por edhe duke na e shprehur dashurinë e tij. Pas vdekjes së prindërve, ai pati dy apo tri herë luhatje të mëdha tensioni, por mjekët i thanë që e kishte nga dhimbja për humbjen e prindërve. Në fakt, ai vdiq një vit pas të ëmës, kur ishte vetëm pesëdhjetë e tetë vjeç. Fëmijët ishin në moshë delikate dhe gjithçka na erdhi krejt papritur. Nuk e di se ç’na ka mbajtur në këmbë ato ditët e para pas vdekjes së tij. Pas vdekjes së tij, me biznesin fillova të merresha unë dhe djali i madh, por ai ishte shumë i ri dhe i sapodiplomuar. Pastaj, çdo punë në fillim të duket e vështirë. Në mes të përpjekjeve për të përballuar humbjen e burrit dhe për të mësuar djalin se si ia kishte dalë mbanë i ati, më plasi një “bombë” tjetër në kokë.

Tetë muaj pas vdekjes së burrit, në punë më erdhi një grua me një fëmijë rreth shtatë vjeç përdore. Sikur të ma kishte ndier zemra që do të më thoshte diçka që s’do të më pëlqente, sepse sapo e pashë, sikur më lëvizi dheu nën këmbë.

- Mirëdita, - tha ajo dhe prezantoi veten e të birin, ndërsa zëri iu drodh.

- Po, si mund të të ndihmoj? - iu përgjigja mekanikisht.

- Në fakt, është histori shumë e gjatë, por unë do përpiqem të ta them shkurt, - më tha. - Unë kam patur lidhje me G.-në për një kohë të gjatë dhe jetoj në K. - Ishte qyteti ku ne kishim klientët kryesorë pas qytetit tonë. Mbeta pa përgjigje dhe mu duket sikur do më dilnin sytë nga vendi. - Im bir është djali i G.-së, - vazhdoi ajo tregimin e saj. - Unë punoj dhe asnjëherë nuk i kam kërkuar asgjë të atit të tij, por djali është sëmurë dhe unë nuk kam kujt t’i kërkoj ndihmë...

Vetëm atëherë e mblodha veten dhe iu përgjigja: - Ti vjen e më thua mua me qetësinë më të madhe që ke qenë dashnorja e tim shoqi, që keni një fëmijë bashkë dhe tani pas vdekjes së tij do që unë të të jap para? E para, nuk di që im shoq të më ketë tradhtuar dhe nuk kam parë asnjë shenjë që unë të dyshoja ndonjëherë për njëzet e pesë vite jetesë me të. E dyta, edhe sikur të jetë e vërtetë, unë nuk kam ku ta vërtetoj. Pastaj, edhe sikur ta vërtetoj, ti mendon se do ia fal unë atij e të jap për fëmijët që ai ka mbjellë rrugëve? - u acarova dhe fillova të dridhesha e tëra.

- Më fal, e kuptoj që është pozitë e vështirë për ty, nuk do kisha ardhur të të shtoja hallet e problemet, po të mos më duheshin paratë për të kuruar djalin. - Ajo zgjati një letër me një numër telefoni dhe tha: - Ky është numri im i celularit. Ti mund të kontrollosh telefonatat që ka bërë G.-ja nëpërmjet faturave të celularit të tij. Mund edhe të pyesësh ndonjë njeri në qytetin tim dhe do ta marrësh vesh që është e vërtetë. Por, të lutem logjiko si nënë e jo si grua e tradhtuar. Ditën e mirë. Përshëndete tetën, - iu drejtua djalit.

Ai tha: “Ditën e mirë” e dolën që të dy. Më vloi mendja. Për dy ditë nuk fjeta, s’po dija ç’duhej të bëja. E rrotullova gjithë jetën time përkrah G.së për të gjetur ndonjë moment se kur mund të më kishte tradhtuar, por gjithmonë më dukej se ai kishte qenë vetëm burri im dhe i askujt tjetër. Pas një jave vendosa t’i telefonoja një kushërirës sime të martuar në K., së cilës i kërkova të pyeste për këtë gruan nëse e kishte fëmijën të sëmurë a ç’bënte. “Por, të lutem, të mos e marrë vesh njeri që po pyes unë”, i thashë.

Të nesërmen, kur më mori në telefon, kushërira më tha: - Do më thuash pse më pyete për këtë grua dhe të birin?

I tregova gjithë ç’më kishte thënë ajo grua dhe kushërira e pohoi se të gjitha ishin të vërteta dhe se ajo me të vërtetë e kishte djalin të sëmurë. Pasi u përshëndeta me kushërirën në telefon, i telefonova gruas dhe e pyeta se sa ishte shuma që i duhej për spitalin e djalit.

- Do të m’i japësh paratë? - më pyeti gjithë dyshim.

- Po, do të t’i jap me një kusht, që nuk do të tregosh kush t’i dha, të mos bëhesh më e gjallë dhe të mos më shqetësosh as mua, as fëmijët.

- Dakord dhe faleminderit, - tha menjëherë. Pas dy ditësh, ajo erdhi e mori paratë. Pas tre muajsh mora një mesazh prej saj, ku më falënderonte pa masë dhe më thoshte se operacioni i djalit i kishte shkuar mirë. I uroj gjithë të mirat atij fëmije, por nuk di më ç’të mendoj për tim shoq...

Gazetën “Intervista”, të plotë, mund ta blini online që ditën e daljes në treg, vetëm për 89 cent në: http://www.pressreader.com/albania/intervista

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.