Burri i dytë më torturon djalin

Intervista - - HISTORI NGA JETA -

Unë që po ju shkruaj jam një grua në hall shumë të madh. Kam qenë e divorcuar dhe tani jam martuar përsëri. Nga martesa e parë kam një fëmijë, një djalë. U ndava nga burri i parë se më tradhtonte me komshien, një gjë që ndodh rëndom në këto kohë, mirëpo nuk vonoi shumë dhe më doli një fat tjetër. U njoha me një burrë jo të ri. Ai është 13 vjet më i madh se unë. Kjo nuk përbën problem për mua, sepse e di se sa më i ri të jetë mashkulli, aq më e vështirë është me të. Në fillim, ai ma donte shumë djalin dhe aq shumë kujdesej për të, sa djali filloi t’i thërriste baba. Mendoja se kisha bërë mirë që isha ndarë me burrin e parë.

- Sa mirë ia bëra që u ndava prej tij! - i thashë motrës.

- E mban mend në fillim që nuk e mendoje dot se si do ta kaloje jetën pa burrin? Tani ke ndërruar mendim - më tha ajo.

- E si të mos ndryshoj? Atij nuk i binte ndërmend për të. E kishte mendjen te të dashurat e jo te familja.

- Jam shumë e lumtur për ty, motër!

E kështu, unë, siç ju thashë më lart, nisa një jetë të re. Isha shumë e lumtur. Nuk vonoi dhe në jetën tonë u shtua edhe një fëmijë tjetër, vajzë. Gëzimi ishte i madh për të dy. Edhe unë e kisha ëndërruar një vajzë, edhe ai që kishte dhënë prova me djalin tim me të cilin sillej aq mirë, do të ishte normale që të gëzohej.

Mendoja se tani për mua asgjë nuk do të ndryshonte dhe do të isha gjithmonë e lumtur. Kur kisha djalin e vogël, isha nganjëherë e stresuar sepse nuk kisha njeri të më ndihmonte. E kundërta ndodhi me vajzën. Në çdo moment, kisha burrin që më ndihmonte për gjithçka. E pra, ky quhet fat! Edhe djali e priti shumë mirë lindjen e vajzës. Ai gëzonte pa masë. Më thoshte ta merrte në krahë, por ajo ishte e vogël e kishim frikë se mos e lëshonte në tokë.

- Kur të rritet, do ta marrësh në krahë. - Po edhe sa do të rritet? - Ja, pas nja tre-katër muajsh.

Gjithçka shkonte për bukuri. Vajza po rritej në mes të një kujdesi super të madh. Edhe pse ajo tashmë ishte pak e rritur, burri nuk e linte djalin që ta merrte në krahë.

- Po ajo është e rritur tani! - më thoshte djali.

- Po sikur ta lëshosh në tokë, ç’do të bësh pastaj? - i thoshte ai gjithmonë.

Djalit u bë si zakon që të mos i afrohej vajzës, sepse sa herë afrohej, ai e largonte, madje një herë e kapi aq fort nga krahu sa ia dëgjova thirrjet në kuzhinë ku po gatuaja. - Çfarë ke, zemra e mamit? - E çfarë ka? Asgjë s’ka. E largova se ia zuri frymën gocës.

- Po çfarë do t’i bëjë? E ka motër e do të luajë me të.

- Pse, kukull është kjo për të luajtur? - ai nuk kishte ndërmend të zbutej nga fjalët e mia. E kuptoja se e kishte të shtrenjtë vajzën, ama jo të mos e linte djalin të afrohej.

Nejse, situata të tilla kishte sa të duash. Unë mundohesha ta mbaja djalin afër dhe njëkohësisht të mos zihesha me burrin, por kjo gjë u bë shumë stresuese për mua.

- Nuk e di, më dukesh si e lodhur. - më thoshte motra sa herë takohesha me të.

- Po ja, si me fëmijë të vogël! - mundohesha të justifikohesha sepse nuk doja ta bëja të madhe këtë gjë.

- Po tani ajo është rritur! Ti nuk u dobësove kështu kur ajo qante pa pushim gjithë natën...

- Mirë jam, mirë. - e mbyllja bisedën me të.

Përveç kësaj, tani ai mendonte...

(Vijon numrin e ardhshëm)

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.