Nesër, në vendin tim mund të jeni ju!

Intervista - - HISTORI NGA JETA -

Ju shkruaj e shtyrë nga historia që lexova në këtë gazetë para pak kohësh me titull: “Jam martuar me zezak; prindërit nuk e pranojnë!”. Pasi lexova komentet e shumë personave aty, doja të përcillja këtë mesazh duke rrëfyer diçka nga jeta ime, të cilën kërkoj që ta publikoni dhe në gazetë...

Jam një vajzë 24 vjeçe dhe kam 22 vjet që jetoj në Itali. Më 28 Nëntor 2015 fillova të flisja me një djalë që ma prezantoi kunati im. Në fillim nuk isha e interesuar për këtë djalë, por kishte diçka që na mbajti lidhur. Më dukej sikur kisha kohë që flisja me të dhe të njëjtën gjë më thoshte edhe ai. Një ditë më kërkoi të dilja për darkë me të dhe unë pranova. Atë natë isha shumë e emocionuar, si hera e parë që ishte, por ai më bëri të ndihesha shumë mirë. Vazhduam të takoheshim shumë herë, por ai nuk më prekte as me një gisht. Kjo ishte një nga gjërat që më pëlqeu nga ai, po nuk arrija të kuptoja në qoftë se ai kishte ndjenja për mua.

Pas pesëmbëdhjetë herësh që ishim takuar, ai më puthi. Vazhduam lidhjen dhe takoheshim pothuajse çdo ditë. Për çdo gjë që bënim, merrnim mendimin e njëri-tjetrit, çdo gjë e bënim bashkë; edhe për diçka më të vogel, unë pyesja atë edhe ai më pyeste mua. Mbas 6 muajsh unë nuk kisha më çfarë gënjeshtrash t’u tregoja prindërve të mi dhe i thashë këtij djalit që duhet t’u tregonim prindërve për lidhjen tonë. Kështu, vendosëm, por unë kisha një problem që nuk tregoja dot. I tregova babit për këtë djalë. Mbas një jave do bënim fejesën dhe kishim planifikuar të bashkëjetonim, kur i kërkova babit t’i thoshte djalit të vërtetën, që familja ime ishte e përzier!

Erdhi dita kur do ta prezantoja djalin me prindërit e mi. Çdo gjë ishte në rregull derisa babai im i tregoi që gjyshja ime ishte racë tjetër. Në këtë moment, fytyra e të dashurit tim ndryshoi plotësisht. Të njëjtën ditë ai më kërkoi që unë të shkoja në shtëpinë e tij, që edhe ai të më prezantonte me prindërit. Në atë moment, mendova se për të nuk ishte problem që familja ime ishte e përzier. Vajta në shtëpinë e tij, më prezantoi me prindërit dhe çdo gjë shkoi mirë. Të nesërmen ai u tha prindërve të tij për familjen time të përzier dhe përgjigjja e tyre menjëherë ndryshoi: Ata nuk donin ta bënin fejesën!

Sot që shkruaj është data 18 Maj 2016 dhe e gjitha kjo ka ndodhur disa ditë më para. Unë jam këtu duke pritur një përgjigje... Shpeshherë pyes veten: Pse? Çfarë kam unë ndryshe nga të tjerët? Të gjithë njerëz jemi dhe jetojmë si gjithë të tjerët. Ku është problemi që gjyshja ime ishte dorë tjetër? Unë kam 22 vjet në Itali e jetoj mirë, punoj, kam mbaruar shkollën e lartë, kam një familje të mrekullueshme. Pse ne jemi kaq të prapambetur? Kur e do një person, duhet të vazhdosh jetën tënde, nuk mund të ndryshojë çdo gjë vetëm për një fakt pa rëndësi. Unë shoh shume çifte italiane të martuar me të huaj dhe nuk kanë asnjë lloj problemi.

Vetëm diçka dua t’u them këtyre që kanë komentuar jetën e kësaj vajze: Mos komentoni pa menduar sepse një ditë do krijoni edhe ju një familje dhe nuk i dihet, femijët tuaj me kë do t’i lidhë Zoti. Mos hyni në gjynah e mos shkatërroni jetën e fëmijëve, i lini të jetojnë, të dashurojnë e të krijojnë familje siç kanë bërë të gjithë, me atë që i do zemra. Mbani mend që një ditë të gjithë do vdesim dhe s’do marrim asgjë me vete. Një këshillë: Jetoni e lini mënjanë krenarinë dhe racizmin...

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.