Jemi në konflikt për pronën e trashëguar nga gjyshi

Intervista - - POSTA -

- Avokat Idajeti, kemi një hall të madh si vëllezër. Unë që po ju shkruaj banoj në qytetin e Shkodrës që prej vitit 1957. Babai im, Mihal Gjipali, nga viti 1944 deri në vitin 1957, ishte ushtarak në Tiranë dhe u transferua në Shkdoër, ku doli në pension në vitin 1980 si ushtarak. Ka vdekur me 6 maj 2012 në Shkodër. Ne jemi me origjinë nga fshati Çorraj i Sarandës. Problemi ynë është ky: gjyshi im nga babai (Taso Gjipali) ka vdekur në vitin 1960 në Çorraj duke lënë gruan dhe 6 fëmijë, 3 djem dhe 3 vajza. Babai im Mihal Gjipali ishte më i madhi nga djemtë dhe ka ikur nga Çorraji në vitin 1943 se doli partizan me Brigadën XII sulmuese. Erdhi në Çorraj në vitin 1947, i dha lekët gjyshit (babës së vet) për të ndërtuar dy dhoma shtëpi në fshat, u martua në vitin ‘48 dhe iku përgjithmonë me punë e banim në Tiranë. Xhaxhai i vogël shkoi në shkollë për oficer dhe iku dhe ai përgjithmonë në Durrës. Xhaxhai i mesëm (djali i të cilit na ka vjedhur shtëpinë që në vitin 2011) ishte nja dy vjet kryetar kooperative i fshatit 1956-1958 pastaj iku edhe ai përgjithmonë nga fshati si arsimtar në Vlorë. Mbas vitit 1980, shtëpinë e ka përdorur kooperativa si çerdhe. Në vitin 1987, shtëpia ka qenë gjysëm e rrënuar, pa mur rrethues dhe pa derë. Xhaxhai i vogël doli në pension si ushtarak në vitin 1989 dhe nga ky vit deri në vitin 2010 (kur vdiq) jetoi tërë kohën në fshat. Shtëpinë e rregulloi për bukuri dhe ne nipat shkonim në Çorraj çdo vit me mall të madh. Nga viti 2011 e deri më sot, djali i xhaxhait të mesëm, Anastas Gjipali, pa u marrë vesh me ne, në mënyrën më tinëzare dhe të pabesë ka marrë për vete dhe familjen e vet të tërë shtëpinë dhe ka hapur fjalë në fshat që “le të guxojë kush t’i afrohet shtëpisë nga djemtë e xhaxhallarëve”. Neve na kanë vdekur nëna e babai dhe kemi mall të shkojmë në fshat, ku na kanë lindur prindërit. Kemi 5 vjet që nuk shkojmë dot në fshat sepse i shmangemi një konflikti të sigurt. Megjithëse shtëpinë e ka ndërtuar gjyshi me lekët e babait tim, ne duam që ajo të ndahet në mënyrë të barabartë sipas ligjit në fuqi edhe për hallat. Ju lutem, zoti avokat, na ndihmoni me këshillat tuaja. Çfarë të bëjmë? Si të veprojmë dhe nga t’ia fillojmë? Djali i xhaxhait që na ka përvetësuar shtëpinë e gjyshit jeton në Tiranë. A mund të vëmë në dijeni Drejtorin e Përgjithshëm të policisë Tiranë? Presim me padurim këshillat tuaja. Do t’jua dimë për faleminderit për të gjithë jetën. Me respekt, Nestur Gjipali, Shkodër.

Av. Idajet Beqiri: -I nderuar zoti Nestur, së pari ju falënderoj për përshënde- tjet tuaja. E lexova me vëmendje sa shkruani dhe më kërkoni. Të drejtën e pronësisë mbi pasurinë e paluajtshme në Çorraj të Sarandës, rrjedhur nga trashëgimia ligjore, nuk mund t’jua mohojë dot askush, por ka një procedurë ligjore për të fituar këtë të drejtë pronësie. Jua them që në fillim se kjo procedurë është e vështirë të zbatohet nga vetë ju, aq më tepër që jeni vonuar së tepërmi, ndaj duhet të merrni patjetër një avokat në Sarandë, i cili do të ndjekë gjithë fazat e veprimit, deri në përfundimin e saj, me njohjen tuaj dhe të trashëgimtarëve të tjerë ligjorë të gjyshit dhe babait tuaj mbi pronat që keni në Çorraj. Fillimisht do të grumbullohen certifikatat e gjendjes familjare të gjyshit tuaj, certifikatat e të gjashtë fëmijëve të tij, mes të cilëve edhe të babait tuaj, si dhe certifikata e vdekjes së gjyshit.

- Një noter publik do të bëjë dëshminë e trashëgimisë për trashëgimtarët e gjyshit tuaj, domethënë do të përcaktohen të gjashtë fëmijët e tij trashëgimtarë ligjorë, të cilëve u takon nga 1/6 pjesë e pasurive. Pas kësaj, do të çelni dëshminë e trashëgimisë të babait tuaj të ndjerë, duke grumbulluar të gjitha certifikatat që ju përshkrova më sipër për rastin e gjyshit. Të njëjtën gjë do të bëni edhe nëse ka vdekur ndonjë fëmijë tjetër i gjyshit tuaj. Pasi të përcaktohen të gjithë trashëgimtarët ligjorë, njëri prej tyre, në rastin konkret ju, nëse pasuritë janë të regjistruara në Zyrën Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Sarandë, do të ngrini një padi në Gjykatën e rrethit gjyqësor Sarandë për të kërkuar fillimisht njohjen e të gjithë trashëgimtarëve ligjorë të gjyshit si bashkëpronarë të të gjitha pasurive. Më pas do t’i kërkohet Gjykatës pjesëtimi i këtyre pasurive midis të gjithë trashëgimtarëve ligjorë të të ndjerit, gjyshit tuaj... Përgatiti faqen: Valbona Vukulaj

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.