Një jetë në mes nxënësve e njerëzve

Intervista - - POSTA -

ar, flasin vetë… Flasin rezultatet e shkëlqyera që ai pati gjatë gjithë kohës në punën e tij. Për biografinë e mësues Feritit flasin më së miri qindra nxënës, vajza e djem, që mësoi e i përgatiti për t’u futur me guxim e kurajo në rrugën e gjatë e të pafund të dijes. Për personalitetin e këtij mjeshtri të madh të orës së mësimit, flasin dhjetëra kuadro të lartë: mësues, mjekë, agronomë, ekonomistë, ushtarakë e të tjerë, që mësuesi i tyre ua përgatiti me kujdes startin për të shkuar më larg, që ua hapi mjeshtërisht dritaren për ta parë e mësuar botën me guxim e në mënyrë shkencore. Portretin e këtij burri gjithë vlera, e shokut dhe e mikut të shtrenjtë e kanë të skalitur në mendje shokët dhe miqtë. Ata që patën fatin të punojnë me këtë njeri të mirë, të kompletuar, ndoshta nga vetë Zoti, nuk do ta harrojnë kurrë fjalën e pastër si drita, kuvendimin e drejtpërdrejtë, këshillën gjithë kujdes e të vyer të Ferit Dishës. Ishnxënësit, nuk do të harrojnë e do të kujtojnë gjithë mirënjohje dorën e ngrohtë që u përkëdheli kokën, kur u ulën në bankën e klasës së parë, mësuesin e dashur, të palodhur e të kujdesshëm. Biografinë e tij e lexojmë përditë te fëmijët që rriti dhe edukoi, te nipër e mbesa, të cilëve u dha një pjesë nga shpirti i tij i madh. Kush shkeli në odën e Dishëve provoi çiltërsinë, bujarinë, mikpritjen e pastër, pa kurrfarë interesi të këtij njeriu zemërbardhë. Shëngjergji do ta kujtojë mësues Feritin, si njërin nga mësuesit më të mirë, do ta kujtojë për punën gjithë kujdes e pasion në mësimin dhe edukimin e fëmjiëve dhe si burrin fjalëpakë, të drejtë, si etalon të ndershmërisë.

Pata fatin e bardhë që të dëgjoja nga goja e tij fjalën e fundit, të ndieja shtrëngimin e dorës, t’ia lexoja në sytë, që ende kishin një dritë të habitshme, sikur nuk do të shuhej kurrë, dashurinë e pashtershme për të dashurit e zemrës. Qe ndoshta një nga ato çaste që shumëkush nuk do të dëshironte t’i përjetonte kur sheh se si para syve të tu shuhet dalëngadalë një jetë, të jesh pranë, të ndiesh frymën e fundit, të dëgjosh një dëshirë e një porosi, të provosh, ndoshta, rrenqethjet më të egra, tek të shtrëngon dorën, mbase nga dëshira pafund për të jetuar, për të qenë ende midis njerëzve.

Përnjëherësh të shfaqen para syve momentet më kulmore, imazhe të së shkuarës, copëza kujtimesh që shfaqen e zhduken me shpejtësi e plotësojnë portetin e një jete të respektuar, ku koha dhe jeta kanë lënë gjurmët e tyre e ku lexohet qartazi plaga e pashërueshme që i shkaktoi ikja e parakohshme e të birit. Tek ndien vështrimin miqësor e të sinqertë, që duket se nuk ngopet së shikuari njerëzit e dashur që i deshi aq shumë. Të ndodhesh aty, kur i kërkon zonjës së shtëpisë, shoqes së jetës, që të respektojë, sipas traditës, me kafe e një gotë raki miqtë e të dashurit që vijnë ta shohin edhe në çastin kur zemra e lodhur përgatitet të pushojë në stacionin e fundit të udhëtimit tetëdhjetë vjeçar, kupton më së miri se njerëzit e mirë jetojnë me kuptim edhe finalen e jetës së tyre… I shtrirë, i mundur nga sëmundja, po gjithë qëndresë e kurajo, mësues Feriti na vështron të gjithëve, vetëm, në dritë të syrit, na flet me po atë zë kumbues, si dikur në klasë! Këto përjetova ato pak çaste, duke qëndruar pranë shtratit, tek ishte shtrirë, për të pritur fundin, mësuesi im i nderuar dhe miku i dashur e i paharruar, Ferit Disha.

Osman Hysa. Tiranë, 18 mars, 2016

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.