Kam rënë në dashuri me një maroken të martuar

Intervista - - FAQE 1 -

Sot që po ju shkruaj jam tridhjetë e pesë vjeçe, dhe si shumë vajza të tjera edhe unë kam patur historitë e mia të dashurisë. Si të them, më tepër më kanë dashur sesa kam dashur, shumë djem dhe burra kanë qenë të dashuruar me mua, por të gjitha këto histori ishin kalimtare, sepse unë nuk e gjeta asnjëherë dashurinë e vërtetë. Shoqëria dhe njerëzit e mi gjithmonë më thoshin se “ti nuk pëlqen njeri”, se kjo gjë do të ndikonte në jetën time, por unë burrin e jetës asnjëherë nuk e kam parë si një mjet për të thyer vetminë time, por si një njeri që do ta doja me gjithë zemër. Me pak fjalë, kërkoja njeriun ideal për mua. Jam një vajzë e shkolluar dhe me profesion ekonomiste. Jetoj në Tiranë. Në firmën ku unë punoj, më pëlqen gjithmonë të jem e para dhe mundohem të avancoj me njohuritë e mia. Di shumë mirë anglishten, italishten dhe vendosa që të mësoj edhe frëngjisht. Në shkollën ku u regjistrova kishte kurse të gjuhëve të ndryshme, që nga anglishtja e deri tek arabishtja. Unë zgjodha të hyja në kursin e frëngjishtes dhe të grupit mbi tridhjetë vjeç. Shkoja tre herë në javë. Në fillimet e kursit çdo gjë shkonte në rregull. Unë mundohesha të avancoja sepse ishte hera e parë që e studioja këtë gjuhë. Profesori shpeshherë na krijonte mundësinë për të bërë dialogë me njëri- tjetrin, por një ditë më ndodhi diçka e çuditshme me njërin prej pjesëtarëve të grupit. Ndoshta u shpreha gabim kur ju thashë diçka e çuditshme, por e përcaktova në këtë mënyrë sepse prej atij momenti filloi edhe historia ime që po ju tregoj sot.

Profesori caktonte dy persona për të bërë dialog me njëri- tjetrin dhe meqenëse ishim në fillimet e kursit, ne duhet të bënim një prezantim. Për të bërë dialogun e radhës, profesori më zgjodhi mua dhe një burrë rreth të dyzetave. T’ju them të drejtën, ishte mashkulli më i bukur që kisha takuar deri në atë ditë. Nga i gjithë kursi, ai binte në sy. Më parë nuk e kisha njohur, as ai mua, domethënë, nuk i ishim prezantuar njëri-tjetrit. Atë ditë, profesori na caktoi të bënim dialogun (kjo gjë nuk ishte e qëllimshme nga ana e tij, por rastësore, pavarësisht se gjërat vazhduan ndryshe). Dialogu vazhdoi kështu, sigurisht ishte frëngjisht, por unë po e shkruaj në shqip. Para se t’ju shkruaj dialogun, dua t’ju shpjegoj se pro- fesori që na jepte mësim ishte francez dhe si të huaj që janë, ata janë njerëz pa komplekse. Ndryshe nga profesorët e tjerë, ai kishte një metodë tjetër të të dhënit mësim. Në momentin që ti do të bëje një dialog me një tjetër pjesëtar të grupit, duhet të ngriheshe në këmbë dhe në njëfarë mënyre duhet të aktroje sikur njohja kishte ndodhur në realitet. Personat që arrinin ta realizonin këtë gjë në mënyrë perfekte merrnin duartrokitje nga grupi. Kjo ishte një mënyrë inkurajimi në mësimin e gjuhës. Të dy u ngritëm në këmbë dhe filluam dialogun. Ai më zgjati dorën.

Ai: - Përshëndetje! (në fytyrë kishte një lloj buzëqeshjeje sikur po më takonte për herë të parë dhe sikur ai ishte i interesuar për mua. Në të njëjtën mënyrë ia ktheva edhe unë, duke buzëqeshur ëmbëlsisht). Unë: - Përshëndetje! Ai: - Unë quhem Abslam. Po ju, si quheni?

Unë: - Unë quhem Fatma.

Ai: - Kënaqësi që ju njoha Fatma! (këtu, ai nuk duhet të përmendte emrin tim sepse kështu vepruan të gjithë, por ai si dukej nuk ishte i ndrojtur. Në të njëjtën mënyrë ia ktheva dhe unë).

Unë: - Kënaqësia është e imja Abslam!

Po kjo mënyrë dialogu nga ana jonë nuk i shpëtoi aspak syrit të profesorit, i cili filloi i pari duartrokitjen dhe u pasua nga grupi. Më pas, duke bërë shaka, ai tha:

- Kujdes Fatma, se Abslami është i interesuar për ty.

I gjithë grupi qeshi. Qesha edhe unë, por kur ngrita sytë dhe pashë se Abslami i kishte fiksuar sytë tek unë, provova një ndjenjë të çuditshme, ndjeva një boshllëk në stomak dhe kuptova se isha skuqur e gjitha. I ula sytë poshtë si e ndier në faj. Edhe pse nuk kisha bërë asgjë, m’u duk sikur kisha bërë një mëkat të madh, sepse e tillë u krijua situata. Pastaj ora e mësimit vazhdoi normalisht. Aty në kurs kisha njohur një shoqe, e cila më tregoi se ishte regjistruar në kursin për të mësuar gjuhën arabe. Ajo më tregoi se është shumë bukur të mësosh atë lloj gjuhe sepse të duket sikur ke komunikim me Zotin dhe Kurani ka më shumë vlerë kur e lexon në gjuhën arabe. Meqë unë nuk kisha angazhime të tjera dhe meqë kisha shumë dëshirë të mësoja gjuhë të huaja, vendosa të filloja edhe kursin e arabishtes. Ditën e parë që hyra në mësim isha me dhjetë minuta vonesë. Mësimi sapo kishte filluar kur trokita në derë. Dikush më hapi derën, po ç’të shikoja?! Para meje qëndronte Abslami. Për pak momente u pamë të dy në sy, unë shtanga nuk po kuptoja asgjë, por ai më foli në anglisht: - Hyr brenda, Fatma! Nuk po kuptoja asnjë gjë. Mendova se isha gabimisht në atë klasë.

- Më fal, duhet të kem ngatërruar klasën. Po kërkoj kursin e gjuhës arabe, – i thashë e shqetësuar.

Ai zgjati dorën nga klasa dhe më tha:

- Hyni jeni në klasën e duhur.

Nuk po arrija të kuptoja asnjë gjë, po ndihesha e hutuar. Abslami qëndronte në këmbë përpara dërrasës së zezë. U ula diku dhe po prisja të kuptoja se çfarë bënte ai aty. Ai filloi t’i drejtohej grupit duke i thënë se sot kishe ardhur një pjesëtare e re dhe përmendi emrin tim. Aty kuptova se ai ishte profesor i gjuhës arabe. Në fakt, kur shikoja atë që po shpjegonte, thoja me vete: “A është i njëjti njeri që takova në kursin e frëngjishtes apo jo?”. Atë ditë ai ishte ndryshe, kurse në ditën që po ju tregoj ishte veshur me kostum, ishte qethur dhe kishe hequr mjekrën (nuk mbante mjekër, por ditën që e njoha e kishte shumë pak, sa i krijonte një hije të bukur në fytyrë). Ai ishte aq i bukur sa nuk ngopeshe duke e parë. Sytë dhe vetullat i kishte të zeza, ngjyrën e lëkurës e kishte esmere, flokët e zeza. Kishte një trup të gjatë dhe një sjellje prej intelektuali. Ishte shumë i komunikueshëm dhe i përzemërt. Grupi e kishte filluar dy ditë më parë mësimin, ndërsa unë u regjistrova me vonesë dhe ai mundohej të më mësonte gjërat që kishin mësuar më parë, që edhe unë të arrija grupin. Nuk ju gënjej po t’ju them se ai kishte filluar të më pëlqente shumë. Mezi prisja të vinin ditët e kursit dhe e takoja në orën e frëngjishtes, ku ai ishte kursant si unë dhe në orën e gjuhës arabe, ku ai luante rolin e profesorit. Nuk e di a ishte metoda e tij e punës apo kështu ishte në të vërtetë, por asnjëherë nuk kisha njohur një mashkull me një komunikim aq të përzemërt. Nuk di t’ju them nëse këtë e kishte vetëm me mua apo me të gjithë. Fillova të ëndërroja për të, kishte raste që më dukej vetja si vajzë pesëmbëdhjetë vjeçare, doja të rrija gjatë gjithë kohës vetëm, rrija e menduar sa dhe kolegët në punë e kishin vënë re, kisha filluar të kujdesesha më shumë për pamjen time të jashtme.

Nuk e dija nëse edhe Abslami kishte të paktën një lloj simpatie për mua, sepse që ditën ku ne bëmë dialogun në kursin e ... (Vijon numrin e ardhshëm)

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.