Nga aksidenti, humba edhe burrin

Intervista - - FAQE 1 -

Të dashur lexues, unë që po ju shkruaj jam një grua që mund ta quaj veten njeriun më pa fat në këtë botë. Mund të ketë sa të duash gra që e mendojnë veten e tyre kështu, por kur të lexojnë historinë time, do ta kuptojnë se çfarë do të thotë të jesh me të vërtetë pa fat.

U martova në moshën 22 vjeçare, pasi kisha mbaruar shkollën e lartë. Për fat u futa menjëherë në punë. Jetoja në një qytet të vogël të Shqipërisë dhe sapo u martuam me burrin tim, blemë edhe një shtëpi se atëherë ishin me çmime jo shumë të larta. Pas vitit të parë të martesës, na lindi një vajzë. Ishte një dhuratë nga Perëndia.

Edhe pse jetonim në një qytet të vogël, siç ju thashë edhe më lart, bënim një jetë të mirë. Të dy punonim dhe jeta shkonte vaj, si i thonë, por diçka do të ndodhte që ta prishte këtë mbarësi. Prindërit e mi u shpërngulën në Tiranë dhe shumë shpesh shkoja për vizitë. Unë jetoja vetë me familjen larg Tiranës, kështu që më duhej të udhëtoja shpesh për në Tiranë. Kisha marrë patentën, por nuk i jepja makinës në rrugë të gjata. Vetëm nëpër qytet për ndonjë punë apo kur dilja me shoqet për kafe apo për ndonjë drekë. Kisha shumë shoqe dhe të gjitha më donin e nuk shihja ndonjë që të kishte inat ose mëri për mua. Mirëpo siç thotë edhe fjala e urtë, “shoku njihet kur të kesh nevojë”. Më poshtë, kur t’ju tregoj gjendjen time, do të lexoni se të gjitha këto shoqe tani nuk më marrin një herë në telefon e të kujtohen për mua.

Ishte e premte dhe nëna më tha në telefon se ishte e sëmurë e do të shtrohej në spital. U mërzita shumë dhe njoftova menjëherë burrin e i thashë të niseshim urgjentisht për Tiranë.

- Sot nuk nisemi dot se nuk vjen ai që më zëvendëson dhe do rri vonë në punë.

- Po nëna është shtruar në spital! - i thashë. - Është rëndë? - Jo, nuk është shumë rëndë, por duhet të shkoj se jam bërë merak.

- Po meqë nuk është rëndë, shkojmë nesër në mëngjes. Natën, çfarë do bësh për të?

- Ehu, dhe ti! Kur ka nevojë njeriu për ty, asnjëherë nuk i gjendesh.

- Nuk e kuptoj pse e ke me kaq ngut! Megjithatë, bëj si të duash ti. Unë nuk të ndaloj të shkosh te nëna jote. Merr makinën dhe nipin që t’i japë makinës.

E mora nipin në telefon, por ai nuk vinte dot të më shoqëronte se ashtu kishte një punë. Meqenëse unë e kisha patentën dhe kisha kohë që i jepja makinës, vendosa ta merrja makinën dhe të shkoja vetë në Tiranë. Vajzën e lashë te komshia derisa të vinte burri nga puna. Siç ju thashë më lart, nuk kisha bërë rrugë të gjata në timon, por mora guximin dhe u nisa.

Rruga nuk m’u duk shumë e vështirë. Më dukej njësoj si kur i kisha dhënë në rrugë të shkurtra. Pasi kishte kaluar gjysma e rrugës, më mori nëna në telefon. Në fillim nuk ia hapa. E lashë zilen deri në fund, por ajo më mori përsëri. Edhe për herën e dytë, e lashë t’i binte. Kur ajo i ra për së treti u bëra merak. “Ç’mund të ketë ndodhur?”, mendova dhe mora telefonin e i rashë numrit të saj.

- Çfarë ka? Je mirë? - i thashë pa folur ajo ende.

- Po unë jam mirë, por u bëra merak për ty. Mendova mos të ka ndodhur ndonjë gjë e keqe rrugës.

- Jo, jam mirë, po tani po i jap makinës kështu që më duhet ta mbyll. - në atë çast nuk kisha nevojë ta mbyllja se telefoni më ra në tokë nga përplasja me një makinë tjetër. Duke folur në telefon nuk e pashë makinën që vinte drejt meje dhe kisha kaluar në korsinë e gabuar. Ishte një përplasje e tmerrshme. Për pak sekonda isha mirë, por më pas nuk mbaj mend asgjë, vetëm zgjimin në spital. Te koka ime ishte babi me sytë me lot dhe burri im. - Si je, zemër? - më pyeti ai. - Mirë. Çfarë më ndodhi? - Tani je mirë. Ke bërë një aksident të vogël, - tha babai. – po tani çdo gjë shkon mirë. Doktorët thonë se je për bukuri. Në atë çast m’u kujtua nëna. - Po nëna si është? - Ajo shumë mirë është. Nuk e gjen gjë. Të bëri ty të vije me urgjencë dhe ja si përfundove. – kjo fjalë e pamatur e babit më trembi. Sapo më kishte thënë se isha shumë mirë e tani më tha “si përfundove”.

- Çdo gjë është mirë? - pyeta përsëri, e trembur nga fjalët e babit.

- Po, shumë mirë. Operacioni doli me sukses.

Në atë kohë kuptova nga fashot se kisha bërë një operacion në kokë. Kjo gjë më shqetësoi. Operacioni në kokë kishte dalë me sukses, por këmbët ende nuk po më jepnin përgjigje. Në fillim kujtova se nuk mund të ecja nga operacioni, por më pas kuptova se kisha mbetur e paralizuar. Kjo gjë më bëri të humbja shpresat për gjithë jetën.

- Nuk duhet ta marrësh keq. Është e përkohshme. - më thanë mjekët.

Nuk është se u besoja shumë, por të paktën kjo gjë po më ngushëllonte në ato momente. Nëna vajtonte për mua se mendonte se ishte ajo shkaktarja e aksidentit.

- Po të mos kisha telefonuar unë, asgjë nga këto nuk do kishin ndodhur.

- U bë tani mama. Edhe unë kam faj. Nuk duhej të nisesha vetëm.

- Dhe i thashë të më priste mua, por nuk i durohej. Kështu ka qenë gjithmonë kjo! - këto fjalë nga goja e burrit tim më tronditën. - Ç’janë këto? - A nuk të thashë të mos niseshe? Të prisje deri të nesërmen? Tani rri këtu, e paralizuar.

Jo vetëm unë, por edhe babi e nëna të cilët e admironin për tipin e tij të duruar e të shtruar, u habitën.

- Nuk duhet të flasësh kështu. Ka qenë e shkruar… - fjalët e babit u ndërprenë nga mjeku që hyri në dhomë.

- Për ne mund të dalësh kur të duash. Gjendja është e mirë. Duhet të bësh rregullisht terapinë për këmbët e kur të vish për kontroll, dua të jesh më mirë. Dakord?

- Dakord! - i tashë me gjysëm zëri, sepse ende nuk e kisha marrë veten nga sjellja e tim shoqi.

Dola nga spitali. Prindërit donin të më mbanin në Tiranë, por unë nuk pranova. Doja të isha në shtëpinë time. Pastaj, nuk doja ta largoja vajzën nga shkolla.

Kur u ktheva në shtëpi, sa s’më mbytën vizitat e njerëzve. Të gjithë më flisnin sikur më mëshironin. Nuk është se më bënin shumë përshtypje, por më shumë më zemëronte sjellja e burrit tim. Ai kishte ndryshuar tërësisht. Nuk rrinte shumë në shtëpi. Edhe kur vinte, më shumë rrinte në dhomën e gjumit se në kuzhinë ku isha unë dhe e kundërta, kur isha në dhomën e gjumit, ai rrinte në kuzhinë. Nuk mund ta toleroja këtë sjellje, prandaj një ditë i thashë:

- Nëse nuk je gati të jetosh me këtë gjendje, më mirë ndahemi. Pa mbaruar ende fjalën, ai tha: - Shumë mirë. E mora si një lajthitje të çastit dhe nuk e cyta më. Të nesërmen ai nuk erdhi në darkë. E mora në telefon, por nuk më përgjigjej. E mora me telefonin e gruas e cila kujdesej për mua. Ndoshta u bë merak dhe këtë herë e hapi. - Çfarë ka ndodhur? - Asgjë, po të marr të të pyes se kur do të vish, sepse zonja do të largohet.

- Po sikur më the që do nda- hemi...

- Kaq shpejt? Mezi paske pritur?!

- Po ti vetë e kërkove. Pastaj, ne kemi kohë që nuk jemi si më parë. – tha ai qetë.

- Po a ke ndonjë vend ku të rrish? Ti nuk ke pse ikën nga shtëpia e të dalësh rrugëve.

- Nuk jam rrugëve, jam te shtëpia e një miku në Tiranë. Tani po e mbyll. Natën e mirë!

Çdo fjalë e tij kishte kohë që më habiste. Kishte shkuar në Tiranë dhe as kishte ndërmend të më njoftonte nëse nuk do ta kisha marrë unë. Në atë çast m’u duk sikur më ra qielli mbi kokë. Shpërtheva në lot dhe kjo gjë bëri që t’i dhimbsesha shumë gruas që kujdesej për mua, ndërsa vajza u ul afër meje e më pyeste: - Çfarë ke mami? Ke dhimbje? - Jo zemër, jam mirë. Shko fli se nesër do shkosh në shkollë.

U mërzita shumë nga kjo që më bëri burri im. Ai duhej të më mbështeste e jo të më kthente krahët. Prindërit e mi u munduan që unë të kisha gjithçka, por mua më shumë se trupi, më dhimbte shpirti.

Por, koha shëron çdo plagë. Në këto momente, falë terapisë, unë eci me paterica. Në punë nuk shkoj më se kam raport. Shoqeve “të mira” të cilat nuk kam lënë lokal pa i çuar për dreka e darka, as nuk u bie ndërmend për mua dhe më kryesori, burri im, jeton në Tiranë. Ka gjetur një punë të mirë dhe një të dashur të bukur.

Ja, pra, kësaj i thonë të mos kesh fat.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.