Edi Rama: Si të justifikojmë braktisjen e parlamentit?

Intervista - - AKTUALITET -

Edi Rama këtë javë ishte shumë i shqetësuar se pothuajse gjithë gazetat kishin shkruar për anulimin e punimeve të parlamentit ditën e enjte, për arsye se deputetët dhe ministrat kishin shkuar në Francë për të parë ndeshjen. Për këtë ai i ka shkruar një e-mail Endri Fugës, e-mail i kapur nga Wikipedia- Intervista.

E-mail i Kryeministrit Rama, për Endri Fugën:

Endri, duhet me patjetër të gjesh sa më shumë arsye serioze që njerëzit të binden se Parlamenti nuk u mbyll për një ndeshje futbolli. Duhet që, të paktën, ministrat që kanë qenë në Francë për të parë ndeshjen, të nxjerin ndonjë justifikim serioz për vajtjen atje.

Po kështu, edhe ata që e panë në Tiranë, të gjejnë justifikime për shtyrjen e seancës. Nuk ka lezet të na tallin që nuk kishim kohë të vinim në seancë plenare se ishim duke u qurravitur për humbjen. Thuaji Tahirit dhe Bushatit të fshijnë ato statuset në Facebook se duken sikur, nga çasti në çast, do presin damarët nga hidhërimi.

Nuk dua që populli të mendojë që ne lëmë hallet e tyre për të parë ndeshjen dhe anulojmë parlamentin se na u prish gjaku nga humbja. Këtë mund ta bëjë ndonjë që vë skedina, por jo politikanët tanë që janë njerëz seriozë.

Duhet t’u shkruash çunave të dalin dhe të deklarojnë në media arsye serioze pse nuk ishin të pranishëm në seancë parlamentare. Unë personalisht di si do deklaroj. Kam një metodë që e mbaj mend që nga gjimnazi. Kur më pyeste mami pse nuk vajta në shkollë i thosha se mungonte zysha. E, pak a shumë, unë do them që vajta në parlament, por nuk kishte njeri dhe ika. U habita shumë që s’kishte ardhur njeri dhe pyeta pastruesen, si njeri që mund të kishte ndonjë info, pse nuk kishte ardhur njeri në seancë.

Kur nuk ia kishte idenë edhe pastruesja pse ishte anuluar seanca, nuk mendoj ta dinte njeri tjetër. Megjithatë, unë prita edhe gjysëm ore dhe prapë se prapë njeri nuk erdhi, kështu që i mërzitur u detyrova të ikja në Vlorë…

Normalisht, unë isha duke bërë plazh në Vlorë, po këtë pjesë mos ua shkruaj çunave se e dinë.

Mos harro t’u thaush se kam gjetur rastësisht në internet një faqe ku të studiojnë koficentët e ndeshjeve për të kapur ndonjë skedinë të sigurt.

E-mail i Endri Fugës për Kryeministrin Rama:

Shef Edi, Dimitër Bushati ka tri ditë që ka lidhur një shall të në kokë e po mban zi, nuk e ngre dot njeri nga krevati, kështu që nuk del dot të japë deklaratë. Maksimumi që mund të bëjë është të shkojë në tualet pa ndihmën e gruas.

Ndërsa në email më janë përgjigjur Tahiri dhe Ahmetaj.

Përgjigja e Tahirit është kjo:

Shef, çfarë kemi?! Unë personalisht e kam gjetur justifikimin pse nuk isha në seancë. Do dal të them që ishin helmuar nja dy policë e duhet t’u qëndroja pranë në qendrën spitalore “Nënë Tereza” për t’u ndërruar legenin sa herë kishin të vjella. Shef, ata policë na kanë nderuar dhe populli e di këtë, ndaj besoj që do ta respektojë si vendim.

Fundja ajo seancë s’kishte pse të bëhej. Se mos kishim ndonjë nen për të votuar… Maksimumi do kishte bërë sherr Erjon Braçe me Saliun e Ben Blushi me Gramoz Ruçin.

Mora vesh që Ben Blushi me Mimoza Hafizin kishin vajtur në parlament dhe nuk kishin gjetur njeri, madje kishin pritur edhe 3 orë se mos vinte ndokush. Kam frikë se do na e përmendin javën e ardhshme, prandaj ndërro justifikim se do të nxjerrin gënjeshtrën. Ose thuaj që unë vajta në parlament, por prita te kafja. Kështu shef, pa merak, se nuk të lë njeri të na mbajnë në gojë gazetat...

Përgjigjja e Arben Ahmetaj është kjo:

Si je shef?! Për kokën e gocave, humba skedinën. Nuk e besoj akoma që kemi humbur... Si ka mundësi që humbëm?! Ufff, ç‘na gjeti. Po pse humbëm, ekonomia jonë është rritur shumë?! Nuk i entuziazmoi ndopak futbollistët fakti që ekonomia jonë është rritur?

Më jep një mendje për justifikimin që do të them, sepse në fakt kam 2-3 alternativa. Një mendje më thotë të them për arsye mjekësore se më çorri macja dhe nuk vija dot se duhet të shtrohesha në spital, ndërsa një mendje tjetër më thotë që të deklaroj se e kisha gjyshen sëmurë. Kjo e gjyshes besoj se funksionon sepse e kam vërtetuar që funksionon edhe herë të tjera.

Këtë të gjyshes do them, se është si më e besueshme. PS. Çdo ngjashmëri

më Wikileaksin e vërtetë është e rastit

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.