Marsela Çibukaj: Si u bëra pjesë e turneut të Noemit…

Intervista - - MUZIKE -

I ka nisur studimet në muzikë për kanto dhe kitarë në moshën 14 vjeçare. Menjëherë mësuesit e cilësuan si mexo soprano me timbër blues/soul. Në Shqipëri Marsela u bë e njohur falë pjesëmarrjes së saj në kompeticionin muzikor “The Voice of Albania 1”, ku u vlerësua me vendin e dytë. Dashuria për muzikën, vullneti për të punuar pareshtur, por edhe talenti janë tre armët e saj të fuqishme me të cilat e kërkon famën edhe përtej kufijve shqiptarë... Kështu, nga mijëra konkurrentë, ajo u përzgjodh në “The Voice of Italy”, duke u bërë pjesë e ekipit të këngëtares italiane Noemi. Aktualisht, Marsela po jeton sa në Shqipëri, sa në Itali, ku është e ftuar në turneun mizkor të Noemit, pa harruar netët live në Shqipëri, por edhe paraqitjet në “Top shou”... Me Marselën jam njohur nga afër kur ajo mori pjesë në Festivalin e 53-të të këngës në RTSH me këngën “S’muj”, por jemi njohur edhe më shumë, kur e ftuar në programin “Muzika ime” në Radio Tirana 2, ajo rrëfeu për publikun karrierën e saj që nga zanafilla e deri në ditët e sotme. Me një vokal brilant që fle mirë në veshin e gjithkujt, përpos gjithë talentit, do të veçoja dhe dy cilësi të Marselës; ajo është një vajzë mjaft inteligjente dhe me zemër të madhe...

Sava Lena: - Përshëndetje Marsela dhe urime për këtë projekt të ri me këngëtaren italiane, Noemi! Si të erdhi ftesa për të qenë pjesë e turneut të saj?

Marsela Çibukaj: - Shumë faleminderit Sava! Ftesa më erdhi nga vetë Noemi. Ne kemi kontakte që nga viti 2013 gjatë pjesëmarrjes sime në spektaklin “The Voice of Italy”. Ajo, sapo pati mundësi, më kontaktoi për t’u bërë pjesë e projektit të saj më të ri.

- Cili ishte reagimi yt në atë moment?

- Normalisht, isha shumë e kënaqur, sepse nuk na ndodh çdo ditë të këndojmë me këngëtarë që sapo kanë marrë pjesë në “Sanremo”, ose që numërojnë bashkëpunime dhe suksese me gjigandët e muzikës italiane si Vasko Rosi, Fiorela Manoia, Xhuliano Sanxhorxhi (Negramaro), etj.

- Përgjigjja ishte e menjëhershme?

- Pa diskutim, përgjigjja ishte e menjëhershme: pooo. (Qesh)

- T’u desh të spostoje koncerte në Shqipëri?

- Normalisht, m’u desh të sakrifikoja disa data “live” në Tiranë, por po i rekuperoj duke bërë vajtje/ardhje me Shqipërinë.

- Çfarë ka vlerësuar Noemi te ti, që të përzgjodhi midis konkurrentëve të tjerë të ekipit të saj?

- Nuk e di, duhet pyetur Noemi në këtë rast. (Qesh) Mendoj se timbri i vokalit tim, pak blues, pak kadife. Ndoshta buzëqeshja ime shumë e ngjashme më atë të Monika Beluçit... Bëj shaka. (Qesh)

- Këto pjesëmarrje, përveçse të përmbushin shpirtërisht, mendon se do të ta hapin edhe më gjerë rrugën për bashkëpunime me artistë italianë?

- Çdo eksperiencë mendoj se është një mundësi e mirë për të mësuar, për të bërë njohje të reja e për të shkëmbyer përvoja dhe me siguri është një mundësi më tepër për të zgjeruar kontaktet që një ditë mund të të shërbejnë në atë që bën, qoftë për një infor- macion, për një këshillë apo bashkëpunim.

- Në sa koncerte dhe në cilat qytete do të jesh pjesë e turneut?

- Deri tani janë disa data gjatë verës në Itali. Fillimisht ishim në Sardenjë, në Romë, gjatë kësaj jave do jemi në Padova etj., në pritje të turit “Cuore d’Artista”, titull që mban edhe albumi i fundit i Noemit, i cili nis në vjeshtë.

- Ti ke qenë në këtë turne edhe në Romë, ku ke shumë kujtime. Si ju priti publiku aty?

- Ky koncert që nisi nga Sardenja para disa javësh, do të pasohej me Romën dhe me radhë. Në Romë na priti një publik fantastik, shumë duartrokitje, foto, komplimente. Energji shumë e ngrohtë në skenë dhe jashtë saj.

- Dje, Noemi ishte trajnerja jote, ndërsa sot, ti je e ftuar në koncertet e saj. Ç’do të thotë kjo për ty?

- Do të thotë që muzika është një gjuhë, një mënyrë komunikimi universal, që nuk e vë re prejardhjen, etninë, orientimin fetar apo atë seksual, pozicionin shoqëror apo atë profesional. E rëndësishme është që ajo bashkon njerëz të ndryshëm, të cilët nëpërmjet muzikës shkëmbejnë emocione, energji, dritë.

- Ti je një artiste e kompl- etuar. A mendon se duhet edhe pak fat për ta shpalosur këtë talent edhe më gjerë?

- Jam gjithmonë e bindur që suksesi i një personi, në çdo fushë profesionale, është gjithmonë rezultati i disa elementeve kryesore. Perveç talentit, duhet të gjendesh në momentin e duhur, në vendin e duhur dhe me personat e duhur. Me siguri, ky quhet fat.

- Di që ke miqësi me artistin e talentuar shqiptar shumë të suksesshëm në Itali, Ermal Meta (fitues i çmimit të tretë në “Sanremo”). A do të ketë ndonjë bashkëpunim mes jush?

- Jo, të paktën për momentin. E ndjekim njëri-tjetrin në hapat që secili po bën në karrierë përtej distancës dhe pa diskutim, vlerësimi ndaj një artisti 360° të kompletuar si Ermali, është e pamasë. Mendoj se janë të rrallë perla me DNA shqiptare që ushqejnë botën me talentin e tyre origjinal.

- Ndërkohë, të shoh shumë aktive në netët live në Tiranë, por edhe në Top Shou. A mund t’i përballosh me sukses të gjitha këto aktivitete?

- Pooo! Përballohen edhe shumë mirë madje. Unë vij nga një familje e thjeshtë. Prindërit e mi janë të dy punëtorë të palodhshëm dhe kur mendoj se ka njerëz që bëjnë punë fizikisht të rënda, me orare absurde dhe me pagesa shpeshherë të pamjaftueshme, kuptoj që nuk më lejohet të ankohem, por të punoj më shumë dhe me buzëqeshje falënderuese për mundësinë që më është dhënë në jetë.

- Sa i përket repertorit tënd, kjo kohë e ngjeshur të ka shërbyer edhe si një frymëzim për krijime të reja?

- Herë jo, herë po. Krijimtaria ka nevojë për kohë, qetësi dhe përqendrim, por di të them që flaka e krijimtarisë është ndezuar, kemi hedhur diçka në zjarr dhe sapo të jetë kavardisur mirë, do ta prezantoj në treg.

- Këngët e albumit tënd do jenë të një zhanri të caktuar apo do të kenë materiale të ndryshme?

- Të një zhanri të përcaktuar, pop/soul, pop/blues me elemente eletronike.

- Do kesh bashkëpumine me artistë të tjerë në këtë album?

- Jam ende në fazën e përpunimit të ideve, gjithçka tjetër do të mendohet gjatë rrugës. Kam në mendje disa artistë shqiptarë me të cilët do të më pëlqente të kisha një kujtim në aspektin muzikor, por të shohim.

- Kur mendon se mund të jetë gati ky album?

- Nuk e di! Sa herë kam përcaktuar një datë, të them të drejtën, nuk e kam respektuar. Këtë herë nuk po prononcoj asgjë, vetëm shpresoj që të vijë sa më shpejt.

- Do të të shohim në festivale?

- Jooooooo! Është një “jo” kategorike, të paktën derisa në Shqipëri të zhduket korrupsioni, nepotizmi dhe mentaliteti materialist në muzikë, ashtu edhe si në fusha të tjera të artit. Dua transparencë, dinjitet dhe bukuri, për hir të artit që fatkeqësisht këta pseudo artistë po e degradojnë dita-ditës, për hir të traditës sonë që lakmohet nga e gjithë bota, për hir të atyre që po luftojnë për çka është e bukur e me vlerë dhe lavdi Zotit që në Shqipëri ka ende të rinj që duan ndryshimin, duan lezetin, duan meritokraci dhe këto po shtohen dita-ditës. Nuk dua të jem bashkëpunuese apo dëshmitare e kësaj mënyre të vepruari sepse mendoj se kemi të gjithë përgjegjësinë mbi çfarë do t’u lëmë brezave të ardhshëm.

- Ku do t’i kalosh pushimet në këtë verë të nxehtë?

- Një pjesë të pushimeve do t’i kaloj në jug të Shqipërisë, ndërsa pjesën tjetër në Greqi. - Kush do të të shoqërojë? - Do jem me familjen dhe pjesën tjetër me shoqërinë e me miken time, Ivën.

- Çfarë do të shtoje së fundmi?

- Asgjë më tepër, thjesht u uroj pushime plot diell të gjithë atyre që më duan dhe më përkrahin në këtë rrugëtim të vështirë e plot shkallë që quhet muzikë. Ju kam xhan! Një tjetër urim special kam për kombetaren tonë, i uroj shumë fat; do jemi në çdo hap të kampionëve tanë, me zemër dhe me mendje. Faleminderit edhe ty Sava, që je gjithmonë plot ëmbëlsi dhe humanizëm në punën që bën.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.