Big Mama: Pse e lashë tregun turk për shqiptarët

Intervista - - MUZIKE -

Ajo është “big” në muzikë, në televizion, në komunikim, në gjithçka. Besjana Kasami, ose siç njihet në art, Big Mama, këtë verë do të sjellë tri këngë të reja, njërën prej të cilave baladë. Momentalisht, ajo është në Turqi dhe ne do të zbulojmë se çfarë bën ajo atje. Big-u na ka rrëfyer edhe shumë gjëra të tjera për lexuesit tanë...

Fabjola Kuburi: - Përshëndetje Big! Është verë... do sjellësh gjëra të mëdha, apo jo?

Big Mama ( Besjana Kasami): - Nuk mund të imagjinohen gjëra të tjera nga unë. Ashtu siç jam, ashtu i bëj edhe gjërat. ( Qesh) Mjafton të keni durim dhe të prisni, asgjë më shumë.

- Tani që po flasim, je në Turqi. Më thuaj, ç’po bën atje?

- Jam pjesë e emisionit që po realizoj, së bashku me stafin dhe dy fituesit e lojës me çmime që kisha. Dy çifte kanë fituar nga një udhëtim turistik në Turqi dhe unë i shoqëroj e njëkohësisht kam realizuar edhe materiale të bollshme këtu.

- Me sa di, po përgatitesh të lançosh tri këngë njëherazi...

- Po, është dashur të lançohen njëra pas tjetrës të gjitha, po për shkak të kohës që e kam pasur shumë të limituar, më është dashur t’i shtyj.

- Nëse flasim për fitimet e këngës, ç’mund të më thuash?

- Muzika ka fitime, por edhe shumë harxhime. Edhe sikur një këngë të jetë megahit, vetëm emër të jep, asnjë fitim nuk të sjell.

- Sa këngë ke publikuar deri tani?

- Oh, u bënë shumë, nuk i numëroj dot! Janë vërtet shumë . (Buzëqesh)

- A mund të përkufizohesh si “bigu” i suksesit?

- Nuk e di nëse do mund t’ia dal me këtë përkufizim, sepse është shumë e vështirë, nuk është gjithçka e pastër dhe e lehtë ashtu si duket. Për të parë se sa “e lehtë” është, duhet të provosh.

- Di që po realizon edhe një baladë. Kush e dha idenë për të?

- Unë. Nuk ka shanse që pas 2- 3 këngëve ritmike të mos realizoj një baladë. Ja, nga këto tri këngët e reja, kam një baladë të punuar nga Ilir Be- rani, i cili është mjeshtër i tyre. Ideja ka qenë e imja dhe është realizuar mjeshtërisht nga ai.

- Sa të vështirë e ka një këngëtar i ri të realizojë një bashkëpunim me një femër super të kërkuar në shoubizz, si ti?

- Në fakt, nuk është se i zgjedh unë personat apo këngëtarët. Kur shoh që ka një projekt të bukur, sigurisht që mund të pranoj, por të jem realiste, nuk mund të bëj këngë me të gjithë se pastaj ngela rrugëve. (Qesh) Në këtë gjë, ndikon patjetër edhe miqësia që na lidh e kështu me radhë. Nuk jam e vështirë në bashkëpunime, por sidoqoftë, kam edhe unë kushtet e mia.

- A ka Bigu shumë teka gjatë xhirimeve?

- Si mund të ketë teka një “big”?! ( Qesh) Kam kërkesa, jo teka.

- Cilin zhanër muzikor nuk ke provuar ende ta këndosh?

- Ka disa zhanre që nuk i kam provuar, rep, opera klasike, hip hop... Nuk e di nëse do t’i provoja.

- Vazhdon të jesh singëll?

- Deri në momentin që do të deklarohem publikisht sepse atëherë kur ta bëj publik të dashurin, edhe do martohem dhe me të do më ndajë vetëm vdekja.

- Propozimi më i bukur që ke marrë?

- Propozime marr çdo ditë. Më i bukuri nuk më kujtohet, por shumica janë qesharakë.

- Kaq shumë sa po rritet fama jote, ku synon të arrish?

- Nuk kam ndonjë synim, thjesht të kem vazhdimisht suksese. Kisha synim tregun turk, e fillova ëndrrën, e pashë se ishte shumë e vështirë dhe iu ktheva shqiptarëve.

- Provokon në klipe me interpretim, por edhe me këngë. E bën me qëllim, apo të vjen natyrshëm?

- Epo i ka dalë nami se provokimi shet, prandaj dhe unë provokoj. (Qesh)

- Dëshira më e madhe që ke për momentin...

- Të bëj pak pushim se kam ngelur nëpër koncerte, mbrëmje muzikore, ahengje familjare, xhirime emisioni. Jam lodhur, më besoni.

- Gjëja që nuk e duron dot...

- Mosmirënjohja dhe tradhtia.

- Thashethemi më i madh që ke dëgjuar për veten?

- Ka aq shumë sa nuk i mbaj mend. Jam mësuar tashmë dhe nuk më bëjnë përshtypje aspak.

- Zhgënjimi më i madh që të ka shenjuar në zemër?

- Nuk besoj se ka njeri që gjatë gjithë jetës nuk ka pasur zhgënjime. Edhe unë, njeri jam.

- Pasioni më i madh që ke... - Udhëtimet. - Profesioni i dytë që do ta bëje me shumë dëshirë?

- Nuk e di, ndoshta aktore?!

- Po të ishe seksi i kundërt, çfarë do të bëje ndryshe me çfarë po bën?

- Të dashurat, do t’i ndërroja çdo ditë. ( Qesh)

- Zgjohesh në mëngjes, del para pasqyrës dhe i thua vetes “Big…

- … akoma je gjallë bre, pas gjithë asaj lodhjeje ditore?!”.

- Kë të marr e kë të le… Kë do merrje e kë do lije, mes një simpatiku jo shumë të zgjuar dhe një më pak simpatiku, por tip?

- Mendja ime gjithmonë do mbetet te një person zemërmirë dhe xhentëllmen.

- Cila do të jetë lista jote e këngëve për verën?

- Dëgjoj muzikë të të gjitha zhanreve dhe në gjuhë të ndryshme, shqip, anglisht, turqisht.

- Është më mirë të fitosh një llotari apo një festival ( konkurs muzikor)? Pse?

- Sigurisht, një llotari, çfarë flet?! Aty është leku. Në festival thjesht fiton çmimin. (Qesh)

- Të është ngulitur ndonjëherë ndonjë gjë në mendje, që pastaj të është kthyer në fiksim dhe mezi e ke hequr?

- Kam akoma frikë aeroplanin.

- Mban hajmali me vete?

- Jo, nuk mbaj. Kur isha e vogël kam mbajtur, por tani jo.

- Në fund, meqë jemi në muajin e Ramazanit, ke ndonjë urim për publikun tënd dhe për lexuesit tanë?

- Le të jetë ky muaj i shenjtë, muaji kur i madhi Zot të na i falë mëkatet e bëra, besimtarëve agjërim të lehtë, kurse lexuesve të gazetës më të madhe e më të mirë shqiptare “Intervista”, jetëgjatësi e sa më shumë suksese.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.