Fadil Riza: Nuk bëj kompromise në emër të muzikës!

Intervista - - MUZIKE -

Fadil Riza është një këngëtar që nuk i mungon as talenti dhe as performanca. Ëndrra e tij, që në fëmijëri, ka qenë muzika, gjë që e realizoi vetëm pasi emigroi në Gjermani, ku jeton e punon. Megjithatë, ai dëshiron që karrierën e tij ta realizojë këtu. Fadili ka në treg tri albume me këngë dhe po përgatitet të nxjerrë të katërtin, tetë klipe dhe së shpejti do të lançojë edhe klipin e nëntë. Në intervistën që realizuam me të, do të njiheni më mirë me Fadilin dhe pasionin e tij për muzikën...

Fabjola Kuburi: - Fadil, çfarë duhet të dijë publiku për ty?

Fadil Riza: - Përshëndetje. Fadili është një djalë nga Kosova që dashuron muzikën dhe këngën, jeton jashtë shtetit prej vitesh dhe më mungon shumë Kosova e Shqipëria, prandaj vij shpesh dhe ia kaloj mirë këtu. Kam tre albume ne treg dhe po përgatis të katërtin, ndërsa sapo kam sjellë edhe këngën time në bashkëpunim me një këngëtare shumë të talentuar kosovare siç është Xhemilja. Kjo këngë, me titull “Ki mem dasht” është pritur shumë mirë nga publiku.

- E ndërkohë, si lindi kënga te ti?

- I kam hyrë botës së muzikës qëkur isha i vogël, por për arsye të ndryshme personale nuk munda të merresha me të. Më pas, pasi jetova për shumë vite në Evropë, më saktë në Gjermani, që nga viti 2007 i jam përkushtuar këngës dhe jam shumë i lumtur me arritjet e mia. Kam zërin dhe më mjafton kjo.

- Emocionet të nxisin për të kënduar apo është kënga që ta jep emocionin?

- Kënga më jep emocion, më jep atë që të gjithë do të donin të ndienin, mirësinë dhe kënaqësinë e shpirtit.

- Çfarë do të thotë për ty të jesh këngëtar?

- Të qenët këngëtar është pasion i shpirtit tim, është përmbushja e jetës sime.

- A ke diçka të veçantë për të shtuar për këngën e muzikën tënde?

- Kënga ime ka të bëjë me realitetin, me origjinalitetin dhe me shprehjen e jetës reale. Unë këndoj me ndjenjë dhe kënga ime ka baza, prandaj është e veçantë.

- Na përmend disa nga këngët e tua më të suksesshme...

- Për mua, të gjitha këngët që kam realizuar janë shumë të bukura, por do të veçoja disa prej tyre, që janë pritur jashtë mase mirë nga publiku. Këto janë bashkëpunimi me 52Onin dhe Gesi “Ani Ani”, “Qare s’kam”, “Ku ndodhesh ti”, “Jeta e jetimit”, “Maturant” dhe kjo e fundit “Ki mem dasht”.

- A mund të thuash që 2016-a është një vit i suksesshëm për ty?

- Po, po, ky vit vërtet ka qenë i suksesshëm për mua. Shpresoj të jetë kështu deri në fund të tij.

- Thuhet se njeriu është pjesë e këngës. Si mund të jetë kjo?

- Me anë të këngës ti shpreh atë që ndjen ose atë që shikon te të tjerët dhe e pasqyron në vargje dhe melodi.

- A mendon se ke gjetur pritjen e duhur nga publiku?

- Po, më presin dhe më kanë pritur shumë mirë. Kudo ku kam qenë i ftuar, në koncerte apo në evente të ndryshme e në gëzime familjare, më kanë pritur jashtëzakonisht mirë.

- Cila është ajo pyetje që të ka vënë më në siklet, përballë një gazetari?

- Nuk më ka vënë asnjë gazetar në siklet deri më sot. Një gazetar i mirë duhet të dijë të drejtojë pyetje të zgjedhura dhe të përshtatshme për personazhin. Kjo ndikon te të dyja palët.

- Sa i lidhur je me familjen dhe sa kohë i kushton asaj?

- Shumë i lidhur. Familja është jeta ime.

- Kam vënë re që të pëlqejnë bashkëpunimet...

- Kënga ime e re është një bashkëpunim shumë i bukur që shpresoj të pëlqehet. Kur ka bashkëpunim, ka ndërthurrje talentesh dhe kombinohen zërat dhe zhanret.

- Si e përshkruan veten ti, në tregun muzikor shqiptar?

- Jam vetvetja, thjesht vetvetja. Ky kam dashur të jem dhe ky jam.

- Ku e shikon veten pas 10 vjetësh?

- Aty ku ta ketë shkruar Zoti, aty ku kam ëndrrën, me muzikën gjithmonë pranë meje.

- A ka rregulla të caktuara për të pasur sukses në art?

- Rregullat i vendos vetë artisti se çfarë roli do të zgjedhë dhe se çka kërkon. Nuk është se ka ndonjë lloj vështirësie.

- A të është dashur të sakrifikosh diçka për karrierën tënde?

- Nuk më është dashur të sakrifikoj asgjë, kam bërë atë çfarë kam synuar dhe kështu do të jetë gjithmonë.

- Cili është kompromisi që të është dashur të bësh në emër të muzikës?

- Nuk bëj kompromise në emër të muzikës.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.