Shqipëria luajti me zemër

Intervista - - AKTUALITET -

(Vijon nga faqja 3)

- Dhjetë, thuaj! Kam edhe një vit tjetër. (Qesh) Nuk mendoj se më shkojnë kot. Mjekësia më pëlqen dhe nuk është keq të kesh nje profesion si mjekësia. Më pëlqen të bëhem doktor, ndërkohë që dua, gjithashtu, të ndjek pasionin tim për humorin dhe, pse jo, të realizoj endrrën time për t’u bërë aktor i njohur. Por, edhe po nuk u bëra, nuk mërzitem, diplomën e mjekut e kam në xhep...

- Kur e vure re për herë të parë qe kishe talent për humor?

- Që në shkollë nëntëvjeçare kisha qejf të bëja shaka me shokët. Mbaj mend se në gjimnaz kishim detyrë të mësonim diçka nga Molieri. Unë e mësova përmendësh nga fillimi në fund të gjithë komedinë “Prapësitë e Skapënit” dhe e recitova para klasës. Mësuesja u habit e më vuri notën maksimale 20, që ishte një gjë mjaft e rrallë… Pastaj, kur fillova mjekësinë, nisa të bëja video humoristike me temë nga jeta e studentëve të mjekësisë e t’i hidhja në Youtube. Dalëngadalë, duke u shtuar klikimet, u shtuan edhe videot, derisa arrita të krijoja kanalin tim.

- Edhe videot e fundit per kampionatin evropian kanë patur shumë klikime… E ndjek futbollin?

- Shumë dhe nuk jam specialist i keq. Shumë nga parashikimet që kam bërë për ndeshjet më kanë dalë. Ja, shikoni videot!

- Si e parashikon ndeshjen tonë me Rumaninë të dielën?

- Parashikoj fitore të Shqipërisë dhe një kualifikim të saj për turin tjetër.

- Si t’u duk ndeshja me Francën?

- Ndeshja me Francën ishte shumë e bukur. Shqiptarët luajtën me zemër, me kurajo, por... u lodhën në fund! Gjynah, se e meritonim një pikë.

- Është e vërtetë që francezëve u bëri përshtypje për mirë tifozeria shqiptare?

- Shumë, shumë përshtypje të mirë! Këtë më tha edhe shoku im më i ngushtë francez që ishte në Marsejë për të parë ndeshjen. “U kënaqa me tifozët shqiptarë, janë shumë simpatikë”, më tha ai dhe më dërgoi një foto që kishte bërë me ta.

- Më thuaj të drejtën, ti e ndjen veten më tepër francez, apo shqiptar?

- T’ju them të drejtën, francez, edhe pse Shqipërinë e kam në zemër. Jam francez me origjinë shqiptare dhe jam krenar për këtë dualitet që kam në shpirtin dhe në kulturën time. Unë nuk harrroj nga vij, ashtu sikurse nuk harroj çfarë më ka dhënë një shtet si Franca...

- Shqiptarët nuk e kuptuan që je shqiptar. Po francezët, e kuptojnë që nuk je francez?

- Asnjëri nuk e merrr vesh se ç‘jam. Në Shqipëri më marrin për francez, ndërsa në Francë, duke u nisur nga pamja, më marrin për nordik, për turist suedez, ose anglez... Asnjëri nuk më merr për shqiptar...

- A bëjmë një test të shohim se çfarë je më shumë, shqiptar, apo francez? E nisim me shakatë e videos tënde: Flet me zë të lartë në celular?

- Jo, kurrë! Jam njeri shumë i qetë... - As kur nxehesh? - Jo, atëhere bërtas. Sidomos kur nxehem me babain, i bërtas në shqip. Ashtu më shijon më shumë... ( Qesh)

- I pyet njerëzit kur i takon për shëndetin e tyre, për fëmijët, të afërmit, ashtu siç ironizon me shqiptarët në video?

- I pyes, por jo si shqiptarët. I pyes kot, me një fjali, sa për të thënë, siç e bëjnë francezët.

- A ha shumë, siç ironi- zon ti me shqiparët?

- Aaaaa, në këtë drejtim jam shqiptar. Ti e di se francezët hanë fare pak kur shtrohen në tavolinë. Unë, kur jam i ftuar për të ngrënë te ndonjë francez, ha përpara në shtëpi, sepse e di që atje nuk do ngopem. Por, kur vjen ndonjë shok francez tek unë, ai largohet shumë i kënaqur, sepse ha për dy javë. (Qesh) Ishte e bukur kur shkova në Shqipëri me shokët e mi francezë të fakultetit. Ndenjëm 10 ditë. 10 kile shtoi secili prej tyre. “Kuzhina juaj është fantastike, më thanë. Të mbush barkun”...

- Preferon gjellët shqiptare apo franceze?

- Të dyja! Kuzhina franceze është kuzhina më e mirë në botë. Krahasuar me atë, shqiptarja është e thjeshtë fare. Por, për mua, gjella më e mirë është tava me patate që bën mami im...

- Mishin e preferon në hell, si shqiptarët, apo të pjekur në furrë si francezët?

- Ah, mos ma kujto qengjin në hell që haja në Shqipëri! Më vjen keq që francezët nuk e përdorin fare këtë lloj gatimi…

- Preferon raki, apo shampanjë franceze?

- Shampanja është pije për çupat, por është e mirë, dreqi. Mua më pëlqen shumë edhe rakia dhe ia këpus ndonjëherë ndonjë dopio me babain. Kot, për qejf… Më pëlqen rakia që bënte gjyshi im. E qante fare...

- Kafe turke, apo kafe me filtër, si francezët?

- Nuk e pi fare kafen. Por, në shtëpi, prindërit bëjnë çdo javë kafe turke që të shikojnë filxhanin.

- Çfarë makine ke? Benz, siç e ëndërrojnë të gjithë shqiptarët?

- Mercedes! Vetëm Mercedes. E kam vendosur që gjithmonë do të kem vetëm Benz! Dojçe kualitat! Këtu në Francë, kur ke një Mercedes, të shikojnë ndryshe, sikur kush e di kush je. Nuk e dinë se në Shqipëri Benzi është makinë popullore...

- Po të dashurën e ke shqiptare, apo franceze?

- Aaaa, kam patur nga të tëra llojet. Këtu në Nisë vijnë shumë turistë gjermanë, suedezë, amerikanë e të tjerë e të tjerë dhe unë, bjond simpatik, me sy bojëqielli… E kupton vetë ti tani...

- Po shqiptaret nuk vijnë për pushime fare këtu?

- Në fakt, kam shumë qejf të takoj një vajzë shqiptare. Kam parë shumë vajza simpatike që e kanë pëlqyer e shpërndarë videon time. E di që janë të bukura gocat shqiptare?! Mbase ia vlen të bëj më tepër video me temë nga Shqipëria…

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.