Këtë javë, me doktoreshë Detina Zallin, biseduam për kancerin. Ajo na solli lajme të mira, shpresëdhënëse për “sëmundjen e shekullit”...

Intervista - - SHENDET -

Adrian Rakipi: - Së pari, do të na thoni shkurtimisht se ç’është kanceri?

- Kanceri ndodh kur qoftë edhe një qelizë e vetme në një ind dëmtohet gjenetikisht dhe në mënyrë progresive prodhon qeliza si pasojë e një shtimi të pakontrolluar. Disa qeliza kanceroze fitojnë aftësinë për të depërtuar në enët e gjakut, duke pushtuar kështu vende të tjera në trup. Ky proces që pason rritjen tumorale, quhet metastazë.

- Cila është karakteristika themelore që e bën kancerin një sëmundje ende shumë të vështirë për trajtim dhe me nivele të ulëta të zh- villimit?

- Qelizat kanceroze kanë një sërë vetish që i bëjnë ato të ndryshme nga qelizat normale të organizmit, por mund të përmendim disa prej tyre. Qelizat normale komunikojnë vazhdimisht me sinjale me njëra-tjetrën dhe çdo qel- izë normale ka aftësinë të njohë dhe të zbatojë sinjalet kur ka arritur periudhën e mbarimit të funksionit të saj. Ndryshe ndodh me qelizat kanceroze. Ato bëhen “kryeneçe”, nuk i njohin këto sinjale dhe rrjedhimisht, vazhdojnë të riprodhohen duke u shpërndarë më pas në të gjithë organizmin e njeriut e duke bërë një lloj pushtimi të tij. Kjo aftësi për t’u përhapur lidhet drejtpërdrejt me jetën e pacientit, në rastin konkret, duke ulur mundësitë për mbijetesë.

- Na thatë paraprakisht se studimet e fundit për këtë sëmundje kanë sjellë rezultate shpresëdhënëse...

- Po, shkencëtarët e “Imperial College” në London kanë zbuluar se një molekulë kyçe në qelizat e kancerit të gjirit dhe të mushkërive mund të ndihmojë në ndërprerjen e aftësisë së kancerit për t’u përhapur në trup. Kërkuesit panë në qelizat e kancerit të gjirit e të mushkërive se një proteinë e quajtur MARK4 i lejon qelizat të shkëputen dhe të lëvizin në pjesët e tjera të trupit, si për shembull, në tru dhe në mëlçi. Megjithëse shkencëtarët janë të pasigurt se si e bën këtë, një teori është që ajo ndikon në skeletin e qelizës, duke e lejuar atë të lëvizë më me lehtësi në trup. Qëllimi i shkencëtarëve është që ta pengojnë këtë lëvizje duke inaktivizuar gjenin që prodhon MARK4 dhe u zbulua se këtë mund ta bëjë një molekulë e quajtur “miR-515-5p”.

Shkencëtarët përdorën qelizat e kancerit të gjirit dhe të mushkërive për të treguar që molekulat “miR-515-5p” e bëjnë “të heshtur” gjenin MARK4. Më pas ata e konfirmuan këtë përfundim në provat me minj, gjë që tregoi se duke rritur sasinë e “miR515- 5p”, parandalohet përhapja e qelizave kanceroze. Studimi gjithashtu zbuloi se molekula që e inaktivizon gjenin është gjetur në nivele të ulëta në tumoret që përhapen në trup.

Më pas, skuadra vërtetoi se pacientët me kancer të mushkrive, apo të gjirit, të cilët kishin nivele të ulëta të këtyre molekulave silencia- tore, ose sasi të larta të MARK4, kishin shkallë më të ulët të mbijetesës.

- Si dhe kur mund të gjejnë zbatim të dhënat që përftohen nga ky zbulim për pacientët që vuajnë nga kjo sëmundje?

- Përfundimet e mësipërme vërtet janë konfirmuar në provat me minj, por ka ende punë, pasi ky është një kërkim në fazat fillestare, kështu që na nevojiten më shumë studime për të kuptuar më shumë rreth kësaj molekule dhe nëse ajo është e pranishme në tipe të tjera kanceresh, përveç atij të mushkërive dhe të gjirit. Megjithatë, rezultatet janë mjaft premtuese. Zbulimi i kësaj molekule mund t’i ndihmojë shkencëtarët që të zhvillojnë trajtime të reja për të parandaluar udhëtimin e kancerit përgjatë trupit, ose për të prodhuar lloje të caktuara testesh diagnostikuese që u lejojnë mjekëve të masin se sa mundësi ka kanceri për t’u përhapur. Pra, ka dritë në fund të tunelit...

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.