Ja, cilat ushqime e luftojnë depresionin!

Intervista - - SHENDET -

Gjeli i detit që gatuajmë për Vit të Ri ka një lloj proteine, triptofanin, i cili nxit trupin të prodhojë serotoninë. Kjo është një substancë kimike e trurit, që luan një rol kyç në depresion. Disa ilaçe antidepresive veprojnë duke ndikuar në mënyrën se si truri e përdor serotoninën. Ju mund të keni të njëjtin efekt si ato në rregullimin e humorit, nëse konsumoni mish pule dhe sojë. Ja, disa ushqime të tjera që luftojnë depresionin...

Arrat braziliane

Ato janë të pasura me seleniumin që e ndihmon trupin të mbrohet nga radikalet e lira. Një studim zbuloi se të rinjtë që nuk konsumonin aq sa duhet selenium, kishin më shumë gjasa të ishin depresivë. Megjithatë, shkencëtarët ende nuk mund të thonë me siguri se ulja e seleniumit në trup shkakton depresion. Ushqime të tjera që përmbajnë këtë kripë minerale janë orizi kaf, mishi i viçit, farat e lulediellit dhe frutat e detit.

Karotat

Ato janë të pasur me betakaroten, të cilën mund ta merrni edhe nga kungulli, spinaqi, patatet e ëmbla dhe pjepri. Studimet e kanë lidhur këtë përbërës ushqimor me nivelet e ulëta të depresionit. Nuk ka të dhëna të mjaftueshme që të tregojnë se betakaroteni e parandalon këtë çrregullim të trupit, por është mirë ta fusni në dietën tuaj.

Midhjet dhe frutat e detit me guackë

Këto ushqime deti janë një burim i mirë i vitaminës B12. Disa studime kanë treguar se njerëzit që kanë nivele të ulëta të kësaj vitamine, kanë më shumë gjasa të kenë depresion. Mungesa e kësaj vitamine në trup shkakton për pasojë edhe mungesën e një substance të quajtur s-adenosylmethionine, për të cilën ka nevojë trupi, në mënyrë që të krijojë substancat e tjera që ndikojnë në humor. Nëse doni ushqime të tjera të pasura me B12, ato janë mishi pa dhjamë, qumështi dhe vezët.

Kafja

Një filxhan me kafe është stimuluesi i përkryer në rastet kur ndiheni të lodhur dhe të përgjumur. Por, nëse keni depresion pas lindjes, ose vuani nga krizat e panikut, disa studime thonë se kafeja i përkeqëson gjërat. Disa studime të tjera thonë se një filxhan kafe mund të ulë rrezikun për të pasur depresion, megjithëse arsyeja nuk dihet ende.

Perime me gjethe jeshile

Ato janë të pasura me folate, për të cilat kanë nevojë qelizat e trurit që të punojnë normalisht dhe që mund të mbrojnë edhe nga depresioni. Prodhuesit e ushqimeve zakonisht e shtojnë këtë substancë (që njihet edhe si vitamina B9) te drithërat, si te makaronat dhe orizi. Ju mund ta merrni atë edhe nga thjerrëzat dhe shpargujt.

Salmoni

Ky është një tjetër peshk, ashtu si harengat dhe toni, që është i pasur me yndyrna të pangopura. Studiuesit mendojnë se ato ju ndihmojnë të luftoni depresionin. Një lloj i këtyre yndyrnave, të quajtura omega-3, mund të ndihmojë qelizat e trurit të përdorin kimikatet që ndikojnë në humor. Nja dy studime të vogla treguan se njerëzit që nuk ishin depresivë, kishin nivele më të larta omega-3 sesa ata me çrregullime të humorit.

Qumështi

Ai është një burim i mirë i vitaminës D. Nëse ju keni nivele të ulëta të kësaj vitamine në trup, kjo nganjëherë mund të shkaktojë depresion. Në një studim norvegjez, njerëzit që merrnin tableta me vitaminë D ishin më pak depresivë një vit më vonë, sesa ata që nuk merrnin. Nëse nuk ju pëlqen qumështi, mund ta merrni atë nga peshku konservë, ose nga lëngjet e frutave dhe drithërat të cilave ua kanë shtuar atë.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.