Çfarë duhet të keni parasysh gjatë verës?

Intervista - - TEST -

1. Kur të djeg kandili i detit, është mirë të urinosh mbi vendin e djegies. a. E vërtetë b. Gënjeshtër

2. Çfarë duhet të hash për t’i mbajtur mushkonjat larg? a. Qepë dhe hudhra b. Banane dhe ananasë c. Të gjitha më sipër d. Asnjë nga më sipër

3. A mund ta marrësh helmin e dredhkës helmuese (lloj bime që irriton lëkurën kur preket dhe që rritet në Amerikën e Veriut dhe në Azi) nga një i infektuar? a. Po b. Jo

4. Sa duhet të prisni për t’u futur në det, pasi keni ngrënë? a. Afro 15 minuta. b. 30-45 minuta. c. Menjëherë, nëse nuk e keni rënduar shumë stomakun.

5. Nëse të është djegur lëkura nga dielli, për të lehtësuar dhimbjen, është mirë ta lyesh atë me: a. Qumësht b. Vaj ulliri c. Verë të kuqe

6. Gjatë një viti, më shumë njerëz sesa peshkaqenët, i vret: a. Tapeti rrotullues në palestër. b. Dritat që vëmë për Krishtlindje. c. Qirinjtë

7. Provoni këtë metodë për të nxjerrë ujin që është futur në vesh: a. Tërhiqni llapën e veshit. b. Përdorni një tharëse flokësh. c. Të dyja së bashku. 8. A mund të ftohesh nga ajri i kondicionuar? a. Po b. Jo

9. A mund t’i vrasë menjëherë klori bakteret që ndodhen në pishinë? a. Po b. Jo

10. Cila nga këto pjesë të trupit mund të digjet nga dielli: a. Thonjtë e gishtave b. Sytë c. Flokët

11. Peshkaqenët sulmojnë më shumë gratë me menstruacione. a. E vërtetë b. Gënjeshtër

12. Ventilatori mund të shkaktojë edhe vdekjen e njeriut. a. E vërtetë b. Gënjeshtër

13. Në verë, trupi ynë ka nevojë për më shumë se 8 gota uji në ditë. a. Po b. Jo

14. Kremi i diellit duhet vënë përpara se të ekspozoheni në diell dhe të riaplikohet herë pas here, si edhe sa herë laheni në det: a. E vërtetë b. Gënjeshtër

Përgjigjet 1. Përgjigjja e saktë është b-ja.

Urina, ose lëngje të tjera si uthulla apo alkooli mund të shkaktojnë edhe më shumë dhimbje. Përdorni ujë të thjeshtë, të ngrohtë, ose qetësues si lidokainë për të mpirë zonën. Edhe uji i kripur (si ai i detit) është efikas. Evitoni kandilat e detit kur jeni duke u larë. Edhe të ngordhurit mund të djegin kur i shkel me këmbë.

2. Përgjigjja e saktë është d-ja.

Hudhrat mund të mbajnë larg vampirët nëpër filma, por nuk ka prova se i mbajnë mushkonjat larg. Nuk ndihmon as ngrënia e bananeve, qepëve ose ushqimeve të tjera. Përdorni locion kundër mushkonjave dhe vishni pantallona me këmbëza dhe bluza me mëngë të gjata kur të jeni jashtë, për të mbrojtur veten.

3. Përgjigjja e saktë është b-ja.

Jo, nuk e merr, edhe nëse prek lëkurën e lënduar nga dredhka. Lëkura e njeriut pëson një reaksion alergjik duke prekur vajrat që prodhon vetë bima. Atëherë në të krijohen njolla në formë vijash që kruhen dhe krijohen fllucka. Dredhka helmuese ka gjethe të mëdha, tre nga tre në një degë dhe është mirë të evitoni prekjen e saj, nëse nuk doni të keni probleme.

4. Përgjigjja e saktë është c-ja.

Me sa duket, mamaja nuk ka patur të drejtë. Ju nuk keni nevojë të rrini njëfarë kohe pasi ngrënë e pastaj të futeni në det. Nuk është problem të notosh nëse ke ngrënë diçka të lehtë, por është mirë ta evitoni këtë, nëse e keni rënduar stomakun, përndryshe mund të keni ngërçe ose urth.

5. Përgjigjja e saktë është a-ja.

Qumështi krijon një si film mbi lëkurë, që pakëson bezdinë. Edhe ftohtësia e qumështit do ta largojë nxehtësinë. Herën tjetër kur të dilni në diell, vishuni, përdorni krem, ose vëreni kokën në hije. Kini parasysh, edhe një djegie e lehtë është e keqe për lëkurën.

6. Përgjigjja e saktë është b-ja

Peshkaqenët zakonisht nuk gjuajnë njerëzit. Kur ata i gjuajnë, kjo ndodh shpesh ngaqë i ngatërrojnë me breshkat e detit ose me pretë e tjera. Në realitet, më shpesh njerëzit vdesin nga aksidentet e lidhura me dritat e Krishtlindjeve, sesa nga sulmet e peshkaqenëve. Sido që të jetë, nëse keni parë një peshkaqen në det, qëndrojini larg dhe mos u lani në oqean herët në mëngjes, në muzg, ose natën, sepse kjo është koha kur ata dalin zakonisht për të kërkuar ushqim.

7. Përgjigjja e saktë është c-ja.

Nëse uji qëndron gjatë në vesh pasi keni notuar, mund të keni një infeksion veshi. Mbajeni kokën anash për të nxjerrë ujin. Gjithashtu, mund të tërhiqni lehtas llapën e veshit në drejtime të ndryshme. Nëse kjo gjë nuk funksionon, përdorni një tharëse flokësh. Vëreni në nxehtësinë minimale dhe mbajeni nja 5 centimetra larg nga koka. Për të penguar futjen e ujit në vesh, përdorni tapa veshësh, ose kapuç.

8. Përgjigjja e saktë është b-ja

Nuk mund t’ia hedhësh fajin futjes nga i nxehti jashtë në të ftohtin e dhomës, nëse teshtin dhe të rrjedhin hundët. Sëmundjet shkaktohen nga viruset, jo nga ndryshimi i temperaturës. Kështu, për të mos u sëmurur, lajini duart shpesh dhe qëndrojuni larg njerëzve të sëmurë.

9. Përgjigjja e saktë është b-ja

Është e vërtetë se klori mund të vrasë disa baktere, por jo të gjitha dhe ai nuk vepron menjëherë. Për këtë arsye është mirë të laheni para dhe pasi futeni në pishinë. Përpiquni edhe të mos e gëlltisni ujin, sepse mund t’ju sëmurë. Ai mund të ketë djersë, urinë dhe gjëra të tjera në të. Gjithashtu, qëndrojini larg pishinës nëse jeni me diarre.

10. Përgjigjja e saktë është b-ja

Mbroni sytë kur dilni jashtë, sepse dielli i fortë mund t’i bëjë të skuqen, të dhembin dhe të jenë të ndjeshëm ndaj dritës. Ata gjithashtu mund të lotojnë dhe të kesh ndjesinë sikur të është futur diçka në sy. Përdorni syze dielli me mbrojtje kundër rrezeve UVAUVB dhe kapele ose kasketë, për të mbrojtur fytyrën.

11. Përgjigjja e saktë është b-ja

Ky mit e ka origjinën te thënia se peshkaqenët tërhiqen nga gjaku, gjë që u ka dhënë shkak edhe disa reklamave për peceta higjienike. Por, deri më sot, nuk ka asnjë provë që kjo gjë është e vërtetë. Në fakt, Marie Livajn, një eksperte e njohur mbi peshkaqenët, ka zbuluar se gjaku i menstruacioneve nuk i tërheq peshkaqenët. Ajo ka folur edhe për eksperiencën personale, duke thënë se: “Unë kam notuar me peshkaqenët shumë herë kur kisha menstruacione dhe ata qëndronin indiferentë”.

12. Përgjigjja e saktë është b-ja

Ky është një mit me të vërtetë i çuditshëm. Për shumë prej nesh (veçanërisht ata që nuk blejnë dot kondicioner), ventilatori mund të jetë një shpëtues i vërtetë në pikun e nxehtësisë së verës. Megjithatë, sidomos në Korenë e Jugut, besohet se ventilatori mund të të vrasë me dy mënyra: Së pari, ai e ul shumë temperaturën e dhomës, gjë që, duke u bashkuar me metabolizmin e ngadalësuar të trupit natën, teorikisht, mund të shkaktojë hipotermi. Së dyti, shumë vetë mendojnë se, nëse përdor një ventilator në një dhomë të paajrosur, kjo mund të përshpejtojë zhvendosjen e oksigjenit që thith njeriu, gjë që shkakton asfiksim kur nivelet e oksigjenit në dhomë ulen shumë poshtë. Të dyja këto mite nuk kanë lidhje me aksidentet që janë shkaktuar nga ventilatorët. Megjithatë, në Korenë e Jugut, ky mit vazhdon ende të besohet, mediat raportojnë vdekje të shkaktuara nga ventilatori dhe kur blen një të tillë në dyqan, ai është shoqëruar me një kronometër që të pengohet përdorimi i tij më shumë se dy orë rresht... gjë që, nëse ju shihni më vonë faturën e energjisë elektrike, nuk është gjë edhe aq e keqe...

13. Përgjigjja e saktë është b-ja.

Së pari, duket se edhe pirja e 8 gotave të ujit në ditë është një mit më vete. Kjo nuk merr parasysh madhësinë e gotave, le më pastaj atë të trupit. Sido që të jetë, disa nga ne kanë nevojë për më shumë se 8 gota, disa më pak.

Sipas doktoreshës Steinbaum, kardiologe, shumica e doktorëve këshillojnë 2.2 litra lëngje në ditë për gratë (3 për burrat), por doktoresha thekson se edhe ky rregull nuk merr parasysh ndryshimet në trupat e ndryshme. Sigurisht, sa më shumë të qëndroni në diell, ose të bëni fizkulturë, aq më shumë ujë duhet të pini. Rregulli i përgjithshëm që duhet të keni parasysh është ky: “Nëse ju ndieni etje, ka gjasa të jeni çhidratuar”.

14. Përgjigjja e saktë është a-ja

Me sa duket, këtu mamaja ka pasur të drejtë. Kremi i diellit funksionon më mirë nëse aplikohet 15-20 minuta përpara se të ekspozoheni në diell, sepse kaq kohë i duhet lëkurës për ta thithur atë. Përsa i përket riaplikimit, ai këshillohet të bëhet çdo dy orë të qëndrimit në diell, si edhe pas larjes në det, ose kur djersin shumë. Disa njerëz mbrojnë teorinë se lëkura duhet të qëndrojë pak kohë pa krem në mënyrë që të prodhojë vitaminën D, por është vërtetuar se roli i kremit në krijimin e vitaminës D është minimal dhe nuk duhet të ndikojë në vendimin tuaj për të aplikuar kremin. Në fund të fundit, djegia e lëkurës është një çmim i lartë që duhet paguar për diçka që mund ta marrësh edhe me një tabletë të thjeshtë.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.