Burri i dytë më torturon djalin

Intervista - - HISTORI NGA JETA -

(Vijon nga numri i kaluar)

- Po tani ajo është rritur! Ti nuk u dobësove kështu kur ajo qante pa pushim gjithë natën...

- Mirë jam, mirë. - e mbyllja bisedën me të.

Përveç kësaj, tani ai mendonte vetëm për vajzën e tij. Kur doja të blija ndonjë gjë për djalin, ai më thoshte se ishte fëmijë i çrregullt dhe duhet të mësohej që t’i ruante rrobat. Këto gjëra më bënin të ndihesha shumë keq.

Një ditë mësuesja i kishte kërkuar djalit të sillte lloje të ndryshme frutash për një projekt.

- Është dimër dhe frutat kushtojnë shumë. - tha ai. - Po si thua, çfarë të bëjë? - Asgjë, të mos shkojë nesër në shkollë e mbaroi puna.

Nuk e kundërshtoja asnjëherë. Ndoshta edhe kjo mund të ishte arsyeja pse ai bënte çfarë të donte me ne. Nuk e kundërshtoja se mendoja se po të ndahesha edhe nga ai, nuk do t’ia dilja. Kështu bëra. I thashë djalit të mos shkonte në shkollë dhe ai, si fëmijë i mbarë që është, pranoi menjëherë. Kur u ngrit në mëngjes dukej shumë i mërzitur. - Çfarë ke zemër? - Asgjë mami. Vetëm më dhemb pak koka.

- Hajde të pish një paracetamol. - Jo tani, më vonë. - Më vonë? Po pse nuk e do tani? - Po sa u ngrita, o ma. E kuptova se nuk i dhimbte koka, por ishte i mërzitur ngaqë nuk shkoi në shkollë e nuk do të merrte pjesë në projekt.

- Më thuaj të vërtetën. Të dhemb koka apo je i mërzitur?

Ai nuk foli, por uli kokën dhe ia plasi të qarit.

- Po pse qan zemër? Kush të ka mërzitur?

- O ma, pse nuk divorcohesh edhe një herë? - tha ai pasi ia fshiva lotët.

- Po si të divorcohem? Ne kemi një familje shumë të lumtur tani. Pse thua kështu, zemra ime?

Ai nuk foli sepse nuk donte të më lëndonte më. Edhe unë nuk e zgjata më, sepse nuk doja ta bëja më të madhe këtë gjë. E shtrëngova në gji dhe i thashë:

- Ti ke mamin tënd këtu. Je djali im dhe nuk do të të lërë mamaja asnjëherë të mërzitesh.

Nuk kisha dëshirë të bëja debat me burrin, kështu që edhe këtë rast do ta lija të kalonte, por djali si duket nuk kishte të njëjtin mendim me mua. Se nga kishte gjetur numrin e ish-burrit tim dhe e kishte marrë me telefonin tim. Nuk e di se çfarë i kishte thënë, se ai më mori mua e më tha:

- Thuaji atij burrit tënd të mos ma terrorizojë djalin. Në do ta mbajë, të sillet si duhet me të, ndryshe vij e marr djalin tim dhe e mbaj vetë.

- Nuk e di për çfarë po flet... Çfarë po më thua?

- Ja, për atë që bëni ju me djalin tim. Ai e torturon e ti i mban anën.

- Këto fjalë i ke shpikur ti, se ne jemi një familje shumë e lumtur. Kur ishim me ty kishim probleme, por tani jemi mes të mirave.

- Pa pyet djalin njëherë a është i lumtur? Pyete mirë se të janë errësuar sytë nga pasuria dhe ke lënë djalin pas dore, sikur është jetim.

- Është puna ime se çfarë bëj e si...

- Shkurt po të them ty dhe thuaja dhe atij: Kujdes me dja- lin! - tha kështu dhe e mbylli telefonin.

Shkova te djali dhe e pyeta se pse i ishte ankuar të atit.

- Po ti nuk më dëgjon mua o ma. Edhe kur unë jam i mërzitur, ti prapë ma lë fajin mua dhe jo atij.

- Si flet kështu për të? Ai ty të ka mbajtur më mirë se babai yt. A nuk është turp ta hedhësh poshtë punën e tjetrit?!

- Në fillim po, o ma, por tani ai më urren...

Këto fjalë më lënduan aq shumë, sa mendova se kishte ardhur momenti ta diskutoja këtë gjë me burrin tim. Në të vërtetë nuk doja ta mërzisja, por bëhej fjalë për djalin tim e unë duhej t’i dilja zot.

- Djali ishte mërzitur shumë sot që nuk shkoi në shkollë.

- Eh, si është dhe ky! Fëm- ijët e tjerë shtiren sikur janë të sëmurë për të ndenjur në shtëpi e ky do të shkojë në shkollë.

- Po ai nuk është si fëmijët e tjerë. Ai e do shumë shkollën dhe nuk mungon asnjë ditë. Ishim ne ata që bëmë gabim.

- Ne? Çfarë të ka ndodhur ty njëherë që je kështu si e fryrë?

- Po ja, ai u mërzit shumë dhe thashë ta pranonim se ne kishim gabim.

- Ç’janë këto idiotësira? Mos e mëso djalin kështu. Bëje të jetë i zoti për gjithçka. Ta përballojë jetën se nuk është gjithmonë me mamin te koka.

Kështu i mbyllte ai gjithmonë bisedat për djalin. Tani unë nuk di ç’të bëj. Tani jam mirë si ekonomikisht me shtëpi e me të gjitha, pra, në krahasim me ç’isha më parë dhe them ia vlen të durosh pak, për të mos humbur këtë rehati. Po, a mund të durojë një nënë për fëmijën e saj?

Gazetën “Intervista”, të plotë, mund ta blini online që ditën e daljes në treg, vetëm për 89 cent në: http://www.pressreader.com/albania/intervista

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.