Letra për psikologun Si ndikon mendja mbi trupin?

Intervista - - PYETJE PËRGJIGJE PËR GJITHÇKA -

- I nderuar Dr. Demiri, ju thoni vazhdimisht se mendja jonë ka ndikim shumë të madh mbi trupin. Këtë e keni thënë për anoreksinë e buliminë, për çrregullimet seksuale, për ankthin e panikun dhe për somatizmin... Kudo paska vlerë kjo? Dr. Jashar Demiri, psikolog klinicist: - Po, i nderuari letërshkrues, është shumë e vërtetë që trupi e mendja janë të lidhura ngushtë dhe ndikojnë shumë te njëra-tjetra, sidomos mendja mbi trupin. Mendja ndikon jo vetëm te trupi, por tek i gjithë “timoni” i jetës. Si shembull mund të përmendim pilotin: imagjinoni një pilot përballë një rreziku dhe mendoni se ç’do të ndodhte po qe se për shkak të frikës atij t’i bllokohej frymëmarrja apo t’i errësoheshin sytë aq sa s’i dallon dot aparaturat(!). Kjo gjë s’duhet sepse është i stërvitur dhe... imagjinoni tani një pilot tjetër i cili edhe pse e do jetën aq shumë, ndjek me qetësi të gjitha aparaturat dhe i shërben avionit me saktësi deri në sekondën e fundit, ashtu siç ka bërë piloti shqiptar Bilal Sina i cili arriti ta ulte dikur avionin në pistë me motorrat të fikur, ose një pilot amerikan i cili shpëtoi mbi 150 njerëz në bord, duke e ulur avionin mbi lumin Hudson, pasi pistat ishin larg e puna nuk i priste. Imagjinoni pra se si ky pilot mbi 50 vjeçar iku i fundit nga avioni, me qetësinë e durimin më të madh, pasi kishin dalë të gjithë shëndoshë e mirë. Mendja, ose le të themi truri, është si ai “komandanti” i cili mund t’i trajtojë e drejtojë bukur organet e gjëndrrat, pra, “ushtarët” e vet, ashtu siç edhe mund t’i alarmojë e t’i terrorizojë ata, njëlloj sikur t’i “dhunonte” që para nisjes së një beteje.

Mjekësia sot ka bërë hapa të mëdhenj dhe kudo në botë janë bërë përparime të mëdha në fushen e psikoterapisë. Shyqyr që më në fund njerëzve me çrregullime të ankthit, apo me obsesione, si edhe atyre me çrregullime të potencës për arsye psikologjike, po u thuhet nga mjekët që të shkojnë te psikologu.

Edhe atyre me pagjumësi të cilët nuk kanë asnjë sëmundje, por janë futur në “rreth vicioz”, edhe atyre të cilët kanë si reagim nga stresi e ankthi dhimbjet e kokës, por që nuk kanë asnjë sëmundje, u thuhet: “ikni te psikologu”. Unë u them të sëmureve se trupi e shpirti janë të lidhur ngushtë se humbim shpresat dhe po ta lëmë trupin “rehat” e në kushte normale qetësie e pune, do të shohim se vetë trupi i ka brenda aftësitë e çuditshme për t’u shëruar, për t’i bërë “derman” vetes, aq sa po t’ju tregoja shembuj të panumërt, me siguri që ju nuk do t’i besonit. Kush të dojë le të hapë librin “Ankthi” të autores Joni E. Xhonston (fq. 123) e të lexojë në fund të faqes se “shumica e njerëzve me kancer shërohen”... Pra, arsyeja pse vdesin, shpjegon ajo, lidhet me shkaqe të tjera dhe kryesisht me faktin që trupit nuk i lihet kohë e mundësi që të prodhojë ilaçin apo “antisëmundjen”.

Po ashtu, në kushte qetësie, gëzimi apo meditimi është provuar se edhe një zemër e dëmtuar ka arritur t’i rindërtojë muret e saj. Unë nuk i kam lexuar çudirat që ka shkruar te libri i tij Ethem Ramadani, por i besoj ato, pasi meditimi e psikoterapia kanë efekte shumë pozitive për shumë e shumë sëmundje. Ndaj është i paditur ai doktor që nuk e beson se nuk ka sëmundje që të mos ketë nevojë për psikoterapi, duke filluar që tek ai që quhet observimi, domethënë, instrukturimi dhe pranimi...

Unë kam qenë këtë vit në një spital të Ternit në Itali, nga data 2 shkurt, deri më 15 shkurt dhe kam parë me sytë e mi që te pavioni i kirurgjive të zemrës (kardiologjia) vinte çdo ditë psikologia me përvojë duke biseduar shtruar me të sëmurët. Po aty edhe vetë disa doktorë merrnin asistencën e saj, pasi nuk ka njeri që nuk ka nevojë për psikolog. Dua t’i bëj me këtë rast një pyetje dashamirëse Ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqja, djalit të ish-Kryepsikologut të Shqipërisë, Hamit Beqja ( ndesë pastë): Sa psikologë ka te Spitali gjigand “Nënë Tereza”? Te rrethet jo e jo(!). Psikologu do t’i ndihmonte të gjithë edhe për atë që quhet parandalim. Unë jam dëshmitar që i kam ndihmuar ishtë dënuarit kur u liruan nga burgjet politike e më pas ordineret, pasi kam qenë rreth 20 vite kryepsikolog në Ministrinë e Rendit dhe të Drejtësisë e dija se të liruarit nga burgu, me miqtë, nëpër darka e dreka nuk do ta kontrollonin dot oreksin dhe pijet e me stomakun e organizmin e pamësuar, do të sëmureshin ose do të vdisnin. Parandalimi është ilaçi më i mirë. Ai lidhet me ushqimin, me regjimin ditor, me mënyrat e të menduarit dhe të të jetuarit, të sjelljes etj. Pra, të gjitha këto kanë lidhje me trurin. Këtë e kam thënë edhe për anoreksinë dhe buliminë: nëse do të hani pak do të sëmureni dhe nëse do të hani shumë, do të rrezikoheni. Çdo gjë me masë e teprica haram. Pra, ta jetojmë jetën me rregulla dhe me energji e mendime pozitive. Besoj se u kuptuam...

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.