Lashë të dashurën dhe humba fëmijën tim

Intervista - - FAQE 1 -

E nderuar redaksi! Po e shkruaj nga dhimbja këtë histori që ka gjashtë muaj që më ka ndodhur, por nuk po gjej prehje edhe sot e kësaj dite. Jam shumë i ri për ta filluar jetën me kaq dhimbje, por ajo ishte pasojë e mosnjohjes dhe jo e papërgjegjshmërisë time.

Sivjet mbaroj masterin dhe duhet të isha i lumtur, por nuk jam. Nuk di nëse do të kthehem në qytetin tim apo të rri në Tiranë që të heq mendjen. Kam ardhur në Tiranë kur isha tetëmbëdhjetë vjeç, me shpresa e ëndrra dhe në fakt, shkolla që fitova është degë shumë e mirë, Elektronikë. Kam qenë gjithmonë djali i përkëdhelur i prindërve të mi. E mbaj mend rrugën nga kopështi për në shtëpi, kur babai më merrte në qafë sepse gjithë rrugës i recitoja nga një vjershë të re. Në shkollë, megjithëse kam shkuar një vit me vonesë sepse isha shumë i dobët, kam qenë gjithmonë shembullor, në ndryshim nga motra dhe vëllai. Edhe ata erdhën në shkollë, por jo me rezultatet e mia. Unë erdha i pari në fakultet dhe që në vitin e parë spikata te të gjithë pedagogët. Që në fillim më morën me sy të mirë dhe sigurisht, unë, që e kisha qejf shkollën, përthithja çdo gjë që më jepnin për të lexuar.

Si i dhënë pas librave, nuk isha shumë i shkathët në marrëdhënie me vajzat, por i vëzhgoja të gjitha me syrin e një të riu. Një nga shoqet e kursit, me banim në Tiranë, kishte motrën në shkollë të mesme. Ajo ishte dy vjet më e vogël se ne, por kur ne shkonim pabeve, ajo vinte me të motrën. Ishte çupëlinë që ta hiqte trurin. Mes gjithë djemve që e ngacmonin, ajo më zgjodhi mua për të më ngacmuar. Qysh në fillim ia tregova dobësinë që kisha për të, prandaj edhe ajo erdhi pa ndroje në jetën time. Një natë, tek ishim te Calvin Club, ajo piu pak më shumë se herët e tjera e s’po rrinte dot më. U nisa ta përcillja për në shtëpi dhe dola me të për krahu. Sapo dolëm në rrugë, ajri i freskët i rrugës sikur e lehtësoi.

- Më mirë po eci vetë, mos të të varem ty në krahë, se i ftohti sikur më bëri mirë, - më tha.

- Në fakt, mua më pëlqen më shumë të më varesh në qafë, prandaj po lus të vijë vera me 40 gradë në këto moment, - i thashë dhe tërhoqa krahun që të mos e trembja me këmbënguljen time.

- Edhe mua do më pëlqente të ishte dyzet gradë, - tha dhe qeshi.

- Po pra, po je kaq e vogël sa më duhet të ruaj trurin e të të çoj shëndoshë e mirë në shtëpi, - i thashë ndërsa i zgjata dorën dhe e mora për dore. Dora e saj të vogël në dorën time më rrënqethi të gjithin. - E di o beb që je shumë e bukur, dhe... - dhe fjalët më mbetën në grykë.

Ajo qeshi sërish dhe më shtrëngoi dorën. - E di që jam e bukur, po jo aq e vogël sa po më thua ti, - ma ktheu gjithë hare.

- Atëherë, sa për sonte që mendoj se ke pirë ca si më shumë sesa të lejohet do të të thërras beb. Do kemi ditë të tjera dhe net të tjera festash që të flasim.

Ndërkohë, kishim arritur poshtë shtëpisë së saj. E përcolla më sy ndërsa ngjiti shkallët e kur ajo hyri brenda, unë ktheva shpinën e ika. Të hënën, në fakultet, takova shoqen time të kursit.

- Si është E., e mori veten? - e pyeta.

- Po po, shumë mirë është, faleminderit që ishe sjellë mirë me të. M’i tregoi të gjitha, - tha L.-ja.

Ashtu, i skuqur i gjithi që E.-ja ia kishte tefterisur të gjitha të motrës, vendosa t’i rrija sa më larg për shkak të moshës, por e thëna me të bërën janë shumë larg. Sërish kur dolëm me shoqërinë, L.ja, erdhi bashkë me të motrën dhe E.-ja, në mënyrë krejt demonstrative ul pranë meje. Ndërsa të tjerët në tavolinë po na shihnin me habi, unë thashë:

- Epo, unë i dukem më babaxhani, më plaku, prandaj më ulet pranë - dhe tërhoqa një karrige tjetër që të ulej ajo.

- Jo, më pëlqen muhabeti që bën ti, nuk më pëlqejnë pleqtë, - tha koketa ime.

Nga ai çast e mbrapa unë nuk munda t’i rezistoja më. Pasi bëmë lloqe me grupin në tavolinë, u çuam për t’u shpërndarë. Unë po prisja të merrja fletoren time të leksioneve nga një shok që ia kisha dhënë për ta fotokopjuar kur E-ja mu afrua.

- Po ne s’do të pimë kafe bashkë? Të thashë që më pëlqen muhabeti yt, - tha, ndërsa priste një pëllëmbë larg meje.

Në atë moment, e motra u afrua dhe tha: - Po ju të dy, do dilni bashkë? Që ta di ç’të them në shtëpi, po e ndihmon E.-në, për Kiminë? - tha.

- Po, do më ndihmojë për Kiminë se nuk e marr vesh fare atë profesorin në shkollë, - tha ajo dhe i shkeli syrin të motrës.

Unë, sigurisht, e pranova me kënaqësi ofertën për “kurse kimie”. Qëndrimi me E.-në ishte si të ishe në qiellin e shtatë. Ne ndërruam kafe e u ulëm diku tjetër. U kënaqëm duke mësuar gjëra për njëritjetrin. Vetëm kur pashë nga dritarja që ishte errësuar e kuptova që kishim ndenjur tre orë në kafe. E përcolla në shtëpi dhe kur u ndamë, ajo më përqafoi dhe e lamë të takoheshim sërish të nesërmen. Kështu takoheshim çdo ditë derisa unë mbarova vitin e parë të shkollës dhe kur unë u ktheva në shtëpi për pushime, komunikimi ynë ishte çdo ditë me mesazhe. Erdha në Tiranë në vjeshtë me dëshirë akoma më të madhe sesa vitin e parë, sepse më priste ajo. Meqenëse dilnim çdo ditë, më duhej të gjeja një punë part time që të mos u bija në qafë prindërve edhe për bredhjet e mia me E.-në. Falë një lidhjeje miqësie mes shokësh, edhe unë fillova punë në një dyqan kompjuterash katër orë në ditë. Puna më kufizonte takimet me E.-në, por tashmë edhe ajo po rritej. Pastaj dilte gjithmonë me të motrën, kështu që nuk ishin problem edhe daljet pas orës shtatë apo tetë. Në nëntor, E.ja kishte ditëlindjen dhe kisha kursyer gjithë rrogën për t’i bërë dhuratën që meritonte. Sapo ora kaloi akrepin ...

(Vijon numrin e ardhshëm)

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.