Mamanë e zuri kanceri prej mallkimeve

Intervista - - FAQE 1 -

Unë që po ju shkruaj quhem Elisa. Sot dua t’ju shkruaj historinë e mamasë me gjyshen time. Është një histori që pati shumë dhembje dhe lot, por që për fat të mirë përfundoi me sukses. Gjyshja ime, për njëzet vite me radhë, jetoi me djalin e vogël, por familja e xhaxhait kishte gati pesëmbëdhjetë vjet që hidhte Lotarinë Amerikane dhe fati iu buzëqeshi mbas shumë vitesh. Nga ky fakt ata u detyruan ta linin gjyshen në familjen tonë, pra, te djali i saj i madh, te babi im. Sigurisht, ai e kishte nënë dhe e donte shumë, kështu që me shumë kënaqësi pranoi që gjyshja të jetonte me ne. Edhe ne fëmijët u gëzuam shumë. Dua të jem e sinqertë me ju deri në fund; mamaja jonë nuk e mirëpriti këtë fakt dhe aty filluan edhe konfliktet midis mamasë dhe babait tim. Mamaja thoshte:

- Për çfarë më duhet mua nëna jote në këtë moshë? Kur unë kisha nevojë për të, ajo nuk ndenji me ne dhe fëmijët i rrita vetë. Ajo të rrijë atje ku ka ndenjur deri tani, atje ku rriti nipër e mbesa dhe të mos më vijë mua pilaf në shtëpi.

Me thënë të drejtën, mamaja ime është pak tip i ftohtë, por që të arrinte deri në këtë pikë, nuk e kisha menduar asnjëherë. Të gjitha këto debate bëheshin edhe në sytë e gjyshes dhe ajo mërzitej shumë. Kishte raste që e kisha gjetur duke qarë për tekat e mamasë sime. Ajo është një grua plakë tetëdhjetë e pesë vjeçe, po është shumë e mbajtur dhe shumë e pastër. Nuk ka nevojë për shërbime dhe çdo gjë e bën me duart e saj. E vetmja gjë që ajo donte, ishte të kishte dashurinë tonë. Unë dhe vëllai im i madh e donim dhe e respektonim shumë, po ajo e kuptonte se mami me babin, që pas ardhjes së saj në familjen tonë, nuk ishin më si më parë. Mamaja kishte filluar të bëhej shumë nevrike, sepse babi kishte arritur deri aty sa i kishte thënë asaj se nëse nuk i pëlqente të rrinte në shtëpi me gjyshen, ishte e lirë të shkonte ku t’i donte qejfi. Mamaja nuk e kishte menduar kurrë se mund të merrte një përgjigje të tillë nga burri i saj, martesa e tyre ishte në krizë dhe nga çasti në çast mund të plaste sherri në familje. Kur babi ikte në punë dhe ne në shkollë, mamaja zihej me gjyshen. Një ditë erdha herët në shtëpi dhe dëgjoja që ato bërtisnin me njëra-tjetrën.

- Ti po më ndan nga burri, moj shtrigë plakë. Edhe ti më duheshe në shtëpi mua, - bërtiste mamaja.

Më pas dëgjova të bërtiturën e gjyshes. Trokita në derën që ma hapi mami dhe e pashë gjyshen të përkulur në tokë. Nga fjalët e gjyshes kuptova sa mamaja e kishte qëlluar në kokë. Gjyshja i lutej Zotit:

- O Zot, ti që je mbi kokat tona, hiqe këtë krijesë nga djali im, thaje dhe bëje dru, t’i harrohet emri fare, zhduke nga kjo botë. O Zot, m’i dëgjo lutjet e mia.

Kur e pashë atë skenë, më iku mendja e kokës. Më vinte keq edhe për gjyshen, por më shumë më vinte keq për mamanë, që ajo e mallkonte në atë mënyrë. I vajta gjyshes e pranë, e kapa prej krahu dhe iu luta të mos bënte më ashtu. Të njëjtën gjë i thashë edhe mamasë. “Mundohu të jesh e sjellshme se do na zënë mallkimet e saj. Ajo nuk ka faj që është këtu”.

Gjyshja kishte telefonin e saj dhe sa herë që e merrte në telefon xhaxhai i vogël nga Amerika, i tregonte se çfarë ndodhte në familjen tonë. Kjo kishte bërë që edhe babi të debatonte me vëllanë e tij. Po nejse, kjo pak rëndësi ka. Po hyj direkt e në temë. Një ditë, teksa po luaja me mamanë, padashur e vrava në gjoks. Unë e preka shumë pak, por ajo bërtiti me të madhe nga dhimbja. Që në atë moment e kuptova se diçka nuk shkonte me të. I thashë se duhet të shkonte në spital të vizitohej, por ajo nuk pranonte. E kisha kuptuar që ajo kishte një siklet në trup, po se çfarë, nuk e dija. I tregova babit për këtë që ndodhi. Ai e mori me zor dhe e çoi në spital.

Nga ai moment, për mamanë time filloi një kalvar i gjatë vizitash dhe analizash. Në fund doli që ajo ishte me kancer në gjoks dhe tumori ishte femër. Ai ka qenë fillimi i një dhembjeje pa fund për familjen tonë. Mamaja ime e kishte kuptuar një gjë të tillë prej kohësh, por ajo nuk donte të mjekohej sepse ishte aq e zemëruar me babin tim, saqë donte t’i shkaktonte një dhembje të madhe, duke mos pyetur as për ne, fëmijët e saj. Kur e mori vesh babi këtë gjë, sa nuk i iku mendja. Ai ka qenë njeriu që është kujdesur më shumë për të, madje la edhe punën që t’i gjendej asaj pranë në çdo kohë. E çuam te specialistët më të mirë dhe bëri kimioterapi. Përveç kësaj, ajo e hoqi edhe njërin gjoks. Ajo ka qenë një provë për babanë, për t’i treguar mamasë se sa shumë e donte. Nga kjo gjë, mamaja arriti të kuptojë se sa shumë e ka dashur dhe vazhdon ta dojë bashkëshorti i saj. Mjekësia nga ana e saj po bënte të gjitha përpjekjet për ta shpëtuar nënën time, por unë e dija se çelësin për gjithë këto vuajtje e kishte gjyshja, e cila e kishte mallkuar nënën me gjithë shpirt dhe ndoshta s’kishte faj, sepse për herë të parë në jetën e saj u ndie e poshtëruar. Unë, vëllai dhe babi çdo ditë i luteshim Zotit që ta shpëtonte mamin, madje i kisha thënë mamit që ajo t’i kërkonte të falur nënës për të gjitha vuajtjet që i kishte shkaktuar, në mënyrë që ajo ta zbuste zemrën dhe t’i uronte mamasë time shëndet.

Mami kishte filluar të besonte se kishte vepruar shumë gabim me gjyshen dhe në sy të babit i kërkoi të falur asaj, duke i thënë se ishte penduar për gjithë të këqijat që i kishte shkaktuar. Nga ai moment, familja jonë filloi të ishte si më parë, madje edhe më e bashkuar. Vizitat, kimioterapia dhe në fund fare rrezet, dhanë rezultatin pozitiv te mamaja. Doktorët i thanë: “Vërtet tumori që kishe ishte femër, por nga përfundimi i gjithë analizave, kemi një lajm të mirë për ty: Zoti ka bërë mrekulli, tumori ishte femër, por steril, ose në gjuhën popullore ne i themi shterpë. Pra, nuk ka aftësi prodhuese”.

Çdo gjë ishte lokalizuar dhe më pas shëruar e kjo ishte një fitore për nënën time. Edhe sot, ajo është shumë mirë me shëndet. Sigurisht, vazhdon kontrollet te mjeku i saj një herë në tre muaj, por më e keqja kaloi dhe për këtë gjë, unë i jam mirënjohëse Zotit që e la mamanë time të jetojë në gjirin e familjes së saj. Falënderoj babin, i cili iu gjend pranë në ditët më të vështira të jetës së saj dhe një falënderim special kam për gjyshen, e cila e ktheu zemrën dhe i dha mamasë sonë uratat që të jetonte me burrin dhe fëmijët e saj. Sigurisht, nga e gjithë kjo që ndodhi, mësimin më të mirë e mori nëna ime, e cila kuptoi se jeta e njeriut është shumë e shtrenjtë dhe njerëzit e familjes duhet të respektohen të gjithë njëlloj, pa asnjë lloj interesi. Në fund, dua t’ju falënderoj juve miq të gazetës “Intervista”, që e lexuat historinë e familjes sime deri në fund.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.