Zoti i shkruan Edi Ramës Faleminderit që më krijove!

Intervista - - AKTUALITET -

I nderuar zoti Edi Rama! Zoti lart nga qielli po ju shkruan. Po ju shkruan vetë ai të cilin ju e krijuat me duart tuaja të arta prej artisti të madh.

Në fillim të letrës dua të të falënderoj. Nuk gjej dot fjalë të të falenderoj për aktin tënd të madhërishëm të krijimit tim. Faleminderit që më krijove, falemnderit që më dhe mundësinë të jetoj.

Ti do të pyesësh se përse po të shkruaj sot. Po ta them:

Kohët e fundit jam vënë në dijeni të ekzistencës së nje personi të quajtur Xhani De Biazi. E pashë dje në aeroport, kur e prite ti. Më pëlqen shumë ai Xhani. E kam xhan shumë, siç thua ti. Di të them vetëm kaq për të, i dashur Edi: “nëse do isha vajzë, do ta kisha kapur dashnor”. Më duhet patjetër këtu. Ndaj, meqë ju i keni të përhapura koncensionet, do të lutesha shumë të ma huazonit me konçension De Biazin ose nëse s’keni mundësi atë, Lorik Canën.

Kam dëgjuar që është bërë edhe një libër për të, por nuk kam arritur ta gjej dhe jam shumë kurioz që ta lexoj, i dashur Edi, sepse kam dëgjuar që e keni shkruar ju.

Më falni që jam kaq i impresionuar nga De Biazi, por jo. Nuk e kam me De Biazin, por me ju, që e morët De Biazin nga hiçi dhe e bëtë njeri për së mbari. Në fakt, para se ta bënit De Biazin trajner, ju në fillim e krijuat atë.

Çdo gjë që krijon ti është një vepër arti e përkryer! Bravo Krijues i Madh!

Edhe golin që bëre në ndeshje me Rumaninë e kishe qarë, më pëlqeu shumë. Alamet goli kishe bërë, zoti Rama. Mua personalisht më pëlqyen shumë edhe kollaret e çunave të Kombëtares, i kishe bërë shumë të bukura, për të mos folur për bluzat me shqiponjë që ishin të papara në historinë e dizajnit të bluzave të sportit...

Mbi të gjitha, faleminderit që ke krijuar Ilva Taren se pa të, nuk kishim nga ta dinim që kombëtarja jonë humbi dy ndeshje, ama fitoi ndaj Ruamnisë. Unë personalisht para dy orësh e mora vesh këtë nga Ilva Tare.

Himni i flamurit më pëlqeu shumë. Urime për këtë kryevepër, zoti Rama. Nuk e dija që kishe edhe vesh muzike për të kompozuar. Vetëm thuaji De Biazit të mësojë fjalët e të mos përplasë buzët kot e të bëjë sikur e di. Ti ke krijuar alamet himni, zoti Rama, e ke qarë, sidomos fjalët janë shumë domethënëse dhe është gjynah të mos i mësosh. Je poet i lindur!

Ndërsa po shikoja që prisje Kombëtaren në Aeroportin e Rinasit kuptova që mbajtja e duarve lidhur, madje edhe vetë Lindita Nikolla janë krijuar nga ti...

Shpresoj që kjo letër të të bjerë në dorë e ta lexosh, duke qenë se unë po e shkruaj edhe në gjuhën të cilën ti e ke krijuar, në gjuhën shqipe. Bravo të qoftë, imzot! I dashur zoti Rama! Ti ke krijuar gjithë këto gjëra pozitive, por gjithsesi nuk e kuptoj dot krijimin e shumë gjërave pa lidhje e pa sens.

Për shembull, nuk më pëlqen fare që ke krijuar Luana Vjollcën, Mandin e Nishtullës apo Taulant Ballën. Nuk më pëlqen shumë as fjalimi që ka mbajtur Skënderbeu kur u kthye në Shqipëri, se e di që edhe atë ti e ke krijuar.

Jam shumë kurioz të di edhe pse ke krijuar aq shumë qime në prapanicë? Mirë te meshkujt, po te femrat, pse krijove aq shumë?!

Dhe, t’i kishe marrë një mendje Armando Dukës kur shpike futbollin dhe kampionatin Evropian...

Megjithatë, mendoj se krijimi më i madh për njerëzimin ka qenë shpikja e Endri Fugës. E imagjinoj që të është dashur shumë punë për ta krijuar.

Më lejo të të bëj një kritikë të vogël në këtë pikë duke theksuar se ti duhet t’i jepje pasaportë diplomatike edhe Anjeza Shabanit.

Në fund, dua të të kërkoj një nder, por të lutem, mundohu të ma realizosh se ka shumë rëndësi për mua. Dua të më lejosh të marr të drejtat e autorit të autobusit me të cilin lëvizën çunat e Kombëtares nga aeroporti në Tiranë. Por, mos më nxirr bojën të thuash të vërtetën që e ke krijuar ti edhe atë.

Unë kam shumë dyshime për disa krijime për të cilat dua të të pyes. Dyshoj se vijat e bardha i ka shpikur Fate Velaj, ndërsa zjarrin, Fatmir Xhafa. Nëse e ke shpikur ti edhe zjarrin, të lutem, mos e lejo që të ta marrë prestigjin Xhafa, po dil deklaro të vërtetën!

Po e mbyll këtë letër duke të falënderuar që krijove qiellin, tokën, galaktikat, sistemin diellor, molekulat. Rrofsh për të gjitha, me pak fjalë.

Zoti që është aty lart në qiell. Letra e Zotit e shkruar me dorë është shpërndarë e skanuar nga e-maili efuga@kryeministria.al PS. Çdo ngjashmëri me Wikileaksin e vërtetë është e rastit.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.