Erion Veliaj: “Pritjen e Kombëtares e organizova unë”

Intervista - - AKTUALITET -

Erion Veliajn e takova dje te zyra e tij. Më priti mjaft mirë, ashtu siç di të presë ai. Kot nuk i thonë “lali Eri”. Ja, intervista që zhvillova me të... Kaso Kosa: - Përshëndetje shoku Veliaj!

ErionVeliaj: - Mirë bën që më thua “shoku”, Kaso. Ne progresistët kështu duhet të quhemi përherë. Po hyr, Kaso, hyr! Hë, si të shkojnë punët?

- Mirë, shoku Veliaj. Punë plot. Shqyqyr që erdhët ju, se ai tjetri që ishte para jush, vetëm gjumë ai.

- Le, mos ma kujto gjumin Kaso, se do më zërë vetëm duke ma përmendur. Jam i dërrmuar. - Pse? - Punë plot dje, lëre mos e pyet. - Keni përuruar ndonjë rrugë të re, a ndonjë shkollë?

- Tallu ti Kaso, tallu. Isha te festimet që pritëm Kombëtaren e Futbollit pra.

- U po, harrova fare. Komplimente për pritjen. Kush e kishte organizuar?

- Pjesën që funksionoi e organizova unë. Atë që s’funksionoi, e organizoi ai rivali im, Saime Qorri, siç i thotë Doktori.

- Akoma rival e keni atë ju?

- Rival, por edhe për pak kohë, Kaso. Do ia fus unë atij. Kujton ai se do bëhet i pari i Partisë kur të iki Rama?! I pari do bëhem unë. Nejse! Të pëlqeu autobusi i hapur? E mora të përdorur, me çmim fringo në Londër, madje me timon në të majtë si ne. Eh, gjithçka ishte e kuruar nga dora ime. Po kostumet e futbollistëve, i pe? I kishte qepur një shoqja e mamasë sime. “Aman, i tha mamit tim. Më ndihmo! Dua të bëj dasmën e djalit” dhe i dhashë të qepte kostumet.

- Ju lumtë, shoku Veliaj! Po shumë pak njerëz ishin mbledhur…

- Ajo është kompetencë e atij dështakut, Saimes. Turp t’i vijë! Kishte më shumë policë, sesa njerëz. Po ku e ka mendjen për punë ai?! Unë gjerat e mia i bëra, madje mirë. Për këtë më përgëzoi edhe Edi.

- Ç’do të bëhet me atë autobusin e hapur? Do ta dërgoni prapë në Londër?

- Jo, jo, Kaso, do ta vë në linjën e Kasharit, por mos e bëj zë me njeri, se mërziten ata të Linzës. Autobusa me kondicionerë s’kemi. Të paktën të përdorin këtë të hapurin. Freskllëk pa lek. Ty të pëlqyen përgatitjet?

- Ato që kishe bërë ti, po. Ato të Saimes, jo dhe jo. - Të lumtë, Kaso! Ja, kështu të dua. Po m’u mërzit Edi, me thënë të vërtetën... - Përse t’u mërzit?

- Doja t’i bëja një surprizë të këndshme, por nuk e realiozva dot. S’donin francezët. I thashë Armando Dukës që t’i sillte futbollistët pjesë-pjesë, domethënë ca në një ditë e ca në ditën tjetër.

- Përse kështu? - Që shef Edi të kishte mundësi, pra, të dilte të kapardisej 2-3 ditë në tv. Ç’të bëjmë Kaso, s’kemi gjë tjetër me se të mburremi. Ikën tre vjet, s’kemi bërë asgjë. Po ku punohet me Saime Tahirin?! Fajtori i të gjitha gjërave…

- Po çelësat që dhuruat për futbollistët, ju i bëtë?

- Çelësat për bashkinë e Tironës thua? Po, po, unë i bona. Domethënë, i boni vëllai im se ai ka kompani që merret me kësi gjonash. E çuditshme, Kaso. Sa shkon llafi te Bashkia, filloj flas tironçe. Të të them një sekret. Le që s’ta them, se ti ua thua të tjerëve. Po ta them: Çelësat që bëra nuk i bëra të gjithë tamam. Domethënë, jo të gjitha çelësat e hapin derën e Bashkisë. - Oooouuu?! Si ka mundësi? - Jam i squt un’ Kaso. Për futbollistët që jetojnë jashtë, bëra çelësa tamam. Fundja ata, edhe po ta kenë çelësin, nuk do vijnë të hapin derën. Se mos do kthehen ndonjëherë këtu ata! Ndërsa për këta futbollistët e vendit, bëra çelësa koti. S’i bëra me përmasat e bravës. Ku i dihet, Kaso. Vijnë dhe më hapin Bashkinë. Aq do Saime Qorri pastaj. “Erioni është i paaftë, do thotë. S’ruan dot institucionin”. Ja, kështu…

- Qenkeni zënë keq me Saimirin me ç’shoh...

- S’dua ta shikoj me sy, po të them. Le që më plasi mua të shikoj atë. Pak ka tani të shikosh?! Ja, pashë gjatë Evropianit në televizor atë Riken për shembull. Kishte alamet “ballkonesh”. Në mbledhjen më të parë të bashkisë, do kërkoj që ato të bëhen të vizitueshme nga turistët. - Në ç’mënyrë, shoku Veliaj? - Jo si kujton ti, Kaso, jo. Nuk do ta mbajmë Riken në muze ne. Do mbajmë foton e saj, kështu që turistët mund të vijnë të shikojnë. Ç’të bëjmë, Kaso?! Se mos kemi gjë tjetër t’u tregojmë turistëve. I kemi shkatërruar të gjitha, me vila e me sheshe. Shyqyr që kemi nga dy sheshe në qendër, se kështu si po vete puna, do t’i mbushim me pallate. Pritjen e Kombëtares nëse kualifikohemi herë tjetër, do ta bëjmë në Fushë- Krujë, se shesh këtu s’do ketë më.

Bisedoi me shaka: Kaso KOSA

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.