Eleni Fureira: Askush nuk më besoi se do ta realizoja këtë ëndërr

Intervista - - MUZIKE -

Eleni Fureira, këngëtarja e njohur greke me origjinë shqiptare, të enjten ishte e ftuar në një nga emisionet më të ndjekura në Greqi, në “2night show”, që drejtohet nga gazetari i mirënjohur Grigoris Arnautoglu. Ja, intervista e saj...

Grigoris Arnautoglu: - Po shikoj këtu se Eleni Fureira ka 10 milionë shikime në videon e këngës “Sto theo me pai” (Te Zoti më shpie)...

Eleni Fureira: - Është e vërtetë, ky ka qenë një vit fantastik për mua dhe kjo më bën të ndihem shumë e lumtur... Kjo këngë u kthye në një hit të vërtetë, koreografia e saj u bë virale në internet. Njerëzit kërcenin në rrugë koreografinë e saj. Kjo këngë në YouTube ka 20 milionë shikime brenda 5-6 muajve dhe kjo më bën shumë të kënaqur. Shikimet në net janë shumë të rëndësishme për një këngëtar...

- Duket se kënga është pasioni i jetës tënde. Besoj se e ke pasur këtë që në vogëli. Tani të fantazoj me një furçë në dorë, para pasqyrës, duke kënduar...

- Është e vërtetë që e kam pasur pasion që në vogëli, por edhe sot e bëj atë që thua ti. Jam në shtëpi dhe, kur ndihem në ankth, filloj të këndoj. Ankthi më kap sepse ndiej që nuk kam bërë ende shumë gjëra dhe se sa më duhet të bëj akoma. Ndiej të njëjtin ankth që ndieja edhe në fillim...

- Po sikur të bëheshe nënë, do të ndiheshe në ankth që gjatë periudhës së shtatzanisë nuk do t’i kushtoheshe dot këngës?

- Ky mendim më fut shumë në ankth. Kam frikë se, kur të bëhem nënë, do të lë punën dhe nuk e di se si do të vazhdojë më vonë.

- Ke frikë se mos ta kalojnë të tjerët, apo se mos të harrojnë po të qën- drosh jashtë skenës për një vit?

- Nuk kam frikë se mos ma kalojnë. Meqenëse jam shumë e çmendur pas punës, punoj gjithë ditën dhe gjithë vitin. Kur bëj një muaj pushime, pësoj depresion derisa të filloj përsëri të punoj. Mendoj se po të ndërpres punën një vit ose një vit e gjysmë, nuk do të jem mirë psikologjikisht.

- Cili është çmimi i gjithë kësaj pune? Nuk besoj se nuk të duhet të paguash një çmim për këtë...

- Po, më ka krijuar probleme fizike gjithë ky ankth. Më dhemb stomaku dhe nuk mund të ha shumë. Jo se nuk më pëlqen të ha, jam llupëse dhe i ha të gjitha, por më mblidhet stomaku lëmsh dhe nuk mund të ha. Kam probleme kryesisht në sistemin tretës.

- Nëse nuk gaboj, ke kaluar edhe krizë paniku...

- Është e vërtetë, kam kaluar një herë të vetme, kur isha në skenë dhe po këndoja në një koncert me Mazonakin. Nuk kam pësuar më kurrë. Ndërkohë që po këndoja në skenë me një kërcimtare, për një moment, nuk po e kuptoja se ku ndodhesha. Në përgjithësi e di se ku jam dhe çfarë bëj, sepse dua t’i kem gjërat gjithmonë nën kontroll, por në atë moment truri m’u bllokua dhe më tha: “Ik tani nga skena. Ik që këtej!”. - Dhe i harrove fjalët? - Jo, nuk i harrova, thjesht ndalova këngën, u ktheva me kurriz dhe po i thosha vetes: “Duhet të ikësh, nuk je mirë, do të vdesësh”. Këtë e vuri re koreografja ime, që kaloi para meje dhe ma bëri me shenjë. Në një të njëqindën e sekondës i thashë vetes: “Jo, nuk do ikësh, je përpjekur kaq shumë për të arritur deri këtu, që ta shkatërrosh për një sekondë që trurit i ka shkrepur të luajë lojëra me ty”. Mbarova programin, shkova në shtëpi dhe ndenja mbyllur një javë të të rë . Ve t ë m . Nuk doja të shihja askënd. Kisha edhe një mik që kishte pësuar të njëjtën gjë dhe më ndihmoi për t’i dhënë një shpjegim asaj që më kishte ndodhur. Për fat të mirë, nuk m’u desh të shkoja te psikologu.

- Çfarë shpjegimi dhe?

- Gjithçka kishte ndodhur nga ankthi, nga lodhja.

- Kohët e fundit, ti ke luajtur edhe në një komedi. Kur t’u bë propozimi që të merrje pjesë në të, mendove nëse do t’ia dilje mbanë apo jo dhe nëse ky fakt do të ngjallte diskutime?

- Jo, sepse kam shumë besim te vetja dhe i përkushtohem shumë asaj që bëj. Nuk do t’ia lejoja vetes të bëja diçka mediokre. Dhe kështu ndodhi. Edhe në komedi e bëra punën tamam.

- Para disa kohësh u ngjallën diskutime në Greqi për një përgjigje të dhënë në një intervistë, sipas së cilës, ti do ishte gati të luaje edhe në teatrin e lashtë të Epidavrit nëse do të ta propozonin. Në fakt, të luash në këtë teatër është një privilegj i veçantë, i cili nuk iu jepet nganjëherë as aktorëve profesionistë.

- Në fakt, këtë nuk e thashë unë, e tha gazetari dhe më akuzuan mua. Kur të bëjnë një pyetje, mirë është të përgjigjesh sinqerisht. Kur të pyesin nëse do të luash në një tragjedi të lashtë, apo në një teatër antik (nuk ekziston vetëm Epidavrosi, ka edhe teatro të tjerë të lashtë), ti patjetër që “po” do të thuash. Mua këto diskutime nuk më shqetësojnë fare, bile kam qeshur me to. Mendimi im për të gjithë këtë histori është se askush nuk ka të drejtë të ndërpresë në mes ëndrrat e çdokujt.

Meqë përmenda ëndrrat, dua t’u them dy fjalë fëmijëve. Si fëmijë kam pasur ëndrra të mëdha, ëndrra që, kur ia thoja dikujt, qeshte me to dhe më thoshte me ironi: “Hë, hë, ke për t’i realizuar”. Fëmijët dhe çdo njeri ka të drejtë të ketë ëndrra, sado të mëdha qofshin. Ti duhet të punosh shumë për t’i vënë ato në jetë dhe nuk duhet të futesh në ankth nëse dikush nuk beson në to dhe mendon se nuk do t’ia dalësh mbanë. Gjithçkaje mund t’ia dalësh mbanë, nëse punon shumë, nëse i i qëndron besnik qëllimit tënd dhe nëse i bën realitet gjërat që ke dashur që fëmijë. Nuk mund të them se ëndrra ime është të luaj në Epidavros, por them se me punë mund të bësh gjëra fantastike.

- Do të thuash se do të shkoje në një shkollë aktrimi?

- Sigurisht, unë kam marrë mësime aktrimi.

- Dionisis Caknis (drejtues i ERT-së, kompozitor dhe këngëtar) ka thënë se do që vitin që vjen ta përfaqësosh ti Greqinë në Eurovizion. Në fakt, personalisht, ende nuk e kam kuptuar pse nuk ta kanë propozuar deri tani...

- As unë nuk e kam kuptuar ende. (Qesh) Do të ishte një kënaqësi e madhe për mua të merrja pjesë. Çdo vit kanë ekzistuar arsye të ndryshme pse nuk ma kanë propozuar, si për shembull, kanë marrë këngëtarë të rinj që sapo kanë filluar karrierën, etj. Unë mendoj se gjithçka bëhet në kohën e vet dhe për një arsye të caktuar. Kjo është motoja e jetës sime.

- Sivjet vajte në Australi, në turne së bashku me Andonis Remon, Melina Aslanidhin dhe Kosta Martakin. Më thuaj pak, si ishte kjo eksperiencë për ty?

- Po, vajta, megjithëse i kam shumë frikë aeroplanët. Kam vajtur në Afrikë, Amerikë dhe tani edhe më larg, në Australi. I kam frikë aeroplanët, po më pëlqen shumë të udhëtoj dhe për këtë arsye e nxis veten që të udhëtoj. Ka qenë një nga momentet më të bukura të jetës sime, falënderoj shumë Remon dhe Martakin për nderin që më bënë duke më ftuar në turneun e tyre. Australia është një planet më vete, një vend më vete. Kur shkon të duhen nja katër ditë që të mësohesh me vendin dhe nja katër kur të kthehesh në Greqi.

- Janë diskutuar shumë lidhjet e tua intime. Do të të bëj një pyetje serioze: nëse do të lidheshe me dikë dhe askush nuk do të merrej me këtë, si do të ndiheshe?

- Mund të më pëlqejë shumë kjo gjë, bile jam e sigurt që do të më pëlqente.

- Mendon të marrësh masa kundër paparacëve, me roje etj.?

- Jo, nuk jam nga ata njerëz. Më kanë nxjerrë në fotografi kur isha në ballkonin e shtëpisë sime, gjë që është e ndaluar dhe mund t’i hidhja në gjyq, por nuk e kam bërë. Nëse do të përsëritej shumë herë kjo gjë, edhe mund ta bëja.

- Ke bërë një këngë për qëllime filantropike, “Dhen su hrostao agapi” ( Nuk të detyrohem dashuri)...

- Po, është e vërtetë. Bëmë edhe një videoklip me këtë këngë që i kushtohet luftës kundër keqtrajtimit të grave. Njerëzve u pëlqeu kënga dhe videoklipi pati sukses dhe mjaft shikime në internet. E shfaqëm atë edhe në spektaklin “Madvvalk” të televizionit Mad. Shitëm edhe fustane dhe paratë shkuan për një fondacion për gratë dhe fëmijët e keqtrajtuar nga dhuna në familje.

- Të ka ndodhur ta provosh dhunën?

- Jo dhe shpresoj të mos më ndodhë kurrë mua dhe askujt.

- Aktualisht, këndon në klubin “Fantasia Live” me Argjiron, Fani Drakopulun etj.

- Kemi tre muaj që këndojmë atje dhe do të jemi deri në fund të korrikut. Koncertet po shkojnë shumë mirë. Projekte të tilla i thua vetes të mos kenë fund kurrë. Pastaj, do të bëj disa koncerte dhe më mbeten vetëm 10 ditë për të pushuar.

- Dua të të falenderoj shumë dhe të uroj gjërat më të mira në jetë. Ne nuk jemi shokë, mua më dukesh karakter shumë simpatik e vajzë e mirë dhe gëzohem që erdhe në shoun tim.

- Unë të falënderoj shumë dhe të uroj gjithë të mirat edhe ty dhe emisione të tilla të shtohen, që njerëzit të kalojnë mbrëmje të bukura, ashtu siç i kaloj unë kur të shoh. Përgatiti: Nevila KRISTO

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.