DILARA I MERR KOMPANINË XHIHANIT

Intervista - - TELENOVELA -

Dilara vishet me kostum zyrtar, merr dosjet dhe niset për të filluar punën në vend të Xhihanit, por mbetet pa fjalë kur e shikon këtë të fundit të futet brenda në shtëpi. Xhihani nuk arrin ta kuptojë se pse ajo habitet aq shumë, pasi ai mendon se ka qenë garancia e saj që e ka nxjerrë atë nga burgu. Dilara heq dorë nga të shkuarit në zyrë, tani që Xhihani është aty... Xhihani mëson se Dilara e la në burg

Xhandani habitet nga lajmi se Xhihani ka dalë nga burgu dhe zemërohet me Harunin, kur e kupton se në këtë mes është dora e tij. Ai, nga ana e tij, i thotë se vetëm për të patur imazhin e heroit në sytë e Ozanit, ia vlente t’i shpenzonte ato para. Denisi mëson se është gjetur një zemër e përshtatshme për të ëmën.

Gylsereni largohet nga puna, por në të vërtetë e gjithë skena ka qenë një plan i Harunit, i cili synon të mësojë gjithçka prej saj dhe këtë mund ta arrijë vetëm duke e punësuar te një e afërme e tij, te Çidemi. Xhihani shkon në zyrë dhe nuk e kupton se pse edhe Jëlldërëmi shokohet që ka dalë nga burgu. Jëlldërëmi i tregon se Dilara nuk e ka paguar garancinë për daljen e tij nga burgu. Ai i telefonon nënës së Dilarës dhe mëson se kjo e fundit e ka refuzuar vetë borxhin, me qëllimin për ta lënë Xhihanin në burg. Xhihani dhe Jëlldërëmi nuk arrijnë ende ta kuptojnë se cili ka qenë qëllimi i Dilarës, e cila nuk i përgjigjet Xhihanit në telefon dhe se kush ka qenë ai që ka paguar garancinë e Xhihanit. Rahmiu nga ana tjetër zemërohet që Xhihani ka dalë vetë nga burgu, duke e lënë atë brenda. Hazalli vazhdon me tekat dhe grindjet me Gylserenin. E shtyrë nga kjo e fundit, ajo shkon të takojë Xhihanin, por e gjen atë duke përqafuar Xhansunë dhe ikën e zemëruar.

Dilara i merr kompaninë Xhihanit

Ndërkohë që Xhihani mbledh në një mbledhje të gjithë punonjësit e tij për t’u folur për problemet që kanë kaluar së fundi, Dilara me Xhandanin kanë siguruar kalimin e dokumentacionit të ndërmarrjes në emër të Dilarës dhe nisen për në kompani. Në mes të të gjithëve, Xhandani i komunikon Xhihanit kalimin e drejtimit të kompanisë në emër të Dilarës, por Xhihani, pa e dhënë veten, e mirëpret Dilarën në sytë e të gjithëve dhe e kalon situatën duke thënë se pikërisht ky ishte qëllimi i asaj mbledhjeje, prezantimi i Dilarës. Xhihani i jep dorën Dilarës dhe ikën së bashku me Jëlldërëmin.

Dilara përballet me Xhihanin dhe më tej, me Ozanin, të cilit nuk i pëlqen aspak sjellja e saj. Dilara hedh dyshime mbi mënyrën se si po e menaxhonte Xhihani kompaninë dhe pyet se ku i ka gjetur ai paratë për të dalë nga burgu. Atëherë Ozani i rrëfen se ka qenë ai që e ka nxjerrë nga burgu, duke ia marrë paratë Harunit. Dilara mbetet pa fjalë.

Haruni i shpreh dashurinë Dilarës

Haruni i shpreh Dilarës dashurinë dhe i tregon se sa shumë e ka dashur edhe para shumë vitesh, kur ajo zgjodhi Xhihanin dhe iku me të. Gylsereni e detyron Hazallin të shkojë në shkollë, por kur shkojnë atje, ato përballen me ftohtësinë e drejtoreshës, e cila u thotë se Dilara nuk ka paguar për Hazallin, kështu që ajo nuk mund të vazhdojë të shkojë në atë shkollë. Gylsereni përpiqet ta qetësojë të bijën. Ozani i tregon edhe të atit se garancinë e tij e ka paguar Haruni dhe se këtë ka shkuar t’ia kërkojë vetë ai. Xhihanit nuk i pëlqen aspak kjo, gjë që bëhet sërish shkak për konflikt mes tij e të birit. Xhihani takon Harunin, i cili i thotë se e ka bërë këtë gjë për hir të miqësisë së tyre të vjetër.

Xhihani shkon në shtëpinë e Gylserenit për ta pyetur se si ka përfunduar aty pistoleta e tij. Në shtëpi gjen Derjan, e cila i lë të kuptojë se ka qenë Ozani ai që ka ardhur me armë aty. Xhihani nuk e beson dot se i biri ka qenë në gjendje të bëjë një gjë të tillë dhe shkon t’i kërkojë llogari atij. Mes Xhihanit dhe Ozanit shpërthen një grindje që mezi e ndalon Dilara. Xhihani shkon të takojë Gylserenin dhe i kërkon asaj që të mos i mbajë të fshehtë më asgjë nga ato që bëjnë njerëzit e tij. Ajo i kërkon të falur dhe i premton se do t’i tregojë gjithçka.

Ozani i çon Harunit videon e Hazallit

Rahmiu i telefonon Dilarës dhe i kërkon asaj ta nxjerrë nga burgu, duke përdorur videon e Hazallit. Dilara, që nuk është në dijeni të kësaj videoje, habitet nga kjo që mëson. Xhandani që është e pranishme, i tregon Harunit për videon. Dilara shkon ta kërkojë videon te Gylsereni. Kjo e fundit zemërohet për shkak të mënyrës se si sillet me Hazallin dhe e nxjerr jashtë Dilarën. Gylsereni, e trembur se çfarë gjëje të turpshme mund të ketë në atë video për Hazallin, i telefonon Xhihanit. Ky i fundit habitet se si u vu në dijeni Dilara për ekzistencën e videos dhe me qëllimin që ajo të mos bjerë në duart e gabuara, i telefonon Azmiut dhe i kërkon atij ta marrë nga shtëpia e tij dhe t’ia sjellë në dorë Xhihanit. Rahmiu i tregon edhe Ozanit për videon që mund ta nxjerrë atë nga burgu dhe hedh dyshimet se atë mund ta ketë Azmiu. Ozani i telefonon këtij të fundit dhe i kërkon t’i tregojë ku ndodhet laptopi pasi do t’ia çojë ai të atit. Azmiu i tregon se e ka në shtëpi. Ozani e merr videon dhe ia çon Harunit...

Ozkani merr sërish Xhanin

Gjatë qëndrimit në spital, Ozkani njihet rastësisht me Denisin. Nëna dhe vëllai i Nurajit i marrin me vete Xhanin, me gjithë dhimbjen që ndien Ozkani nga kjo ndarje. Kur vjen Xhansuja, nis t’i kërkojë llogari Ozkanit se pse e dha vëllain e saj. Ajo i thotë se nëse u pendua që e la Hazallin, çfarë babai është ai që po bën të njëjtën gjë me fëmijën tjetër? Ozkani e puth dhe vendos të ikin menjëherë për ta marrë Xhanin. Në atë moment, Denisi vjen në shtëpinë e tyre për të njohur njerëzit që i dhanë mundësi mamasë së tij të jetonte. Ai u tregon se zemra e Nurajit është transplantuar me sukses tek e ëma. Ozkani i tregon se kanë nevojë të ikin menjëherë dhe Denisi ofrohet t’i shoqërojë ai me makinë. Ozkani arrin ta marrë sërish Xhanin dhe të katërt, bashkë me Xhansunë e Denisin kthehen të lumtur në shtëpi. Ozkani e mban për drekë Denisin, që duket se ka një tërheqje reciproke me Xhansunë.

Xhihani mëson se videon e ka marrë Ozani, por tashmë është vonë, pasi ai ia ka dorëzuar Harunit, i cili ka bërë një montazh duke hequr pjesët ku Hazalli është e zhveshur. Xhihani i telefonon Ozanit, por i del i ati, i cili tashmë ka dalë nga burgu, falë nipit të tij. Rahmiu kthehet në shtëpi, tashmë i zemëruar me Dilarën dhe Xhihanin, që e lanë në burg.

Xhihani i blen shtëpinë Ozkanit

Hazalli i dërgon Dilarës një bllok me fotografi të sajat dhe me dedikime për të, që e prekin Dilarën. Ozani i tregon Xhansusë se e ka lënë shkollën dhe i kërkon asaj të mos i tregojë askujt. Xhihani e pyet Ozanin se kujt ia ka treguar videon e Hazallit dhe ai e gënjen duke i thënë se e ka parë vetëm shoku që ka bërë montazhin. Xhihani i thotë se ai mund ta përdorë videon për shantazh për ta ose Hazallin. Xhihani e pyet nëse do t’ia kishte dhënë dikujt atë video nëse do ta kishte bërë Xhansuja dhe Ozani i thotë se jo. Haruni dërgon te Xhihani dikë tjetër që hiqet sikur e ka bërë ai montazhin.

Ozkanit i vjen njoftimi për zbrazjen e shtëpisë që do t’i konfiskohet. I mbetur pa asnjë zgjidhje tjetër, ai vendos të vjedhë një makinë të shtrenjtë që ndodhet në ofiçinën e Enginit dhe ta shesë atë. Me gjithë vrasjen e ndërgjegjes, ai shkon natën në ofiçinë, vjedh makinën dhe e shet, duke marrë paratë që do t’i duhen të nesërmen për të “blerë” shtëpinë e tij. Kur shkon në ankand, ai mëson se shtëpia e tij tashmë është shitur. I dëshpëruar, Ozkani del jashtë, por takohet me Jëlldërëmin, i cili i jep dokumentin e shtëpisë dhe i thotë se Xhihani e ka blerë atë shtëpi dhe se ai mund të jetojë atje si ta kishte të vetën. Edhe një herë tjetër, Ozkani ndihet i pafuqishëm përballë Xhihanit. I penduar për çfarë i bëri shokut të tij të vetëm, Ozkani shkon atje ku kishte shitur makinën e vjedhur dhe u kërkon t’ia japin në këmbim të parave, edhe duke i kërcënuar. Ozkani ia çon makinën Enginit pikërisht kur i zoti i saj do që ta rrahë. Engini e përqafon Ozkanin, duke iu dukur ai si hero, pa e ditur gjithë çfarë fshihet pas kësaj që ka ndodhur.

Hazalli sërish kundër Xhansusë

Xhihani e rikthen Hazallin në shkollë, ku ajo bashkë me Shejdën, nuk humb rastin për të mërzitur Xhansunë. Bahtijari është i pranishëm në zënkën e tyre dhe ia tregon atë Dilarës. Dilara, që e prekur nga ditari i saj, ishte e gatshme ta falte Hazallin, tashmë i telefonon asaj për t’i thënë se nuk duhet t’i dalë më përpara Xhansusë. Dilara lidhet gjithnjë e më shumë me Harunin. Çidemi i telefonon Gylserenit për t’i propozuar një vend pune në kompaninë e saj. Dilara dhe Xhihani divorcohen, por vendosin të mbeten miq me njëri-tjetrin. Por, shumë shpejt ujërat do të turbullohen prapë nga problemet që kanë ata me kompaninë, ndërsa Dilara përpiqet t’ia vërë në dukje se tashmë është eprorja e tij. Mbrëmjen pas divorcit, Xhihani shkon për darkë te Gylsereni...

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.