Antibiotikët shkaktojnë obezitet!

Intervista - - SHENDET -

Me doktoreshë Detinën, sot vendosëm të flisnim për studimet e fundit që vërtetojnë teorinë sipas së cilës përdorimi i antibiotikëve te njerëzit përpara moshës dy vjeçare shkakton obezitet. Por, përpara se të ndalemi te ky zbulim, le të flasim pak për antibiotikët në përgjithësi. Të gjithë i kemi përdorur të paktën një herë në jetë, por jo të gjithë i njohim ata...

Adrian Rakipi: - Doktoreshë, çfarë janë antibiotikët dhe si përdoren ata? Dr. Detina Zalli ka studiuar Mjekësi Molekulare në universitetin e Suseksit, më pas vazhdoi doktoraturën në Universitetin e Leiçesterit. Në vitin 2012, ajo u zhvendos në universitetin e Harvardit, në të cilin punon aktualisht si kërkuese shkencore dhe profesoreshë…

- Antibiotikët janë substanca kimike që prodhohen nga një mikroorganizëm i aftë që në tretësira të holluara, të vrasë mikroorganizmat ose të frenojë rritjen e tyre. Përdorimi i antibiotikëve është i gjerë. Ata përdoren si terapi empirike, kur mikroorganizmi përgjegjës për sëmundjen nuk është identifikuar akoma. Kështu, mjeku jep një antibiotik me spektër të gjerë. Mund të përdoren si terapi përfundimtare, kur mikroorganizmi përgjegjës është identifikuar. Mjeku jep në këtë rast një terapi me spektër të ngushtë. Konkretisht, antibiotikët përdoren në trajtimin e infeksioneve bakteriale, infeksioneve ndaj protozoarëve, në apendicitin akut jo të komplikuar. Njëkohësisht, ai ndihmon në parandalimin e infeksioneve në plagët kirurgjikale, shërben si antibiotik profilaktik dentar etj.

- Shpesh flitet edhe për antimikrobialë ose antibakterialë. Ku qëndron ndryshimi mes tyre dhe antibiotikëve?

- Dallimi midis antibakterialëve dhe antibiotikëve është se antibakterialët nuk përdoren si medikamente, por në sapunë dhe në lëndë pastruese. Substanca kundër të gjithë mikroorganizmave është vetëm antimikrobiku. Ky keqkuptim ka bërë që njerëzit t’i përdorin ato në mënyrë të papërshtatshme. Në SHBA, 4 në 5 amerikanë marrin antibiotikë çdo vit dhe ky po kthehet në një problem të frikshëm në menaxhimin e ardhshëm të infeksioneve bakteriale dhe rezistencës së tyre. Sidoqoftë, antibiotikët kanë shpëtuar miliona jetë qëkur janë zbuluar, në shekullin e XX dhe kjo i bën ata të pazëvendësueshëm.

- Pavarësisht se antibiotikët, siç e thatë edhe ju, kanë shpëtuar miliona jetë, ata kanë edhe efekte anësore, apo jo?

- Po, antibiotikët kanë edhe shumë efekte anësore, që mund të jenë: temperaturë, reaksione alergjike, anafilaksi, diarre, mund të preket flora vaginale ose të ndërveprojë me medikamente të tjera.

- Së fundi, është gjetur një lidhje mes përdorimit të antibiotikëve te fëmijët para moshës 2 vjeçare dhe rrezikut për obezitet. Si dhe nga kush u bë i mundur ky zbulim? Cilat janë bazat që e mbështesin atë?

- Po, tashmë është provuar se fëmijët që kanë përdorur tre ose më shumë kura me antibiotik para moshës 2 vjeçare, rrezikojnë për obezitet në fëmijëri. Studimi i ri është publikuar në “Gastroenterologji”, revista zyrtare e Shoqatës Amerikane Gastroenterologjike. Kërkuesit nga Universiteti i Kolorados, Kampusi Mjekësor Anscutz dhe Universiteti i Pensilvanisë, Filadelfia kanë kryer një studim mbi popullatën në Mbretërinë e Bashkuar, për të vërtetuar lidhjen midis marrjes së antibiotikëve përpara moshës 2 vjeçare dhe obezitetit në moshën 4 vjeçare. Sipas studimit, fëmijët që kanë marrë antibiotikë kishin 1,2% rritje absolute dhe 25% rritje relative të riskut për obezitet në fëmijëri. Doktorët mbështesin teorinë se përbërësit e antibiotikëve mund të ndryshojnë funksionet dhe përbërjen e mikroorganizmave që ndodhen në trupin e njeriut dhe kjo rrit riskun për obezitet. Kjo gjë ka qenë e provuar më parë te kafshët, por ende jo te njeriu. Studiuesit kanë vëzhguar 49 milionë raste të vizitave pediatrike çdo vit, vizita në të cilat janë dhënë antibiotikë.

- Ky zbulim është i një rëndësie të madhe, pasi e dimë që obeziteti është një nga problemet më të mëdha të kohëve moderne. Si mendoni se do kontribuojë ky zbulim në uljen e nivelit të obezitetit te fëmijët?

- Obeziteti në fëmijëri është një nga sfidat më të mëdha të shëndetit publik të shekullit të 21-të, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Fëmijët dhe adoleshentët obezë janë të ekspozuar ndaj një risku në rritje për të zhvilluar probleme të ndryshme shëndetësore dhe janë më të prirur për të qenë obezë edhe në moshë të rritur. Ky studim ka një mesazh të rëndësishëm, për t’u menduar dy herë përpara përdorimit të antibiotikëve te fëmijët. Le të fillojmë që nga fëmijët, për të parandaluar rezistencën ndaj antibiotikëve dhe obezitetit. Më mirë është të parandalosh!

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.