Ç’duhet të bëni kur vuani nga aritmia?

Intervista - - SHENDET -

Aritmi quhen rrahjet e çrregullta të zemrës. Për disa, aritmia nuk shkakton kurrë probleme, por të tjerëve ajo mund t’u shkaktojë goditje në tru, infarkt ose pushim zemre. Simptoma të saj mund të përfshijnë marrje mendsh, lodhje, dobësi, marrje fryme dhe dhimbje gjoksi, sidomos te njerëzit me sëmundje të tjera zemre. Nëse ju ndieni se “zemra ju rreh si e çmendur” shpesh, ose keni simptoma të tjera të aritmisë, duhet të shkoni te doktori.

1. Kontrolloni diabetin dhe presionin e gjakut

Diabeti dhe presioni i lartë i gjakut shtojnë rrezikun e goditjes në tru kur keni aritmi. Goditja në tru ndodh pesë herë më shpesh te njerëzit me aritmi. Duke ngrënë ushqime me pak sheqer e kripë dhe duke kontrolluar peshën, mund të ndihmoni në uljen e sheqerit në gjak dhe të presionit të gjakut, si dhe të ulni rrezikun për ndërlikimet e aritmisë.

2. Ushqehuni shëndetshëm

Një dietë e varfër me sheqerna të rafinuara, yndyrna trans dhe kripë, do t’ju ndihmojë të kontrolloni sheqerin në gjak, kolesterolin dhe presionin e gjakut. Të paktën gjysma e pjatës suaj duhet të jetë e mbushur me perime, si ato jeshile dhe fruta. Konsumoni yndyrna të shëndetshme, si salmoni, i cili është i pasur me acide omega 3. Zgjidhni ushqime të pasura me proteina, si bishtajat dhe preferoni më mirë drithërat integrale, sesa ato të rafinuara, që nuk përmbajnë fibra.

3. Lini duhanin

Studimet tregojnë se duhanpirësit që e pinë duhanin aktualisht, ose e kanë pirë më parë, rrezikohen më shumë nga aritmia. Përveç kësaj, pirja e tij shton rrezikun për goditje në tru. Kështu pra, është mirë të hiqni dorë nga duhani për të shtuar gjasat e një jete të shëndetshme. Ka mënyra të ndryshme për lënien e tij, që nga paçi, çamçakëzat, cigaret elektronike, etj. Trajtimi mjekësor për të lënë duhanin mund t’i dyfishojë mundësitë e lënies.

4. Kujdes me holluesit e gjakut

Pasi të jeni diagnostikuar me aritmi, doktori mund t’ju japë disa mjekime (përfshi këtu edhe hollues gjaku) për të reduktuar rrezikun e goditjeve në tru. Këto ilaçe antikoaguluese mund të ndërveprojnë me disa ushqime, suplemente (vitamina, kripëra minerale të marra në formë tabletash), ose edhe mjekime të tjera. Sigurohuni të pyesni doktorin se çfarë mund të hani dhe çfarë ushqimesh të evitoni kur merrni mjekimet tuaja.

5. Kufizoni alkoolin dhe stimuluesit

Një gotë verë në darkë nuk përbën problem për shumicën e njerëzve me aritmi, por pirja e tepruar dhe e pakontrolluar mund të shkaktojë probleme të ritmit të rrahjeve të zemrës edhe te njerëzit e shëndetshëm. Këtë duhet ta evitoni nëse keni aritmi. Stimuluesit, si zhbllokuesit e hundëve (pseudoefedrina), gjithashtu, mund ta rëndojnë gjendjen tuaj.

6. Mos e teproni me kafenë

Në këtë kaluarën, disa doktorë u thoshin njerëzve me aritmi të mos pinin kafe. Megjithatë, në studimet e fundit, kafeina nuk duket se shkakton aritmi, por pirja e saj me tepri mund të shtojë presionin e gjakut, gjë që ju doni ta evitoni. Pini kafe me masë, që të mos keni probleme.

7. Lëvizni

Aktiviteti i rregullt fizik mund të ndihmojë për reduktimin e rrezikut të ndërlikimit të sëmundjeve të zemrës, por ushtrimet shumë të fuqishme nganjëherë mund ta rëndojnë aritminë. Flisni me doktorin për llojin e fizkulturës që është më e mirë për ju. Sigurohuni që ta filloni fizkulturën ngadalë. Për shembull, një mënyrë e mirë për të filluar është ecja të paktën gjysmë ore në ditë.

8. Bëni vaksinat

Studimet kanë treguar se njerëzit që bëjnë rregullisht vaksinat kundër gripit dhe pneumonisë, kanë më pak rrezik të infarkteve. Kur ke aritmi, është mirë të bësh çdo gjë që është e mundur për të qenë i shëndetshëm. Kështu pra, bëjini vaksinat e gripit kur vjen stina e tij.

9. Pakësoni stresin

Stresi akut mund të shkaktojë momente aritmie kur vuan prej saj. Gjithashtu, stresi kronik shpesh çon në zakone të pashëndetshme, si duhanpirja dhe pirja e alkoolit, që të dyja të këqija për zemrën. Në vend të kësaj, për të kontrolluar stresin, provoni jogën. Një studim i vogël tregoi se ajo mund ta reduktonte me 50% shfaqjen e episodeve të aritmisë.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.