Pse unaza e fejesës mbahet në gishtin e katërt?

Intervista - - ENCIKLOPEDI -

Stolia më e çmuar që kemi është unaza që partneri/ja na ka vënë në gisht ditën e fejesës. Nuk ka rëndësi nëse është prej ari, platini apo hekuri, me diamantë, ose pa gurë fare; ajo është një lloj simboli i lidhjes dhe dashurisë. Por, çfarë dini ju për të? Ç’domethënie ka dhe pse vihet në gishtin e katërt?

Domethënia dhe historia e unazës së fejesës

Unaza është në përgjithësi një rreth i përkryer, që përfaqëson përjetësinë. Në të nuk ka fillim dhe fund. Çfarëdo të dizenjosh dhe të gdhendësh në të, rrethi ruhet, pra, nuk ka shenjë për fundin e lidhjes. Vrima e rrethit është një dritare që i mban të hapura mundësitë e së ardhmes. Thuhet se vrima simbolizon hyrjen e çiftit në botën e lumturisë dhe të bashkësisë, pasi shkëmbejnë unazat.

Unaza e fejesës apo e martesës siç e njohim ne, është një simbol i dashurisë dhe i përjetësisë mes çiftit. Qëllimi është t’ua tregosh unazën miqve dhe të afërmve me qëllim që t’u prezantosh njeriun që do. Nëse ky i fundit është i pasur, atëherë unaza bie më shumë në sy, por sido që të jetë, është shenjë krenarie të kesh një lidhje të lumtur.

Kur unaza doli në modë, burrat u jepnin dy të tilla grave të tyre, një prej ari që ta vinin në dasëm e në raste të tjera speciale dhe një prej hekuri që ta mbanin gjithë kohën. Kjo gjithashtu tregonte se gruaja ishte pronë ligjore e burrit, megjithëse tani unaza e ka humbur këtë domethënie. Thuhet se kjo traditë ka filluar në Egjiptin e lashtë; burrat u jepnin grave një unazë për t’u treguar se i donin dhe donin të kalonin jetën me to. Ajo e mbante unazën gjithë kohën, por materiali prej të cilit ishte përbërë nuk ishte shumë rezistent. Ajo shpërbëhej ose thjesht thyhej, ndaj filluan të përdoreshin kockat dhe fildishi. Pra, unaza nuk ka qenë gjithmonë një çështje komerciale dhe e shtrenjtë siç është tani. Romakët filluan të bënin të njëjtën gjë, por me një ndryshim të vogël. Kur një burrë romak i prezantonte një gruaje unazën, nuk i deklaronte dashurinë e tij, por thjesht kërkonte të drejtën mbi të. Nëse gruaja e pranonte unazën, atëherë ai e zotëronte atë për gjithë jetën.

Këtë modë e kopjuan edhe sulltanët dhe sheikët. Ndërkohë që në kulturën e tyre pranohet poligamia, ata i jepnin secilës prej grave të tyre nga një unazë për t’i etiketuar. Nëse një grua mbante unazën e dhënë prej sulltanit, ishte e qartë se ajo ishte gruaja e tij dhe askush tjetër nuk kishte të drejtë ta shihte apo ta prekte.

Pse unaza mbahet në gishtin e katërt të dorës?

Ka shumë përgjigje për këtë pyetje. Kulturat e ndryshme kanë teori të ndryshme... 1. Vena e dashurisë Sipas grekëve dhe ro- makëve, ekziston një venë e njohur si “vena amoris” (vena e dashurisë), e cila lidh gishtin e katërt të dorës së majtë, me zemrën. Për këtë arsye, kur çiftet e martuara e vënë unazën në këtë gisht, ata lidhin pjesën më të rëndësishme të jetës së tyre me këtë venë. Për këtë arsye, kjo gjithashtu konsiderohet si simbol i dashurisë në çift.

2. Teoria kineze e përfaqësimit

Sipas miteve të lashta kineze, secili nga gishtat përfaqëson një pjesë të jetës. Gishti i madh është për prindërit, ai tregues për motrat dhe vëllezërit, i mesit për veten, i unazës për bashkëshortin/en dhe i vogli për fëmijët. Për këtë arsye, unaza vihet në gishtin e katërt. Kjo teori mbështetet edhe mbi prakticitetin. Kur ne bashkojmë duart dhe shtrëngojmë fort nyjet e poshtme të gishtërinjve të mesit, do të vini re se nuk mund t’i ndajmë dot gishtat e unazës. Provojeni vetë, nëse nuk na besoni. Bashkoni fort nyjet e dyta të gishtave të mesit dhe përpiquni të largoni gishtat nga njëritjetri. Do të shihni se gishtat e mëdhenj shkojnë larg njëritjetrit. Kjo ndodh ngaqë ne largohemi nga prindërit dhe bëjmë jetën tonë. Gishtat tregues gjithashtu ndahen, sepse ne nuk jetojmë gjithmonë me vëllezërit dhe motrat. Edhe gishtat e vegjël ndahen, sepse fëmijët do të bëjnë jetën e tyre. Por, gishtat e katërt, ku kemi edhe unazën e fejesës, që përfaqëson lidhjen me bashkëshortin/en, qëndrojnë të bashkuar.

3. Teoria logjike amerikane

Për shumë vjet, kulturat e ndryshme e kanë vënë unazën në gishtin e mesit, por amerikanët e kuptuan se gishti i mesit përdoret më shumë dhe për këtë arsye, edhe unaza dëmtohet më shumë. Ata filluan të përdornin gishtin e katërt të dorës së majtë, sepse është i dyti pas të voglit që përdoret më pak. Atje kjo stoli kaq e shtrenjtë ka më pak gjasa për dëmtime. I vogli u evitua sepse është relativisht i vogël dhe unaza këtu nuk e zbukuron shumë dorën. Ka edhe një arsye pse është zgjedhur dora e majtë. Meqë shumica e njerëzve përdorin të djathtën, ata nuk e përdorin shumë të majtën, duke evituar kontaktin e unazës me gjëra të tjera, pra, duke e mbrojtur atë nga dëmtimi. Kjo teori duket edhe më e sakta, apo jo?

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.