A përfitoj nga amnistia?

Intervista - - PYETJE PËRGJIGJE PËR GJITHÇKA -

- Përshëndetje zoti Avokat. Jam Bajrami nga Lezha. Në vitin 2010 u dënova nga Gjykata e Rrethit e Apelit Shkodër me 7 vite heqje liri. Gjatë qëndrimit në burg, për arsye të sjelljes së mirë, përfitova për çdo vit ulje dënimi. Në nëntor të vitit 2015 iu drejtova Gjykatës së Shkallës së Parë Lezhë me kërkesë për lirim para kohe me kusht. Gjykata e pranoi këtë kërkesë duke më liruar menjëherë nga institucioni i vuajtjes së dënimit. Prokurori i çështjes nuk ishte dakord me këtë vendim dhe bëri ankimim në Gjykatën e Apelit Shkodër. Në fund të këtij muaj më del data e gjyqit. Kam shkuar disa herë në zyrën e shërbimit të provës pasi mora vendimin, por punonjësit e këtij institucioni më kanë thënë se do të më thërrisnin ata pasi t’i vinte vendimin nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Lezhë. Pyetja ime është: A përfitoj nga amnistia pasi mua 9 muaj më kishin mbetur pa vuajtur, edhe pse nuk kam bërë shërbimin e provës?

I nderuar zoti Bajram, ju falënderoj së pari për besimin tuaj. Pasi e studiova me vëmendje problemin e paraqitur prej jush, mund t’ju them se Zyra Vendore e Shërbimit të Provës ku ju keni vendbanimin, duhet të marrë vendimin nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Lezhë, sektori i ekzekutimit të vendimeve penale lidhur me vijimin e procedurave të shërbimit të provës. Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, në datën 21.12.2015 ka miratuar ligjin nr. 154/2015 “Për Dhënie Amnistie” dhe ky ligj ka hyrë në

-

fuqi 15 ditë pas botimit në fletoren zyrtare. Në këtë ligj përcaktohen kriteret për përfitimin e amnistisë. Qëllimi i këtij ligji është të përjashtojë nga vuajtja tërësisht ose pjesërisht e dënimit të gjithë personat që plotësojnë kriteret sipas dispozitave të këtij ligji. Dhënia e amnistisë udhëhiqet nga parimet e humanizmit, arritjes së qëllimit të dënimit, rrezikshmërisë së ulët të personave që amnistohen, si dhe mbrojtjes së interesit publik. Plotësojnë kriteret për të përfituar amnisti, sipas këtij ligji:

a) personat e dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë, me burgim deri në 2 vjet për dënime të dhëna deri në datën 30 nëntor 2015, pavarësisht nga koha e mbetur nga dënimi, me përjashtim të personave të dënuar për veprat penale, të parashikuara në nenin 5 të këtij ligji;

b) personat e dënuar me vendim të formës së prerë, me gjobë (për pjesën financiare të pashlyer të

dënimit deri në datën 30 nëntor 2015) apo personat, për të cilët gjykata deri në datën 30 nëntor 2015 ka caktuar një nga llojet e alternativave të dënimit;

c) personat e dënuar me burgim, të cilëve, deri në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, u kanë mbetur pa vuajtur nga ky dënim deri në 2 vjet, me përjashtim të personave të dënuar për veprat penale të parashikuara në nenin 5 të këtij ligji;

ç) personat e dënuar femra, që, në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, janë baraz ose mbi moshën 50 vjeç, me përjashtim të personave të dënuar për veprat penale, të parashikuara në nenin 5 të këtij ligji;

d) personat e dënuar meshkuj, që, në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, janë baraz ose mbi moshën 60 vjeç, me përjashtim të personave të dënuar për veprat penale të parashikuara në nenin 5 të këtij ligji;

dh) personat e dënuar me burgim, të cilët, në kohën e kryerjes së veprës penale, kanë qenë baraz ose nën moshën 18 vjeç, me përjashtim të atyre që janë dënuar për vepra penale, të parashikuara në nenet 76, 77, 78, 78/a, 79, 79/a, 79/b, 79/c, 81, 101, 103, 104, 110/a, 139, 140, 141, 234/a, 234/b, 278/ a, 282/a, 283/a, 333, 333/a e 334 të Kodit Penal. Të gjithë personave të dënuar, të cilët nuk përfitojnë nga parashikimi i nenit 3 dhe përjashtohen nga kriteret ndaluese, të parashikuara në nenin 5, të këtij ligji, u amnistohet:

a) 1,5 vjet të mbetura për personat e dënuar gra dhe personat që në kohën e kryerjes së veprës penale kanë qenë të mitur.

b) 1 vit të mbetur për personat e dënuar burra.

Përfundimisht, i nderuar zoti Bajram, pavarësisht nga vepra për të cilën ju jeni dënuar, përfitoni nga neni 4 pika b ku amnistohen 1 vit të mbetur për personat e dënuar burra. Kur të shkoni në Gjykatën e Apelit Shkodër do të kërkoni pushimin e gjykimit pasi jeni përfitues nga ligji nr. 154/2015 “Për Dhënie Amnistie”. Përgatiti faqen: Valbona Vukulaj

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.