Ju pyesni mjeku përgjigjet Si të kujdesem për lëkurën në verë?

Intervista - - PYETJE PËRGJIGJE PËR GJITHÇKA -

- Kam një pyetje për dermatologen tuaj. Unë kam një lëkurë shumë delikate sidomos tani që ka filluar periudha e verës. Mund të më skuqet dhe të marrë njolla shumë lehtë. Kjo është periudha kur unë frikësohem për fytyrën time, ndaj më thoni çfarë duhet të kem parasysh që të mos kem probleme? Theksoj që kam lëkurë delikate. Një vajzë nga Tirana.

Dr. Albana Lufi, Ph.D në Dermatologji: -E nderuar lexuese, ne kemi folur shpesh se si të kujdesemi për lëkurën gjatë gjithë kohës, por tani jemi në një periudhë kur kujdesi duhet dyfishuar, sidomos nga ju që keni lëkurë delikate. Së pari, duhet të zgjidhni gjithmonë produkte për lëkura delikate, locionin pastrues pa shpëlarje ose spërkatës me ujëra termale, kremra hidratantë të lehtë.

- Pasi ta lani fytyrën, thajeni mirë duke e tamponuar me një shami letre dhe jo me pambuk. Në ambientet e punës me ajër të kondicionuar ose në ambiente të nxehta rekomandohet përdorimi i kremrave hidratante disa herë në ditë. Në qoftë se përdorimi i një produkti ju shkakton skuqje, ose pickim, ndërpriteni menjëherë, sepse nuk është lloji i kremit, maskës, apo pastruesit për lëkurën tuaj.

- Ndërsa përsa i përket kujdesit, në këtë periudhë, ai nevojitet për të gjitha llojet e lëkurave e jo vetëm për lëkurat delikate. Të gjitha tipet e lëkurave duhet të mbrohen nga dielli, madje në vendin tonë, kremrat kundër diellit duhen përdorur gjatë gjithë vitit duke qenë se jemi një vend që kemi diell pothuajse në të gjitha stinët. Periudha më delikate kur dielli i shkakton dëme lëkurës është duke filluar nga muaji mars gjer në fund të shtatorit. Në këtë periudhë duhet të përdorni kremra me filtër mbrojtës të lartë nga 30 gjer në 50 SPF. Aplikojeni 30 minuta para ekspozimit në diell dhe përsëriteni përdorimin e tij çdo 3 orë mundësisht. Në kohën e plazhit, kremin kundër diellit duhet ta vendosni sa herë dilni nga deti, duke e shpëlarë më parë fytyrën me ujë, pasi uji i kripur lejon që rrezet e diellit të depërtojnë më lehtë në lëkurë duke bërë të mundshme shfaqjen e njollave kafe. Nuk duhet të harroni të përdorni syze, sepse ato ndihmojnë në mbrojtjen e syve, por edhe në parandalimin e shfaqjes së rudhave të diellit. Lëkurat e yndyrshme e tolerojnë më mirë diellin, por edhe për këto tipe lëkurash është i rekomandueshëm përdorimi i kremrave me filtër mesatar.

- Për të patur një lëkurë të shëndetshme, ajo duhet mbrojtur nga ndryshimet e temperaturave, nga dielli dhe nga era. Kufizoni në maksimum përdorimin e alkoolit dhe të duhanit. Pini të paktën tetë gota ujë çdo ditë dhe hidratojeni vazhdimisht lëkurën. Përsa i përket zgjedhjes së kremrave do t’ju sugjeroja të konsultoheni më parë me një dermatolog. Mos blini kremra vetëm sepse reklamimi i tyre ju josh. A i keni bërë pyetje vetes a janë të përshtatshme këto produkte për fytyrën tuaj? Është i rëndësishëm këshillimi paraprak me një dermatolog i cili do t’ju orientojë për të marrë atë produkt për të cilin ka nevojë lëkura juaj. Përpara zgjedhjes së produktit, mjeku dermatolog bën testimin e lëkurës suaj dhe më pas ju sugjeron produktet e nevojshme që ju duhen.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.