Letra për psikologun Pse nuk e bëka paraja lumturinë?

Intervista - - PYETJE PËRGJIGJE PËR GJITHÇKA -

- I nderuar Dr. Demiri jam një sociolog që vërej se po thellohet gjithnjë e më shumë disniveli ndërmjet të varfërve dhe të pasurve. Shoh të pasur që pasurohen edhe më shumë dhe të varfër që varfërohen deri në ekstrem. Komunizmi dështoi për t’i përafruar nivelet, por edhe sot nuk shkon kjo punë… Nga ana tjetër, ju kam lexuar juve dhe shumë të tjerë të thonë se “paraja nuk e bën lumturinë”. Me siguri, jeni ju të pasurit që e mendoni kështu, se ata që nuk kanë bukë të hanë, duhet të kenë mendim tjetër...

Dr. Jashar Demiri, psikolog klinicist: I nderuar sociolog i ri. Kur shoh njerëz të pasur, mendja të vete se ata janë pasuruar me punë e me djersë. Kjo lloj pasurie është një tregues i zotësisë dhe frut i ndonjë merite, pra, një gjë e bukur, megjithatë, mos kujto se pasuria është një sinonim i lumturisë. Në jetën time si studiues, madje si vëzhgues i kujdesshëm, kam njohur shumë të pasur jo të lumtur, ashtu siç kam njohur njerëz jo aq të pasur, por që jetojnë të lumtur. Tolstoi ka shkruar: “Të gjitha familjet e palumtura janë të palumtura gati njëlloj; të gjitha familjet e lumtura janë të lumtura secila sipas mënyrës së vet”. Në rininë time kam qenë “fiksuar”

-

pas një thënieje tjetër të Tolstoit e cila ka qenë si një lajtmotiv i imi dhe kam dëshirë që ta citoj: “Vetëm shqetësimet e ndershme, të bazuara në punë e përpjekje për luftën e jetës dhe në dashurinë jo vetëm për vete, por më shumë për të tjerët, përbëjnë atë që quhet lumturi, kurse shqetësimet e pandershme, të bazuara vetëm në dashurinë për vete, përbëjnë atë që quhet palumturi”.

Këtë thënie në rininë time e kam zbërthyer në detaje dhe jam ndier i lumtur jo vetëm për çfarë kam bërë për vete, por më shumë për ato çfarë kam mundur të bëj për të tjerët. Kam kuptuar se ana humane dhe bujaria e vetë profesionit më kanë bërë të ndihem i dobishëm, dobi të cilën e kam shprehur konkretisht. Unë nuk futem as te të pasurit, as te të varfërit, porse “pasuri” të madhe kam quajtur faktin që jemi rritur tetë fëmijë të suksesshëm nga dy prindër shumë të mirë, quaj familjen time dhe fëmijët e mrekullueshëm dhe siç thashë, “pasuri” të madhe kam quajtur jetën e suksesshme e me dobi për të tjerët. Edhe qëllimi i këtyre përgjigjeve dhe intervistat e shumta këtë qëllim kanë, që të ndihmoj njerëzit edhe në distancë, kudo që janë. Njoh njerëz të pasur, vetë pasuria e të cilëve është bërë shkak që ata ose fëmijët e tyre të bëhen njerëz “të tepërt”, në mos drogaxhinj apo bixhozxhinj, aq sa kur më vijnë për trajtim, them me vete: “mjerë këta”, sepse i gjen me një mijë halle madje gati të pazgjidhshme. Ndoshta ju mund edhe të qeshni me këtë përgjigjen time, por mendoj se duhet pasur frikë kjo lloj pasurie.

Nëse brezat pasardhës bëhen vetëm konsumatorë (të këqinj) dhe rriten të paaftë për të bërë jetën me punën e aftësitë e tyre, kjo do të ishte katastrofë për ata njerëz. Pasi të vdesin prindërit, ata do të ndihen si peshku në rërë, ndaj edhe mençuria popullore thotë: “Djalit mos i lër pasuri, por jepi dituri e aftësi”. Shoh gjithashtu edhe njerëz që hanë e pinë pije të shtrenjta dhe pak e nga pak, e dëmtojnë shëndetin e tyre. Nga ana tjetër, ngaqë nuk kanë bërë dot punë fizike, doktorët i detyrojnë gati në pleqëri që të vrapojnë kur janë si të mbaruar. Shoh nga ata shpesh nga liqeni, për të ulur mbipeshat që të mos sëmuren e vdesin, kryesisht nga sëmundjet e zemrës. Ndaj të mençurit përdorin një postulat “më mirë të dish sesa të kesh”, pasi nëse rezultatet e pasurisë janë ato që përmenda më sipër, me siguri mund të më thoni: “nëse rezultati është ky, nuk dua të jem i pasur!”.

Jo, ia vlen të jesh i pasur e i fuqishëm për vete, për të ndihmuar të afërmit që të rrethojnë e për të jetuar jetën sa më bukur, pasi kjo të krijon edhe një imazh të bukur në shoqëri, porse asgjë nuk do të vlente po të mos jetë në radhë të parë njeriu me “Nj” të madhe. Në qoftë se Nj-ja e madhe është si shifra 1, çdo zero e shtuar pas tij tregon vlerat në rritje. Nëse Nj-ja e madhe nuk do të ekzistonte, atëhere do të mbeteshin vetëm zerot, pra, nuk do të kishte vlera. Vërejmë në jetë se po të jetë njeriu keqdashës, kur është i pasur, bëhet edhe më i keq. Ja, i shihni prolemet që kanë të pasurit me ligjin?! Po të kisha shumë para, do të preferoja që të ndihmoja të varfërit. Unë mendoj se të ndihmosh të varfërit nuk do të thotë t’u japësh para lypësve apo të shpërndash të holla, por mbi të gjitha, të bëhesh ti “sebepi” i mirë që edhe ata të “kapen” në jetë e të jetojnë jo me lëmosha, por me punë e profesione dhe me shijen e ëmbël të djersës. Thonë se amerikani nuk të fal një peshk, por të mëson se si ta zësh një peshk! Sa e bukur! Siç thuhet edhe në librat fetare, edhe “zekatin” (1/40 e pasurisë) duhet të dish kujt t’ia japësh, pra, t’ia falësh atij që përpiqet shumë, por nuk arrin e megjithatë, jeton ndershmërisht. Kam biseduar me shumë besimtarë bamirës të feve të ndryshme ose me të pasur humanë dhe kam kam vërejtur tek ata një lumturi të brendshme që e kanë arritur duke ndihmuar të tjerët aty ku duhet, ndërkohë që vetëm ata e kuptojnë dhe e ndiejnë se kjo lloj lumturie është diçka që nuk mund të shihet e të blihet!

Ka edhe plot të tjerë të pasur gërnjarë ose të tjerë e që bëjnë rrush e kumbulla të tërë pasurinë e tyre. Ideologët marksistë apo komunizmi, siç thoni ju, vërtet dështuan plotësisht për t’i shmangur polarizimet pasurore ose ata e “arrinin” këtë, duke i bërë të gjithë të varfër gati njëlloj, por edhe kapitalizmi nuk po e realizon dot tentativën për t’i shtrënguar të pasurit që të ndajnë një pjesë pasurie për të varfërit. Vetë Tolstoi, 82 vjeç, vdiq në stacionin e trenit me emrin “Ostapova” ku ishte nisur për të ndihmuar ca të varfër që po vdisnin nga uria.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.