Arilena Ara: Me mend në kokë dhe këmbë në tokë...

Intervista - - MUZIKE -

Këngët e saj numërohen me gishta, por po aq të paktë në numër janë edhe artistët që ruajnë një profil si të sajin. Luku gjithnjë koherent, koreografi me energji që të rrëmben dhe performancë në nivelet e kolegeve ndërkombëtare, janë detajet që e bëjnë lehtësisht të identifikueshëm çdo projekt të këngëtares Arilena Ara. E kujdesshme, por e sigurt në atë që do të bëjë dhe të përcjellë në publik, ajo na tregon për këngën më të fundit, si dhe disa fakte interesante rreth saj. Ç’prisni për t’i mësuar?!

Mia Buci: - Arilena, “Toke Rroke” është një klip plot ngjyra, plot jetë dhe dinamik. Ku je frymëzuar për lukun tënd në të?

Ariela Ara: - Pamja ime në “TokeRroke” është pasqyra e shpirtit tim rebel. Ishte momenti i duhur që të tregonim një dimension tjetër të Arilenës. Të frymëzuar nga “fjala e fundit e modës”, grimierja ime Lili Ismaili dhe kuruesja e imazhit, Miranda Dupi, janë kujdesur për lukun tim në mënyrë të detajuar.

- Kënga “Vegim” ishte një dedikim për babain e munguar. Po “Toke Rroke”, kujt i adresohet?

- Teksti flet për energjinë kimike mes dy njerëzve që flirtojnë vazhdimisht dhe dëshirojnë të jenë bashkë. Është thjesht realiteti. Ne të gjithë ndiejmë, dashurojmë dhe duam të dashurohemi. Të gjithë e gjejnë veten në të, sigurisht, pa më përjashtuar mua. (Qesh)

- Çfarë ruan me mall nga kujtimet me babain?

- Imazhin e një mashkulli perfekt.

- Ke mbajtur ndonjëherë ditar? - Sinqerisht, jo. - Një pasion tjetër veç këngës?

- Palestra është motivimi im. Më jep forcë dhe energji pozitive. Është pjesa më e rëndësishme e përditshmërisë sime. Trupi, për mua është i shenjtë dhe kujdesem veçanërisht për mënyrën e ushqyerjes.

- Cilat janë në kompleks gjërat që të bëjnë të lumtur?

- Muzika. Dua vetëm të dëgjoj një këngë në përshtatje të humorit dhe qetësohem, buzëqesh. Aktivitetet fizike që më mbushin me frymë. Gjërat dhe detajet e vogla më japin gjithashtu emocione të bukura. Gjithçka që është e vërtetë dhe e sinqertë, më bën të lumtur.

- Sa e lehtë është të vish ndryshe dhe të dish të qëndrosh në kaosin që mbizotëron sot në muzikë?

- Unë e kam filluar karrierën time në një moshë shumë të vogël dhe ecuria ime ndër vite ka qenë graduale. Kam një staf që kujdeset për gjithçka dhe në mënyrë shumë të veçantë me eksperimentet në pamje apo në muzikë që shpeshherë, janë të nevojsh me për të realizuar diçka ndryshe dhe për t’u dalluar. “Dua atë që bëj dhe bëj atë që dua”, kjo më motivon për të përbal- luar gjithçka.

- E ke menduar ndonjëherë si do të ishin gjërat nëse do të ishe duke bërë muzikë në Amerikë tani?

- Ndonëse ndihem e përkëdhelur nga fati, unë kam punuar shumë që të jem këtu ku jam sot. Pa diskutim që çdo artist synon suksesin ndërkombëtar dhe bashkë me ekipin tim, po punojmë që të hedhim një hap të rëndësishëm në tregun ndërkombëtar. Gjithçka vjen me kohën dhe mendoj se kjo është mosha më e mirë për të bërë gjëra të mëdha.

- Ke ndonjë këngë që do të jetë së shpejti pjesëmarrëse në ndonjë kompeticion muzikor?

- Po punoj për disa produksione muzikore që do të lançohen gjatë verës. Ndërkohë, jemi në përgatitje të albumit tim të parë dhe po punojmë që të dalë në treg shumë shpejt. Stafi im ka menduar për pjesëmarrjen në festival, por është herët për të përcaktuar d içka konkrete.

- Me cilët nga kolegët artistë i ke marrëdhëniet më të ngushta?

- Veçoj Albërie Hadërgjonajn dhe Ingrit Gjonin, pavarësisht diferencës në moshë. Kemi kaluar një eksperiencë shumë të bukur gjatë “Dance with me” dhe i kam shumë për zemër.

- Ka ndonjë me të cilën nuk flet?

- Kam marrëdhënie shumë të mira me të gjithë. Kam shumë respekt gjithashtu edhe për ata kolegë që nuk i kam takuar personalisht.

- Me cilën nuk do të nguroje të bëje një duet?

- Me artistin që nuk do të ngurroja, tashmë po e mendojmë bashkëpunimin, por nuk do të jap më shumë detaje, që t’ju shtohet kureshtja. (Qesh)

- Na trego ca fakte interesante rreth teje?

- Nuk më pëlqen gjumi. Dua që dita ime të jetë aktive 24 orë pa pushim. Kam një energji të pashtershme. Nuk mbaj telefon ( numër personal) dhe me pjesën e komunikimit merret stafi menaxherial. Nuk dal asnjëherë për kafe. E ruaj me fanatizëm imazhin tim. Më pëlqejnë udhëtimet e gjata me makinë (gjithmonë nëse jam pasagjere).

- Sa këngë numëron deri tani?

- Katër produksione. I pesti është rrugës. (Qesh)

- Cili ka vend të veçantë në zemrën tënde?

- “Aeroplani” ësh të dashuria ime e parë, pasi shënoi edh e pikënisjen e karrierës sime në muzikë, por kënga ime e preferuar do të jetë gjithmonë kënga e fundit që do të publikoj.

- Cili është numri yt i preferuar? - Shtata. - Ka eksperienca jetësore në çdo këngë tënden?

- Jo. Deri tani vetëm balada “Vegim” ka të shkruar historinë e jetës sime.

- Kur e ke fituar sfidën e parë me veten?

- Pas humbjes së babait tim. Përjetova ngjarjen më të trishtë të jetës sime dhe sfida më e madhe ishte të qëndroja në këmbë.

- Çfarë do të dhuroje në një ditë si Shën Valentini?

- Kjo varet nga karakteri i njeriut, por unë jam më shumë te gjërat e thjeshta që bëhen me ndjenjë dhe dashuri, jo te gjërat materiale.

- Si do ta përshkruaje dashurinë e vërtetë?

- Ndjenjë e sinqertë dhe respekt i ndërsjellë.

- Të ka prekur dashuria në tela tashmë?

- Akoma jo. Thjesht, nuk jam përqendruar shumë te kjo pjesë.

- Je më shumë realiste apo ëndërruese?

- Sigurisht që të dyja bashkë. Nuk mund të jesh realiste nëse nuk ke ëndërruar njëherë.

- Për çfarë mendon pjesën më të madhe të kohës?

- Mendoj për të ardhmen duke bërë muzikë. Muzika është e ardhmja ime. - Libri yt i preferuar? - “Pesëdhjetë hijet e Greit”. (Qesh)

- Filmi që sa herë e sheh, të bën të qash?

- “Kënga e fundit”. Është një dramë romantike, luajtur nga Majli Sajrus, Liam Hemsuorth dhe Greg Kinear. Më emocionon sepse flet për një familje delikate dhe përfundon me vdekjen e babait.

- Si do ta ndihmoje një mik në ditë të vështira?

- Nëse është në dorën time, do ta ndihmoja me gjithçka që është e mundur, përndryshe do ta dëgjoja dhe do ta këshilloja sipas mënyrës sime.

- Cila zë më shumë vend te ti, intuita apo logjika?

- Të dyja. Jam njeri i logjikës, por kam vërtetuar që intuita ime është e fortë dhe nuk ka ndodhur të gaboj.

- Mund të përmendësh një moment specifik që të ka lënë mbresa?

- Fitorja ime në “X Factor Albania” 2. Isha vetëm 14 vjeçe dhe ndieja emocione të papërshkrueshme nga vlerësimi që më bëri publiku. Është një ndër momentet më të bekuara që përmendet akoma edhe sot.

- Nëse ndodhesh në një bisedë mes miqsh dhe të kapin të përhumbur, ku po fluturon mendja jote në ato momente?

- Gjatë kohës që jam me miqtë, përpiqem të jem e përqendruar dhe e përfshirë në të gjitha bisedat, që të justifikoj dhe mungesën time kur nuk jam pranë tyre. (Buzëqesh)

- Për çfarë do të jesh tërë jetën mirënjohëse?

- Për njerëzit që kanë luajtur një rol shumë të rëndësishëm në formimin tim si njeri dhe si artiste.

- Në fund të ditës, çfarë i thua vetes?

- Motoja ime është: “Me mend në kokë dhe këmbë në tokë”.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.