“Sarasvatiçandra” Sarasi shpëton Kumudin nga Pramadi

Intervista - - TELENOVELA -

Pramadi vazhdon ta persekutojë Kumudin, por kur ai nis të shajë Sarasin, ajo nuk duron dot dhe i kundërvihet. Pramadi i thyen telefonin, e shtyn dhe i kërkon të dalë nga dhoma e tij. Kur del, ajo përballet me Sarasin dhe i kërkon atij të largohet, pasi ka nevojë të qëndrojë me të shoqin. Sarasi ndihet fajtor që shkatërroi jetën e tij dhe të Kumudit. Vidia me Gunijalin mendojnë se është mirë të shkojnë për të parë se si po jeton Kumudi në familjen e re...

Kumudi përzë Sarasin

Kumudi shpreson që Sarasi të ikë nga shtëpia dhe ta lejojë atë ta nisë jetën nga e para. Ajo sillet shumë ashpër përballë tij sa herë e ka këtë mundësi. Palaku sillet shumë keq me Inkeshin, të shoqin, ndërkohë që aprovon çdo ide të Sarasit. Ky i fundit përgatit edhe fjalimin e babait të Pramadit për në konferencën e shtypit. Budidani është shumë i kënaqur me punën e tij dhe e falënderon, duke vënë në dukje edhe një herë se i biri është fare i paaftë. Kumudi i del për zot Pramadit, kur i ati e pyet se pse ai nuk po vjen në konferencën e shtypit. Me fjalimin, Sarasi përpiqet t’i kërkojë të falur Kumudit, por kjo e fundit e ka të pamundur ta bëjë këtë, pas gjithë atyre që ka kaluar. Sarasi nis të përgatisë valixhet për të ikur, kur shikon Pramadin të vijë i dehur në shtëpi. Budidani qorton Kumudin që e ka mbrojtur, por Palaku i del asaj në krah. Shërbëtori përpiqet ta ngrejë Pramadin e rrëzuar, por Kumudi thotë se ai është përgjegjësia e saj dhe nuk lejon as Sarasin që ta ndihmojë. Ajo ia mbyll derën Sarasit në fytyrë dhe, e zemëruar me fatin e saj, thotë se nuk ka për ta falur kurrë.

Pramadi plagos Kumudin

Pramadi nis t’i bërtasë Kumudit dhe e përplas pas dollapit, duke e gjakosur në ballë. Sarasi niset të ikë, por shikon Pramadin duke pirë nëpër shtëpi dhe e gjen Kumudin të gjakosur në ballë. Ai e pyet nëse e ka rrahur Pramadi, por ajo ia bën të qartë se nuk ka të drejtë as ta prekë dhe as t’i thotë gjë burrit të saj. Kërkesës së tij për ta lënë Pramadin, Kumudi i përgjigjet se e ka bërë një herë një gabim kur u dashurua me dikë që e gënjeu. Të paktën burri i saj nuk i bën premtime të kota. Sarasi vendos të bëjë të pamundurën që të mos e lejojë atë të jetojë në këtë ferr. Në zemërim e sipër se pse Kumudi e fsheh plagën nga familja, ai bëhet gati të tregojë se çfarë ka ndodhur, por vështrimi i Kumudit e shtang. Vida dëgjon thashetheme se Pramadi është i varur pas pijes.

Sarasi i thotë Kumudit se e di që dera e saj nuk do të hapet kurrë për të, por ai nuk do të ikë nga ajo shtëpi, pa e mësuar të gjithë se çfarë martese ka ajo dhe dhunën që po përjeton nga i shoqi. Kusumi e pyet Kumudin në telefonon nëse është e vërtetë se i shoqi është i varur nga pija. Duke u përpjekur të kontrollojë dënesën, Kumudi i thotë se nuk është e vërtetë, se Pramadi dhe të gjithë të tjerët e duan në atë shtëpi.

Sarasi grindet me Palakun

Sarasi bën një debat të zjarrtë me Palakun në lidhje me punën. Kjo e fundit e akuzon se ai po bëhet shumë sentimental. Kur shkon në shtëpi, Sarasi i kërkon Kumudit në sy të së vjehrrës që të tregojë se si u plagos në ballë, plagë, për shkak të së cilës po mban vazhdimisht shami. Kumudi largohet pa dhënë përgjigje. Mamaja e Pramadit trembet nga kjo që dëgjon dhe i thotë të shoqit se duhet të flasin me Kumudin. Kumudi grindet keq me Sarasin. Budidani me të shoqen e pyesin Kumudin se për çfarë plage e kishte fjalën Sarasi. Ajo thotë se ai me siguri ka parë pikën e kuqe që ka vënë ajo në ballë dhe ka menduar se është plagë. Sarasi, që ka vendosur ta mbështesë Kumudin në çdo vendim, pranon se ka qenë ai që e ka keqkuptuar shenjën në ballin e Kumudit.

Palaku dhe Sarasi përplasen sërish me njëri-tjetrin dhe ajo e këshillon të mos i shkojë kundër asaj.

E ëma përpiqet ta afrojë Pramadin me Kumudin, por ky nuk ia vë veshin dhe ikën. Më tej, nëna e Pramadit e pyet Sarasin për familjen e tij, por ai i thotë se prindërit i kanë vdekur. Ajo i thotë se tashmë, ai është djali i tyre dhe se ishte e shkruar nga fati që ai dhe Kumudi të vinin në të njëjtën ditë në shtëpinë e tyre. Ajo i thotë se dëshiron që Kumudi të jetë e lumtur dhe Sarasi e këshillon që ndonjë nga familjarët e saj të vijë ta vizitojë, pasi kështu ajo do të ketë me kë të hapë zemrën. Asaj i duket ide e mirë, por Palaku, së cilës i dëgjohet më shumë fjala në shtëpi, e kundërshton këtë vizitë. Sarasi përpiqet të gjejë një mënyrë se si t’ia bëjë që të paktën Kusumi të vijë të vizitojë Kumudin.

Kalika i spiunon të gjithë

Budidanin e lajmërojnë se djali i një familjeje të pasur, Sarasvatiçandra, ka humbur. Sarasi tensionohet, por as Budidani dhe as Palaku nuk dyshojnë tek ai. Pramadi tërbohet kur mëson se Kumudi ka hequr nga dhoma e tij të gjitha shishet e verës. Ai ia nxjerr të gjithë inatin shërbëtorit dhe nis të thyejë gjithçka. Mamaja e tij mban sërish anën e Kumudit dhe urdhëron Kalikën, të pastrojë dhomën e Pramadit dhe të Navinit. Kalika lumturohet nga sjellja e Pramadit.

Pramadi nis t’i kërkojë llogari Kumudit se pse nuk ikën nga shtëpia e tij dhe pse nuk heq dorë nga vendimi për ta ndryshuar. Ai bëhet gati ta qëllojë, por në atë moment vjen i ati dhe i thotë të shkojë në zyrë pasi duhet të diskutojnë për diçka. Budidani i kërkon të birit të shkojë me të në një aktivitet për viktimat e përmbytjes. Ky i fundit i thotë të marrë qenin e tij, Sarasin. Sarasi e përmban zemërimin, duke kujtuar fjalët e Kumudit, por i ati i Pramadit zemërohet shumë me të birin dhe do ta qëllojë. Sarasi e përmban.

Sarasi shpëton Kumudin Të gjithë nisen për në udhëtim dhe Kumudi ngelet në shtëpi, vetëm me Sidin e vogël. Sarasi largohet duke e patur mendjen tek ajo.

Në mbrëmje, Pramadi kthehet në shtëpi në gjendje të dehur. Kumudi tensionohet dhe Kalika nuk e humb rastin për ta nxitur Pramadin kundër Kumudit. Ai vjen dhe e kërcënon se do ta rrahë nëse nuk i jep paratë që i duhen. Kumudi frikësohet, por mendon se nëse nuk ia tregon vendin që tani, ai gjithmonë kështu do të sillet me të. Pramadi ia fut duart në fyt, por në atë moment, vjen Sarasi. Kumudi i thotë se ai duhet të ishte tani me të tjerët, por Sarasi thotë se Budidani ka aq besim tek ai sa e solli vetë që të kujdesej për familjen. Pramadi nis ta tallë, duke e quajtur qenin e të atit. Sarasi zemërohet dhe bëhet gati të rrihet me të, por me vështrim, Kumudi i lutet që të tërhiqet dhe Sarasi kështu bën. Kumudi shkon të marrë para për t’ia dhënë Pramadit, por ai e ndjek pas dhe ia merr të gjitha. Para se të dalë nga dhoma, ai qëllon me vazo një pasqyrë, duke e trembur për vdekje Kumudin.

Kalika hyn brenda, reagon kur sheh rrëmujën dhe i thotë Kumudit se si mundet të qëndrojë në atë dhomë. Kumudi ia pret shkurt se ajo është vetëm një shërbëtore, se duhet të trokasë dhe nuk duhet të përzihet në punë që s’i takojnë. Ndërsa del nga dhoma, Kumudi çan këmbët në copat e xhamit...

Kumudi kujton gjithçka që ka ndodhur në jetën e saj dhe, duke mos patur me kë ta hapë zemrën, nis t’i shkruajë ndjenjat e saj në letër.

Kusumi dhe Kumari përpiqen të lidhen me Kumudin në telefon, por ajo nuk e hap celularin, kështu që ato telefonojnë në numrin e shtëpisë. Kusumi shokohet kur dëgjon nga ana tjetër e receptorit zërin e Sarasit...

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.