E fejuara më la, sa e mësoi për paralizën e mamasë

Intervista - - HISTORI NGA JETA -

(Vijon nga numri i kaluar)

- Nuk e di se si mund të shkojë ky muhabet, ndoshta edhe ajo s’ma var, se mekanik jam unë, sikur e kam të sigurt se edhe asaj i pëlqej... Megjithatë, nuk ma do mendja se të dukem tip aventurieri, - i thashë disi i lënduar nga kjo këshillë.

Në ditët në vijim, kur Bela kthehej nga shkolla, e shihja nga larg e dilja sikur kisha ndonjë punë, apo kaloja thjesht që t’i bija në sy. Kështu, një ditë shiu kur rruga ishte përmbytur, ajo e pyeti Lefterin a mund të qëndronte aty sa të binte pak niveli i ujit.

- Sigurisht që mund të rrish, moj vajzë, - i tha Lefteri dhe menjëherë më bëri shenjë të uleshim të dy të bënim muhabet me të. - Edhe ne kemi orën e pushimit tani e po llafosemi pak me ty, - tha ai dhe na prezantoi me njëritjetrin.

Ne filluam të përshëndeteshim e të flisnim herë më gjatë e herë më shkurt me njëri-tjetrin derisa ajo mbaroi shkollën e mesme. Atëherë edhe unë gjeta rastin dhe i propozova. Pas një muaji përgjigjja e saj ishte që i pëlqeja dhe se ishte dakord të takoheshim që të njiheshim më shumë me njëri-tjetrin. Kisha tre vite që e ruaja atë vajzë, kisha tre vite që ëndërroja për të dhe ja, më në fund, ëndrra ime po bëhej realitet. Lidhja jonë vazhdoi gati një vit e gjysëm, ndërkohë që kisha blerë shtëpinë e një emigranti, i cili e shiste pak më lirë se tregu. Më kishin ndihmuar shumë prindërit dhe daja im, i cili merrej me tregti, për të mbledhur paratë, se nuk bëhen milionat me punë krahu. Ndërsa me Belën kishim bërë plan të fejoheshim e të rrinim të fejuar derisa unë të arrija të paguaja paratë e shtëpisë, se dihet, po u bëre me familje, nuk mund të kursesh. Kishim vendosur të bënim dasëm të vogël... oh, ëndrra fëmijësh më duken sot. Unë u kisha treguar prindërve të mi, bile ne kishim shkuar në lokal me prindërit e mi e me Belën. Mamaja ime qeshte me vete edhe tri ditë më pas nga lumturia që kisha gjetur atë vajzë aq të mirë, por lumturia nuk zgjati shumë.

Vëllai që ishte në Itali bëri një aksident dhe vdiq pas dy ditësh në koma, i vetëm në spital në Itali. Sigurisht, ne nuk kishim as viza, as dokumente t’i shkonim ndonjëri pranë. Dhimbja e prindërve të mi ishte e pamatë. Dy muaj pas humbjes së vëllait tim, mamaja pësoi një trombozë. Ndenji dy javë në reanimacion dhe filloi të përmirësohej avash-avash, por këmba e djathtë i mbeti e paralizuar plotësisht, ndërsa të majtën, mezi e tërhiqte zvarrë. Ajo grua e luti vdekjen si ajrin që thithi, por jo, ishte e shkruar që të vuante.

Kur mjekët nuk na dhanë asnjë shpresë për mamanë, e nxorën nga spitali dhe atëherë dhimbja u ul këmbëkryq në shtëpi. Mamaja që vetëm qante për vëllanë, unë e babai që duhej të bënim edhe punët e saj, por që nuk i kishim bërë asnjëherë dhe, merreni me mend. Gjashtë muaj vinte motra çdo ditë, por nuk mund të shtyhej kështu. Unë dhe babai duhej të gjenim një zgjidhje.

- Mendoj se duhet të martohem unë. Nuk po bëjmë dasmë fare. Të bëjnë dasëm vetëm te Bela, po deshën, po edhe ata me zemër të thyer janë. E marrim në shtëpi, shesim shtëpinë time dhe do t’ia dalim, - i thashë një darkë babait.

- Nuk kemi zgjidhje tjetër, - tha ai, - nuk dua të marr nuse në zi, po si t’ia bëjmë? - dhe lotët i vërshuan në faqe.

- Epo, nuk ishte zgjedhja jonë! Ishte taksirati i vëllait tim dhe i juaji si prindër, - i thashë. U çova, e përqafova dhe shkova në dhomën time. Të nesërmen, kur u takuam me Belën, ndërsa pinim në kafenë e mëngjesit, i tregova për bisedën që kishim bërë më babain.

- E çfarë, unë do të martohem se ty të duhet një pastruese? - më tha sapo mbarova fjalën.

I çoroditur nga përgjigja i thashë: - Nuk bëhet fjalë që të vish pastruese. Ti do të jesh gruaja ime dhe do të bësh punët që bën një grua në shtëpi. Edhe nëse mamaja ime s’do të ishte e paralizuar, ti ato punë do bëje, ç’ka këtu për t’u fyer kaq shumë? - i thashë jo vetëm i lënduar, por edhe i nevrikosur.

- Epo, unë dua të shijoj jetën time, jo të pastroj mamanë tënde, - m’u përgjigj pa pikën e ndrojës.

Vetëm atëherë i thirra mendjes. - Moj, me të vërtetë i ke këto që po thua apo po bën shaka me mua, - i thashë, se nuk po i besoja ato që dëgjova.

- Jo, me të vërtetë e kam. Më vjen keq që mamaja jote është e sëmurë, po unë dua jetën time.

- Po si do t’ia bëjmë atëherë? - i thashë. - Ke ndonjë zgjidhje të më japësh ti, si nuse e përkryer që je, që do të shijosh jetën?!

- Po, e kam një. Meqë ty të duhet një pastruese, martohu me një katunare dhe e ke problemin të zgjidhur.

- Ç’po thua moj? Të lutem logjiko, njeriu martohet me njeriun që do, nuk e sheh katunare apo qytetare.

- Epo një katunare vjen me vrap e martohet me ty dhe bën edhe pastruesen e një të paralizuare, se unë nuk mundem. Boll kam vuajtur në shtëpinë time me vajin e prindërve të mi, nuk dua të dëgjoj edhe vajet e prindërve të tu.

- Atëherë Bela, po ta them për herë të fundit, - i thashë pas një debati prej tri orësh, - jam po ai djalë që kam qenë, të dua po aq sa ditën e parë dhe do të doja ta jetoja ndryshe jetën me ty, por ka disa gjëra që njeriu nuk i zgjedh dot dhe unë nuk mund ta shëroj mamanë time. E vetmja gjë që mund të bëj, është të kujdesem për të. Ti do të martohesh me mua, apo jo? - i thashë, ndërsa po e shihja në dritë të syrit.

- Epo, atëherë, merre vesh, jam po ajo Bela që kam qenë dhe të dua po aq sa të kam dashur, por sinqerisht, nuk e mendoj dot ta jetoj jetën në mënyrën që po më ofron ti. E di që nuk është për fajin tënd, e di që është fati i keq, por edhe për ne të dy paska qenë e shkruar të mos e gëzojmë njëri-tjetrin. Më duket se duhet të të them lamtumirë, - tha dhe u çua e iku bashkë me lotët që i rridhnin çurg.

Unë arrita ta mbaja veten për momentin në kafe që të mos qaja, por ka dhjetë vite që zemra ime qan për Belën, jo vetëm në ëndrra, por edhe me sy hapur.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.