Si të dobësohem shpejt?

Intervista - - PYETJE PËRGJIGJE PËR GJITHÇKA -

- Ju përshëndes. Dua të dobësohem, sepse nuk shoh asnjë rezultat në trupin tim, pavarësisht dietave që kam bërë. Tani jemi edhe në kohë plazhi dhe ndihem në siklet nga kjo peshë që kam marrë, ndaj dua disa këshilla si të dobësohem pak shpejt. Marjana.

Mario, instruktor: - E nderuar Marjana, ju përshëndes gjithashtu. Do t’ju kritikoj një herë si fillim, sepse keni patur gjithë dimrin përpara për t’u stërvitur dhe për të arritur një formë të shkëlqyer pa e pritur verën dhe tani kërkoni të dobësoheni shpejt e shpejt! Kjo gjëja shpejt e shpejt, përveçse nuk arrin rezultatin e pritur pozitiv, edhe ju dëmton nga ana shëndetësore.

Së pari, do ju thoja të hiqni dorë nga dietat, por të ndiqni një regjim ushqimor. Në të njëjtën kohë, gjejeni kohën dhe regjistrohuni në një palestër, ose nëse jeni me pushime, bëni sa më shumë not. Pra, regjim ushqimor plus ushtrime, ose thjesht vrap në natyrë apo në palestër, do t’ju bëjnë shumë mirë. Aq më tepër që tani është shumë vapë dhe djersiteni më lehtë. Sipas specialistëve të regjimit ushqimor, ju duhet të minimizoni brumërat, sheqernat e shtuara, yndyrnat shtazore dhe produktet e qumështit. Për dobësim, rekomandojnë të përqendroheni te frutat, perimet, e bardha e vezës, produktet e sojës, gjoks pule pa lëkurë, peshku, bylmet pa yndyrë dhe 95 % mish pa dhjamë.

- Pra, hani perime që të ndiheni e ngopur, mundësisht një sallatë të madhe me të gjitha llojet e perimeve. Tani që është edhe kohë vere, sigurisht që do t’ju bëjnë mirë dhe për shëndetin dhe hidratimin e gjithë trupit. Pini shumë ujë, të paktën 2 litra e gjysëm.

- Largoni ushqimet të tilla si ëmbëlsirat nga shtëpia. Mund t’ia lejoni vetes ndonjë çokollatë të zezë shumë rrallë për shembull, në periudhen e menstruacioneve.

- Hani vetëm nga pjata dhe mundësisht ulur, absolutisht jo në këmbë apo para televizorit apo direkt nga frigoriferi. Këto sjellje janë të gabuara.

- Mos i kapërceni kurrë vaktet, por hajini rregullisht dhe mundësisht ndonjë të ndërmjetëm që të ketë si bazë kosin pa yndyrë dhe ndonjë frut të stinës.

- Dalim përsëri tek ushtrimet kardio, një mënyrë e mirë për të humbur kile është të bëni me alternim vrap me intensitet të lartë, i ndjekur nga vrap me intensitet të ulët… pra, shpejt, ngadalë, shpejt, ngadalë. Një ushtrim i tillë me intervale ndihmon që të djegësh më shumë kalori.

- Por si? Fillo vrapo në 2 minutat e parë me ritëm normal ( jogging), pas dy minutave vrapo me shpejtësinë më të madhe që mundesh për 30 sekonda, pastaj ngadalëso e vrapo ose ec, nëse nuk mundesh të vraposh ngadalë për 1 minutë e gjysmë. Përsërite këtë deri në 8 herë… 30 sekonda shpejt, 1 minutë e gjysmë ngadalë, 30 sekonda shpejt, një minut e gjysmë ngadalë. Në fillim nuk do të arrini ta bëni më shumë se 3 apo 4 herë këtë përsëritje, por kjo mjafton për fillim. Gradualisht, ju do ta shtoni këtë përsëritje nga 3 në 4, nga 4 në 5 e kështu me radhë deri në 8. Ky është një nga ushtrimet më të mira për të humbur peshë dhe jep rezultat që në javët e para të të ushtruarit. Provojeni dhe më shkruani.

Tjetër këshillë është të hiqni dorë nga pilulat e dobësimit apo laksativët, që janë shumë të këqija për shëndetin, pasi siç mund të humbisni në peshë, rrezikoni t’i merrni dyfish dhe për më tepër, në këtë mënyrë largoni nga trupi gjithë lëngjet e nevojshme që i duhen shëndetit tonë. Ndaj mos rrezikoni me pilula të tilla. Jam dakord të pini çajin jeshil, por vetëm këtë ama dhe në sallatat tuaja të përdorni vetëm uthullën e mollës. Uthulla e mollës njihet tashmë për vetitë e saj dietike të shëndetshme, por edhe ushqyese për shëndetin dhe lëkurën tonë. Përgatiti faqen: Valbona Vukulaj

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.